
Prokuroria e Tiranës njoftoi të premten më 3 tetor rezultatet e hetimit ndaj një grupi kriminal të përfshirë në trafikimin e dhjetëra vajzave nga vendet e Amerikës Latine dhe të Azisë Qendrore me qëllim shfrytëzimin për prostitucion në Shqipëri.
Në njoftim sqarohet se rolin kryesor në rekrutimin e vajzave nga vendet e Amerikës Latine e kishte 25-vjeçari L.B., i arrestuar në Kolumbi, i cili po ashtu kujdesej për udhëtimin dhe strehimin e tyre në Shqipëri. Hetimet kanë zbuluar se nëse ndonjë nga shtetaset e shfrytëzuara refuzonte të vazhdonte ushtrimin e prostitucionit, atëherë mbajtja e tyre bëhej me anë të forcës dhe kanosjes ndaj tyre e familjarëve në Kolumbi, duke përfshirë edhe persona të afërt.
Të tjerë të hetuar, kujdeseshin për sigurimin e kushteve logjistike për akomodimin dhe menaxhimin e rrjetit, duke përdorur edhe platformat online të quajtura ‘eskort’.
Një nga të arrestuarit ka përshtatur një hotel në rrugën “Reshit Çollaku” në Tiranë si vend për ushtrim prostitucioni nga vajzat e trafikuara. Në këtë hotel shfrytëzoheshin për prostitucion disa shtetase me origjinë nga Kazakistani, të cilat strehoheshin po aty. Ndërkohë një tjetër i hetuar, kryente shpërndarje të lëndëve narkotike për disa nga vajzat, si dhe lehtësonte kontaktet me klientët.
Sipas njoftimit, një nga të arrestuarit mblidhte të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal dhe i transferonte ato nëpërmjet kriptovalutave, në llogaritë e 25-vjeçarit L. B në Kolumbi.
Operacioni ndaj këtij grupi është realizuar në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese e të drejtësisë të Kolumbisë, Koracisë, me Europol dhe Eurojust. Në përfundim të hetimeve janë lëshuar 19 masa sigurimi, 9 prej të cilave janë ekzekutuar në Shqipëri dhe 10 në Kolumbi. Nërkohë, janë shpallur në kërkim tre persona të tjerë dhe janë proceduar penalisht 48 shtetase të huaja me kombësi të ndryshme.







