
KUJDES! Ky artikull përmban përshkrime që mund të jenë shqetësuese për disa lexues.
Polici i kërkoi asaj të brendshmet, ndaj ajo i la në kabinën ku u zhvesh për ekzaminimin fizik.
“Çfarë do të bëj pa të brendshme?” i tha më pas infermieres.
“Vish vetëm pantallonat”, iu përgjigj ajo.
Sofia (jo emri i saj i vërtetë) ishte përdhunuar.
Autori ishte një burrë që ajo e kishte njohur përmes punës, një njeri i arsimuar, i pasur, i respektuar, i cili i kishte ofruar ta çonte në punë, por në vend të kësaj e kishte çuar në një shtëpi në periferi të kryeqytetit serb, Beograd. Ngjarja ndodhi rreth një vit më parë. Makthi i saj zgjati për orë të tëra.
Kur arriti të shpëtonte, Sofia besoi se po shkonte drejt sigurisë te policia. Por trauma e saj thjesht vazhdoi më tej.
“Poshtëruese, shkatërruese”, ishte mënyra si e përshkroi trajtimin që mori nga autoritetet. “Sikur të isha unë fajtore.”
Sofia (jo emri i saj i vërtetë) tashmë është në terapi, për të përballuar jo vetëm traumën e përdhunimit, por edhe mënyrën si u trajtua nga policia.
Numri i përdhunimeve të raportuara në polici në Serbi ka rënë gjatë 20 viteve të fundit, nga rreth 100 në vit në 50.
Kjo nuk do të thotë se më pak gra po përdhunohen, thonë ekspertët, por se më pak gra janë të gatshme të raportojnë dhe se organet shtetërore nuk e trajtojnë çdo kallëzim.
Për të zbuluar arsyet, BIRN bashkëpunoi me pesë media të tjera në Serbi – Bujanovacke, Glas Sumadije, Juzne vesti, Ozon pres dhe 021 – për të analizuar dhjetëra vendime gjyqësore për përdhunim që nga viti 2022.
Ato tregojnë se gjykatat zakonisht merren me përdhunime të raportuara menjëherë nga të mbijetuarat; pothuajse të gjithë të pandehurit kishin arsim të ulët dhe ishin të papunë; shumica e të akuzuarve dënohen, por gjysma e atyre që raportohen në polici nuk paditen kurrë; dhe shumë vendime përmendin mangësi në mbledhjen e provave.
Në Serbi, e cila nuk ka një protokoll të veçantë për mënyrën se si policia, prokuroria dhe profesionistët mjekësorë duhet të trajtojnë rastet e dhunës seksuale, afërsisht gjysma e të gjitha rasteve të përdhunimit të raportuara nuk përfundojnë me akuza.
Kur ratifikoi Konventën e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, të njohur si “Konventa e Stambollit”, në vitin 2013, Serbia u zotua të ndryshojë kuadrin ligjor për të përmirësuar mbrojtjen dhe mbështetjen për të mbijetuarat e përdhunimit. Më shumë se një dekadë më vonë, nuk ka pasur ndonjë përmirësim të prekshëm.
“Nuk jemi përafruar kurrë me standardet globale”, tha Vanja Macanovic, avokate në Qendrën Autonome të Grave në Serbi.
Jasmina Nikolic, drejtoreshë e Shoqatës së Viktimologjisë së Serbisë, e cila ofron mbështetje për viktimat e dhunës, tha për BIRN: “E dimë qëndrimin e përgjithshëm të sistemit të drejtësisë penale.”
Të mbijetuarat, tha ajo, “trajtohen më shumë si fajtore sesa si viktima.”
“Shifra e errët”

Në vitin 2019, një studim i realizuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE, zbuloi se rreth pesë për qind e grave në Serbi, ose afërsisht 170,000, kishin përjetuar dhunë seksuale pas moshës 15 vjeç.
Tre vite më vonë, një sondazh i kryer nga organizata joqeveritare për të drejtat e grave dhe barazinë gjinore, Femplatz, gjeti se 9.2 për qind e grave të anketuara raportuan se ishin përdhunuar ose ishin shënjestruar për përdhunim të mundshëm në hapësira publike.
Këto shifra sugjerojnë se një numër shumë i madh i të mbijetuarave nuk e raportojnë kurrë krimin.
