
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda, u kërkoi deputetëve të Kuvendit të enjten që të votonin projektligjin e ri për “Barazinë Gjinore” gjatë raportimit vjetor për punën e institucionit të tij.
Duke përmbyllur raportimin për situatën e diskriminimit në vend, Gajda adresoi qëndrimin e tij për një temë që ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik në lidhje me përdorimin e termit “gjini” në projektligjin për “Barazinë Gjinore” që pret të shqyrtohet nga Kuvendi.
Ai tha se ka pasur një fushatë keqinformimi dhe dezinformimi që ka krijuar pakuptueshmëri dhe konfuzion në publik lidhur me këtë nismë ligjore.
“Koncepti ‘gjini’ parashikon të përfshijë edhe persona që nuk e gjejnë veten strikt në dy gjini”, – tha ai, duke shtuar se kjo gjë “rregullon rastet përjashtimore në mënyrë që të gëzojnë të drejta të barabarta”.
Sipas tij, ligji nuk krijon një gjini të re, por u jep mundësi personave që nuk gjejnë veten në mënyrë strikte të ndarjes gjinore burrë dhe grua që të kenë të drejta.
“Ky projektligj në funksion të parimit të barazisë krijon kushtet për rregullimin e mëtejshëm të rasteve përjashtimore që të gëzojnë të drejta të barabarta”, – theksoi Gajda.
Sipas Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, këto të drejta vijnë si detyrime nga anëtarësia në konventa dhe këshillat ndërkombëtare për vendin tonë dhe janë në përputhje me parimet e legjislacionit të BE-së.
“Një legjislacion që nuk njeh dhe nuk lejon minimalisht identitetin gjinor të personave dhe të drejtën për ta shprehur dhe për ta ndërruar atë, si dhe mosnjohja e asnjë lloj forme me ligj e bashkëjetesës së personave të së njëjtës gjini është legjislacion diskriminues dhe në kundërshtim me standardet ndërkombëtare”, – iu drejtua ai deputetëve.
Sipas Komisionerit, Shqipëria ka dy zgjidhje: “Ose të përmbushë të drejtat e njeriut për të gjithë, ose të dalë nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehi, një kundërshtues i kësaj nisme, e kundërshtoi komisionerin nga vendi, pa mikrofon.
Në pjesën e raportimit që parashikonte pyetje-përgjigje, Shehi nuk u lejua nga Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, që të lexonte pyetjet e përgatitura për komisionerin.
Peleshi vendosi që pyetjet e dorëzuara paraprakisht me shkrim nga deputetët të lexoheshin nga vetë Komisioneri dhe jo nga deputetët, gjë që u kundërshtua me forcë nga opozita si mohim i së drejtës për të bërë pyetje dhe shkelje e praktikës parlamentare.
Kryetari i grupit Demokrat, Gazment Bardhi, kërkoi me ngulm që t’i jepej e drejta deputetit Shehi për të lexuar pyetjet e tij dhe për të arsyetuar publikun mbi pyetjet, por kërkesa nuk u pranua, duke çuar në ndërprerjen e seancës plenare.
Më pas, mazhoranca hodhi në votim pa debat rendin e ditës, mes tyre edhe rezolutën me rekomandime për Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi.







