
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA, vendosi të mërkurën më 10 dhjetor lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Durrësit, Kujtim Bashaj. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relator Sokol Çomon dhe anëtare Albana Shtylla, Ina Rama e Natasha Mulaj, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të Bashajt ndaj vendimmarrjes së Komisionit. Vendimi i Kolegjit është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
Prokurori Kujtim Bashaj u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, më 18 tetor 2023, për probleme në kriterin e pasurisë. Ndërkohë, u konkludua se ai kishte arritur nivel të besueshëm në kontrollin e figurës dhe nivel kualifikues për profesionalizmin.
Kujtim Bashaj e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998 dhe punoi fillimisht si prokuror i Prokurorisë së Kurbinit. Në vitin 2007, ai u transferua në Prokurorinë e Shkodrës, ndërsa prej vitit 2012 e deri në shkarkimin nga detyra e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Durrësit.