Në Serbi, ashtu si në shumë vende të tjera, krimi i përdhunimit besohet se ka një nga shifrat më të larta të asaj që njihet si “shifra e errët” – një term që përdoret në statistikat e krimit për të përshkruar numrin e vlerësuar të rasteve kur krimi nuk raportohet.
“Kjo është një prirje jo vetëm këtu, por në të gjithë botën, ku shifra më e lartë e errët i përket pikërisht raportimeve për dhunë seksuale”, tha Nikolic.
Ka pak kërkime mbi arsyet pse të mbijetuarat e përdhunimit nuk i drejtohen policisë. Sipas Nikolic, disa nga arsyet përfshijnë faktin se autorët shpesh janë persona të njohur për viktimën, se të mbijetuarat shpesh përjetojnë ndjenja faji, frike dhe turpi, si dhe se procesi për të kërkuar drejtësi shpeshherë sjell trauma të reja.
Të dhënat tregojnë një rënie të vazhdueshme në numrin e përdhunimeve të raportuara.
“Ajo që reflektohet në statistikat shtetërore janë qartazi vetëm rastet ku prokuroria ka vendosur të nisë procedimin penal, pra, të zhvillojë një hetim”, tha Macanovic.
“Sa herë që prokuroria nuk e merr këtë vendim, ai thjesht nuk regjistrohet.”
Të mbijetuarat e përdhunimit, shtoi Macanovic, shpesh “dekurajohen që në komisariat për të bërë kallëzim, sepse u thuhet se, nëse nuk provohet, do të ngrihet çështje ndaj tyre për kallëzim të rremë.”
Pa protokolle për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale

Sofia tha se ekzaminimi i parë mjekësor që iu bë zgjati gjithsej pesë minuta; stafi dukej sikur e kishte me ngut, tha ajo, dhe raporti i përftuar – i shqyrtuar nga BIRN – ishte i shkurtër dhe pothuajse i palexueshëm.
Duke qarë dhe duke u dridhur, Sofia mori qetësues dhe u dërgua në një komisariat policie, ku iu tha të ulej në një stol jashtë zyrës së inspektorit dhe të priste. Kur hyri, oficeri dukej i paduruar.
“Hajde, trego”, kujton t’i ketë thënë ai. Ajo nisi të rrëfente makthin që kishte përjetuar, por u ndërpre kur dikush hyri në dhomë dhe tha se duhej transferuar në një komisariat tjetër.
Sofia u gjend sërish në stol. Kur mbërriti familja e saj, nuk iu lejua t’i përqafonte, për të ruajtur provat që mund të ishin në trupin dhe rrobat e saj.
Pavarësisht dhimbjes, Sofia zbriti shkallët pa ndihmë, duke u kapur pas parmakut.
Udhëtimi për në komisariatin tjetër, një ndërtesë e madhe prej betoni në qendër të Beogradit, zgjati më shumë se ç’duhej sepse polici që po e shoqëronte nuk dinte se nga cila hyrje duhej të hynin. Më në fund, Sofia u fut në një zyrë ku po prisnin disa burra dhe dy gra. Asnjëri nuk u prezantua dhe askush nuk i shpjegoi çfarë do të ndodhte. Dikush hynte e dilte vazhdimisht nga dhoma, ndërsa njëra nga oficeret pinte cigare pranë një dritareje të hapur.
“A mund të flasësh?” e pyeti dikush.
“Mundem”, u përgjigj Sofia, e habitur që askush nuk mendoi të pyesë: “Si je?”
Sipas Konventës së Stambollit që Serbia e ka ratifikuar, për çdo 200,000 banorë vendi është i detyruar të hapë një qendër të posaçme për të mbijetuarat e dhunës seksuale, ku ato mund të marrin ndihmë mjekësore, psikologjike dhe ligjore, të raportojnë krimin, të japin deklarata dhe të nënshtrohen ekzaminimeve fizike, të gjitha në një vend të vetëm.
Të tilla qendra ekzistojnë vetëm në provincën autonome veriore të Vojvodinës – pesë të tilla. Ato janë hapur nga organizata joqeveritare Qendra për Mbështetjen e Grave dhe jo nga shteti serb, dhe mbështeten në fonde të huaja.
Sipas raportit më të fundit të Këshillit të Evropës, Serbia nuk duket të ketë bërë ndonjë përpjekje për të garantuar qëndrueshmërinë e këtij shërbimi përmes fondeve publike.
