
Policia e Shtetit njoftoi se ka identifikuar dhe goditur një grup të strukturuar kriminal që mashtronte qytetarët shqiptarë nëpërmjet faqeve të rreme të kamufluara nën emrin e Postës Shqiptare.
Sipas njoftimit zyrtar, Policia e Shtetit ka identifikuar një grup të huaj kriminal që mashtronte qytetarët shqiptarë përmes profileve të falsifikuara të Postës Shqiptare dhe ka arrestuar dy shtetas kinezë që ishin pjesë e kësaj skeme.
“Hetimet kanë treguar se këta shtetas kishin hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë më datë 27 tetor 2025 dhe kishin krijuar një faqe interneti identike me atë të Postës Shqiptare, me qëllim mashtrimin e qytetarëve dhe mbledhjen e të dhënave personale e bankare,” thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit.
Policia u sinjalizua pas denoncimeve të qytetarëve, të cilëve u dërgoheshin SMS mashtruese që i ftonin të klikonin në lidhje të dyshimta për të marrë gjoja pako postare.
Të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Ndërhyrja në të dhëna kompjuterike” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientin ku qëndronin, atyre iu gjetën dhe iu sekuestruan si prova materiale 17 telefona, një laptop, 12 pasaporta, 11 karta bankare, 7 karta identiteti, një patentë dhe një shumë parash në valuta të ndryshme.
Policia e Shtetit u bëri thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm ndaj tentativave të ngjashme dhe t’i raportojnë ato pranë institucionit të saj.







