
Në seancën e zhvilluar të hënën më 6 tetor në KPA për vetingun e prokurorit të Tiranës, Elidon Hysenaj, prokurori Klodian Braho, i cili përfaqëson drejtuesin e SPAK në këtë çështje, paraqiti konkluzionet përfundimtare me kërkim përfundimtar, alternativ, ndryshimin ose lënien në fuqi të konfirmimit të këtij subjekti rivlerësimi.
Braho tha, se edhe pas parashtrimeve dhe provave të paraqitura në Kolegj, mbetet i paqartë qëndrimi i subjektit në dakordësimin për kërkesat e palëve në proces për zëvendësimin e masave të tyre në tre çështje. Ai shtoi se në një çështje tjetër duket se qëndrojnë pretendimet e denoncuesit lidhur me pushimin e një çështjeje.
Për arsye të mospasqyrimit në akte të informacioneve të klasifikuara të Shërbimit Informativ Shtetëror lidhur me subjektin, Braho kërkoi që Kolegji në përfundim ti vlerësojë këto të dhëna së bashku me parashtrimet dhe të vendosi në mënyrë alternative, ndryshimin e vendimit të Komisionit për konfirmimin e Hysenajt, ose lënien në fuqi të tij.
Kolegji i kërkoj Brahos që të paraqes një qëndrim përfundimtar, ose për lënien në fuqi, ose për shkarkimin. Prokurori Braho sqaroi se kishin ardhur me kërkim alternativ, pasi nuk e dinë peshën që mund të ketë informacioni i klasifikuar. Në interes të trupës, ai pohoi se as drejtuesi i SPAK nuk ishte njohur me informacionin e klasifikuar.
Në vijim, mbrojtësja ligjore e prokurorit Hysenaj, avokatja Romina Zano pyeti se për sa prej gjashtë procedimeve të trajtuara në ankim janë gjetur probleme procedural. Braho tha se kishin konkluduar se në tre prej procedimeve të trajtuara ka probleme.
Zano pyeti nëse mund të vlerësoheshin edhe këto çështje sipas indikatorëve të kriterit profesional, ashtu si për të tjerat. Në vijim, avokatja Zano parashtroi se në rrafshin formal dhe material, si ankimi, ashtu dhe diskutimet përfundimtare nuk përmbushin barrën e argumentimit që kërkon ligji, pasi nuk identifikohet asnjë shkelje e individualizuar e ligjit material e procedural. Ajo vërejti se drejtuesi i SPAK i ka patur të gjitha mundësitë për të kërkuar aksesimin e informacionit të klasifikuar, qoftë dhe me dyer të mbyllura.
Prokurori Braho konstatoi se prokuroria ka ttë tjera kompetenca në hetimin penal, nga ato në trajtimin e ankimeve në Kolegj.
Në përfundim, Kolegji i kërkoi Brahos që të vijë në seancën e radhës me një kërkim të vetëm dhe jo alternativ. Trupi gjykues ftoi drejtuesin e SPAK, që nëse e vlerësonte të nevojshme të konsultohej në ambientet e KPA me informacionin e klasifikuar.
Seanca për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare u shty për më datë 13 tetor, në orën 10:00.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK i verifikoi gjatë hetimit administrativ informacionet e klasifikuara lidhur me prokurorin Elidon Hysenaj dhe nuk gjeti probleme penalizuese, duke e konfirmuar këtë subjekt rivlerësimi më 9 tetor të vitit 2023. Kjo vendimmarrje u ankimua nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, i cili kërkoi që të verifikohen të dhënat e klasifikuara e të trajtohen lidhur me dakordësimin e subjektit për kërkimet e të hetuarve për lehtësimin e masave të sigurimit ndaj tyre.