Jashtë Vojvodinës, përvoja e raportimit të dhunës seksuale varet shumë nga njohuritë, përvoja dhe ndjeshmëria e policëve dhe mjekëve.
Megjithatë, nuk ka protokolle specifike për mënyrën se si policët, punonjësit shëndetësorë dhe autoritetet gjyqësore duhet të trajtojnë rastet e dhunës seksuale.
Ministria e Shëndetësisë nuk iu përgjigj kërkesës për koment, por ministria e Brendshme dhe ajo e Drejtësisë thanë se veprojnë në përputhje me Kodin Penal, Ligjin për Policinë dhe protokollet e përgjithshme për trajtimin e dhunës ndaj grave.
Këto protokolle, megjithatë, rregullojnë detyrimet dhe standardet për rastet e dhunës në familje dhe, përveç udhëzimeve të përgjithshme, nuk janë të zbatueshme për rastet e dhunës seksuale.
“Qendra Autonome e Grave i ka shkruar Ministrisë së Shëndetësisë dhe ministrive të tjera për të paktën 15 vjet, në mos më shumë, duke kërkuar miratimin e një protokolli për raportimin e dhunës seksuale”, tha Macanovic. “Ky protokoll nuk është miratuar kurrë.”
Ajo që nevojitet, tha ajo, është një protokoll i unifikuar për policinë, institucionet shëndetësore, prokurorinë dhe aktorët e tjerë të sistemit. Ky protokoll duhet të garantojë një qasje të përqendruar te viktima, të ofrojë mbështetje, mbledhje cilësore të provave, hetime efikase dhe parandalim të përsëritjes së traumatizimit.
“Askus nuk do të të besojë”
Kur ra nata, Sofia ende po rrëfente çfarë kishte ndodhur.
“Mendova se duhej të jepja sa më shumë detaje të ishte e mundur”, tha ajo për BIRN.
Inspektorja që pinte cigare pranë dritares e ndërpriste vazhdimisht, sikur donte ta nxiste të fliste më shpejt.
“Pse nuk ike më herët?”
“A e pe armën me të cilën të kërcënoi?”
“Pse shkove me të?”
Një tjetër inspektor e kundërshtoi këtë vijë pyetjesh, duke sugjeruar se ishte e papërshtatshme. Sipas Sofisë, inspektorja u përgjigj: “Po pastaj? Ashtu do t’ia bëjnë pyetjet edhe në prokurori.”
Kur Sofia tha se kishte frikë se ai do ta vriste, inspektorja iu kthye: “Nga e kuptove këtë? Ndoshta thjesht do të të kishte rrahur.”
Sofia u nxor për pak çaste në korridor, ku mbërriti familja e saj. Këtë herë, iu lejua t’i përqafonte, pavarësisht se askush nuk kishte marrë prova nga trupi apo rrobat e saj. Më pas ajo u kthye në zyrë.
Sofia u tregoi policëve se sa shumë etje kishte pasur dhe se abuzuesi i kishte dhënë ujë vetëm pas orësh të tëra. Kur inspektorja e dëgjoi këtë, shpërtheu: “Pse e pive ujin, nëse thua se ai ejakuloi në gojën tënde?”
Sofia u hutua dhe ndihej gjithnjë e më në ankth; donte të largohej, të ishte me familjen. Inspektorja nisi t’i bërtiste: “Pse po qan tani? Ti shkove me të për paratë e tij.”
Edhe pse ajo kundërshtonte, Sofia kujtonte fjalët që abuzuesi i kishte thënë në shtëpinë në periferi të qytetit: “Askush nuk do të të besojë nëse shkon në polici.”
Përpara se të firmoste deklaratën, Sofisë iu kërkua të hiqte reçipetat që të merreshin si provë.
Ajo firmosi, pa lexuar çfarë ishte shkruar dhe më pas u dërgua, duke qarë, në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës për t’u ekzaminuar.
Polici që e shoqëronte i tha: “Qetësohu, do të kalojë. Kolegët e mi thjesht janë pak të tensionuar. Nëse i përballove të gjitha këto deri tani, do ta përballosh edhe këtë.”
Personat e parë që hasin të mbijetuarat e përdhunimit kur hyjnë në sistem janë policët. Përveç rasteve kur lëndimet janë të rënda dhe kërkojnë trajtim të menjëhershëm, mjekët i drejtojnë të mbijetuarat fillimisht në polici, sepse nuk mund të marrin mostra pa një urdhër nga prokuroria apo gjykata.
