
Policia e Shtetit njoftoi se ka arrestuar një shtetas dhe ka proceduar në gjendje të lirë dy të tjerë, të cilët krijonin profile të rreme në rrjete sociale në emër të Bankës Kombëtare Tregtare, për të mashtruar qytetarët.
“Shtetasi O.Gj kishte krijuar profil të rremë në rrjete sociale duke përdorur emrin dhe logon e Bankës Kombëtare Tregtare. Ai kontaktonte persona përmes platformave online, duke iu ofruar kredi të rreme në emër të bankës,” thuhet në njoftimin e policisë.
Policia raporton se qytetarët e kontaktuar, klientë të bankave të ndryshme, duke besuar se ishin kontaktuar realisht nga banka jepnin vetë kredencialet e tyre të aksesit bankar. Më pas, autori i përdorte këto të dhëna për të hyrë në llogaritë e tyre dhe për të boshatisur fondet duke transferuar paratë.
“Në rastet kur llogaritë nuk kishin mjete monetare, autori i shtynte të depozitonin shuma nga 750 deri në 1500 Euro, me premtimet se do të përfitonin kredi deri në 15 mijë Euro,” vijon njoftimi i Policisë.
Lidhur me rastin, provat i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës me akuzat për veprat penale të “Falsifikimit kompjuterik”, “Mashtrimit Kompjuterik”, “Ndërhyrje kompjuterike” dhe “Keqpërdorimi I thirrjeve telefonike”.