Në qytete, të mbijetuarat mund të flasin fillimisht me departamente policie të specializuara në krimet e dhunshme dhe seksuale. Këto njësi nuk ekzistojnë në zona më të vogla.
Në praktikë, të mbijetuarat shpesh përfundojnë duke folur fillimisht me hetues të përgjithshëm kriminalë që nuk kanë përvojë apo njohuri të posaçme në trajtimin e dhunës seksuale.
Biljana Brankovic, një avokate në qytetin jugor të Nishit, kujtoi rastin e një gruaje në një fshat afër Nishit që ishte përdhunuar dhe rrahur nga ish-partneri i saj, duke mbetur me dëmtime të dukshme në gjithë trupin; ajo u mor në pyetje nga policia dhe u dërgua thjesht në shtëpi.
“Ata regjistruan çfarë kishte ndodhur dhe si, por kaq”, tha Brankovic, e cila duhej t’i thoshte klientes së saj të shkonte për një ekzaminim mjekësor – një praktikë standarde në rastet e përdhunimit.
E mbijetuara do të ishte larë dhe do të kishte shkatërruar prova të vlefshme fizike po të mos e kishte ndaluar Brankovic me telefon.
“Ai e kishte tërhequr zvarrë në tokë”, tha ajo. “Pashë fotografitë; ishte vërtet makabër dhe nëna e saj pyeti si mund ta çonte te mjeku në atë gjendje. Po e përsëris, ishte fat që më telefonuan.”
Numërimi i lëndimeve

Në klinikë, Sofinë e pritën dy mjekë dhe disa infermiere. Lakuriq, ajo kujton se ata u sollën ashpër me të. Askush nuk ia fotografoi lëndimet. Kur ekzaminimi përfundoi, iu dha diçka për t’u mbuluar dhe u ul në një karrige, ku iu kërkua të diktonte historinë e saj mjekësore.
Disa ditë më vonë, Sofia u kthye në klinikë për të kërkuar raportin mjekësor. Një infermiere i tha se kjo ishte “e paimagjinueshme”, sepse vetëm policia kishte të drejtë ta shihte atë.
Ajo punësoi një avokat dhe, shtatë ditë pas përdhunimit, pagoi 10,000 dinarë – rreth 85 euro – për një ekzaminim tjetër fizik në Institutin e Mjekësisë Ligjore. U evidentuan dhe u fotografuan më shumë se 20 dëmtime – mavijosje dhe gërvishtje në qafë, kokë, bust dhe gjymtyrë.
Në vitin 2010, Ministria e Shëndetësisë së Serbisë prezantoi një formular që mjekët duhet ta plotësojnë në rastet e dhunës seksuale, i cili përfshin përshkrimin e krimit të pretenduar dhe dëmtimeve të shkaktuara, përfshirë fotografitë. Në praktikë, si në rastin e Sofisë ashtu edhe në raste të tjera të analizuar nga BIRN, ky formular nuk u përdor fare ose nuk u plotësua siç duhet.
Gjashtë nga 45 vendimet gjyqësore të analizuar për këtë raport përmendin mangësi në ekzaminimet mjekësore.
Në qytetin e Pozarevacit, në juglindje të Beogradit, një gjykatë shpalli fajtor një burrë për përdhunim, duke hedhur poshtë pretendimin e mbrojtjes se mostrat biologjike ishin marrë vetëm të nesërmen.
“Rrethanat që materiali biologjik është mbledhur vetëm pas një dite nuk mund, në asnjë mënyrë, t’i atribuohen viktimës, pasi ajo ishte e shtruar në spital”, thuhej në vendim. “Fakti që ekzaminimi gjinekologjik nuk u krye në kohë është çështje e organizimit të dobët në Spitalin e Përgjithshëm, jo rrethanë që mbrojtja përpiqet ta paraqesë – që përdhunimi nuk ka ndodhur.”
Një tjetër vendim fajësie, këtë herë në qytetin jugor të Vranjës, kritikoi ekzaminimin mjekësor si “i përgjithshëm, i paplotë dhe i mangët”, çka bëri që ekspertët të mos ishin në gjendje të përcaktonin shkakun e dëmtimeve të evidentuara.
Në të njëjtin qytet, në një rast përdhunimi në grup, disa nga dëmtimet e viktimës u ekzaminuan dhe regjistruan vetëm të nesërmen, kur ajo shkoi vetë në spital për të kërkuar trajtim, megjithëse kishte kaluar një ekzaminim mjekësor disa orë pas raportimit të krimit.
Në Jagodinë, në Serbinë qendrore, një inspektor policie dëshmoi se viktima e përdhunimit nuk ishte dërguar për ekzaminim mjekësor sepse “nuk kishte treguar qartë se kishte dëmtime”. Viktima ishte e mitur dhe nuk kishte pasur marrëdhënie seksuale më parë. Një ekspert i mjekësisë ligjore dëshmoi se dokumentacioni tregonte mavijosje në të dy kyçet e dorës, gërvishtje në bërryl dhe një mavijosje në gjoks.
E mbijetuara dëshmoi se i kishte kërkuar vazhdimisht agresorit të ndalonte dhe kishte tentuar ta shtynte, por gjykata vendosi se nuk ishte provuar kur ishin shkaktuar dëmtimet, pasi ato nuk ishin përmendur në ekzaminimin fillestar mjekësor dhe as në aktakuzë.
“Askush nuk tregoi ndonjë interes të veçantë për rastin e saj”, tha avokati i viktimës, Zeljko Ljubanic. “Babai i saj njihej tashmë nga policia dhe askush nuk kishte dëshirë të merrej me të.”
Duke e shpallur të pafajshëm të pandehurin, gjykata deklaroi se ai dhe vajza e mitur kishin pasur “marrëdhënie seksuale në mënyrë të ngathët dhe të pakëndshme”.
Ekzaminimi i duhur mjeko-ligjor mund të jetë i kushtueshëm, tha Macanovic, por prodhon prova që “mund të mblidhen, ruhen dhe, nëse është e nevojshme, të analizohen më vonë”.
“Por gjithçka varet nga njerëzit.”
Rruga e gjatë drejt drejtësisë
Sofia priste një telefonatë. Kur nuk mori asnjë, ajo ngriti vetë kallëzim penal kundër burrit që e përdhunoi.
Ai u mor në pyetje nga policia, por prokuroria e hodhi poshtë kallëzimin, duke u bazuar në opinionin e të njëjtëve inspektorë policie që e kishin marrë në pyetje Sofinë në komisariatin e Beogradit. Prokuroria e përshkroi sulmuesin e saj si një “njeri familjar”.
Prokurorët nuk e morën kurrë në pyetje as atë, as Sofinë.
Më në fund, avokati i saj i shkroi prokurorisë, duke përshkruar mënyrën se si ishte trajtuar nga policia. Sofia u thirr në Zyrën e Prokurorit të Lartë Publik në kryeqytet dhe çështja u rihap.
Një vit më vonë, asgjë nuk ka ndodhur. Prokuroria ende nuk e ka marrë në pyetje burrin që e përdhunoi.
Sipas të dhënave nga Enti Statistikor i Serbisë, afërsisht gjysma e rasteve të përdhunimit të raportuara përfundojnë me ngritje akuze.
Shtatëdhjetë për qind e rasteve që kanë shkuar në gjykatë përfshijnë gra që kanë raportuar përdhunimin në ditën që ndodhi ose ditën tjetër, gjë që tregon se ato që raportojnë më vonë – siç ndodh shpesh në rastet më traumatike, ku viktimat mund të ndihen gati të flasin vetëm me kalimin e kohës – kanë shumë më pak gjasa të shohin autorin të përballet me drejtësinë.
Në shumicën e rasteve, të mbijetuarat e njihnin dhe mund ta identifikonin përdhunuesin: ishin fqinjë, bashkëshortë, të dashur, kolegë, prindër apo të njohur.
Gati gjysma e të akuzuarve kishin përfunduar vetëm arsimin fillor; shumica ishin të papunë ose të angazhuar në punë të rastësishme.
Kjo nuk do të thotë se nuk ka përdhunues në mesin e burrave të pasur dhe të arsimuar në Serbi.
“Sigurisht që kjo është e pamundur”, tha Nikolic nga Shoqata e Viktimologjisë. “Mund të supozoj… se gratë hezitojnë më shumë të nisin procedura ndaj personave të njohur publikisht.”
Prokurorja publike Milena Bozovic theksoi rolin e tabloideve dhe rrjeteve sociale.
“Në ditët e sotme, pothuajse kushdo, një avokat apo një palë e përfshirë, mund të përdorë tabloidët si një tabelë shpalljesh për të kryqëzuar viktimën”, tha ajo për BIRN. “Jetët e tyre ndiqen, sidomos kur bëhet fjalë për figura publike; nxirren gjëra nga e kaluara, shpesh jo të vërteta. Besoj se gratë, kur shohin çfarë mund t’u ndodhë, heqin dorë. Nuk janë vetëm tabloidët; janë rrjetet sociale – Instagram, Facebook, Tëitter – të gjithë komentojnë mbi jetën e tyre.”
Deri në momentin kur jepet një vendim, shumica e të mbijetuarave të përdhunimit e kanë rrëfyer përvojën e tyre të paktën pesë herë – para policisë, mjekëve, prokurorëve, ekspertëve gjyqësorë dhe gjyqtarit.
Brankovic, avokatja në Nish, kujton orët e tëra që kaloi duke përgatitur klienten e saj për seancën gjyqësore.
“Dhe gjatë atij procesi, të paktën dy ose tre herë, klientja më tha: ‘Nuk mundem më, nuk mund ta përballoj më këtë, dua të heq dorë.’ Natyrisht, si avokate, nuk mund ta detyroj ta bëjë; unë jam aty për të, ajo nuk është aty për mua.”
Më në fund, përdhunuesi u dënua. Gjykimi zgjati katër vjet – më shumë se mesatarja prej dy vjet e gjysmë për rastet e përdhunimit në Serbi – dhe gjykatësi kryesor u ndërrua tri herë.
“Pati kaq shumë seanca”, tha Brankovic. “Nuk mund të them saktësisht sa, por rreth dhjetë – gjë që për një rast të tillë, sipas mendimit tim, është e papranueshme.”
Në disa raste, si ai i klientes së Brankovic, të mbijetuarave mund t’u jepet status i veçantë që i përjashton nga ballafaqimi i drejtpërdrejtë me të pandehurin në gjykatë; viktima lejohet të dëshmojë nga një dhomë tjetër përmes lidhjes me video dhe pyetet vetëm nga gjyqtari ose një psikolog i gjykatës, jo nga i pandehuri apo avokatët e tij.
Nga 45 rastet e analizuar për këtë raport, vetëm 10 të mbijetuara morën një status të tillë.
Në fund të vitit të kaluar, u miratua një rregullore për funksionimin e shërbimit që ofron mbështetje për viktimat dhe dëshmitarët në çështjet gjyqësore, e cila kërkon një vlerësim individual të gatishmërisë dhe aftësisë së viktimës për të përballuar procesin gjyqësor, duke ndihmuar gjykatën të vendosë nëse duhen zbatuar masa mbrojtëse për të shmangur ritraumatizimin.
Gjykata, tha prokurorja Bozovic, “do të ketë një ide se si t’i mbrojë, në mënyrë që kontakti me të pandehurin në sallën e gjyqit të mos shkaktojë stres shtesë apo traumë të re”.
“Çdo detaj i vogël ka rëndësi”, tha Bozovic për BIRN. “Çdo gjë ka rëndësi: t’i informosh për atë që ndodh në sallë, kush ku ulet, kush është i pranishëm dhe gjithçka tjetër që mund ta lehtësojë përvojën e tyre.”
Më pak vendime, dënime të buta

Të dhënat zyrtare tregojnë një rënie të vazhdueshme në numrin e vendimeve për përdhunim të lëshuara nga gjykatat serbe – nga 77 në vitin 2009 në vetëm 21 në vitin 2023.
Sipas statistikave zyrtare, përqindja më e lartë e të pandehurve të dënuar për përdhunim midis viteve 2013 dhe 2023 janë dënuar me nga pesë deri në dhjetë vjet burg.
Në vendimet gjyqësore të analizuara për këtë artikull, dënimi më i zakonshëm ishte pesë vjet burg – kufiri minimal i vendosur në vitin 2016 – edhe në raste përdhunimi në grup apo akte veçanërisht të dhunshme, ku për shembull viktimës i ishin thyer hunda dhe brinjët.
Në këtë artikull kontribuan edhe gazetarët Ivana Jovanovic (Bujanovacke), Jovanka Nikolic (Glas Sumadije), Zoran Strika (021), Radmilo Markovic dhe studiuesja Tijana Uzelac (BIRN).







