
Foto: Something Went Wrong / Instagram
Skena është shumëngjyrëshe: nën dritat vjollcë, grupi alternativ rok me anëtarë nga etni të ndryshme, Something Went Wrong, performon live në një pub të mbushur plot në Mitrovicën e Veriut. Këngëtarja kryesore tërheq vëmendjen me parukën e saj vjollcë, ndërsa publiku këndon bashkë me ta dhe kërcen në ritmin e muzikës.
Grupi vjen nga Mitrovica e Veriut, pjesa e qytetit me shumicë serbe. Ata u formuan në vitin 2023, pak kohë pas sulmit të armatosur ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë. Ajo periudhë ishte shumë e tensionuar dhe njerëzit druheshin se dhuna mund të përshkallëzohej.
“Na duhej një vend i sigurt”, thotë këngëtarja dhe autorja e këngëve, Ilda Krama. Pas sulmit, frika, stresi dhe pasiguria në veriun e Kosovës e bënë jetën të vështirë për të gjithë. Për anëtarët e grupit, angazhimi serioz me muzikën i ndihmoi të përballonin situatën. Vendi i tyre i sigurt u bë salla e provave në Mitrovica School of Rock, ku ata ishin njohur që në vitin 2016 si miq.
Grupi thekson se nuk dëshiron që prejardhja etnike ta përcaktojë muzikën e tyre. Ata frymëzohen nga artistë të ndryshëm si My Bloody Valentine, Billie Eilish, Lana Del Rey dhe Amy Winehouse. Këngët e tyre janë personale dhe reflektuese, dhe flasin për botën e brendshme dhe ndjenjat e të rinjve.
“E kuptojmë realitetin dhe kontekstin politik, por gjithmonë kemi dashur të vlerësohemi për muzikën dhe artin tonë, jo të shihemi përmes një historie politike”, shprehet Krama.
Në fillim, grupi luante këngë të artistëve të tjerë, por më pas filluan të krijonin muzikën e tyre. Sot, ata po bëhen gjithnjë e më të njohur jo vetëm në veriun e Kosovës, por edhe në rajon. Së shpejti do të nisin turneun e tyre të parë, për të promovuar EP-në e tyre të parë “Daleko” dhe këngën “Demoni”, të publikuara në shtator të vitit të kaluar.
Ia dalin mbanë vetë

Something Went Wrong tregojnë se suksesi artistik dhe kulturor në veri mund të arrihet me shumë pak mbështetje. Pa Mitrovica School of Rock, një OJQ që u mëson muzikë të rinjve nga të gjitha komunitetet, dhe pa hapësira si bari privat artistik Galerija Akvarius, Something Went Wrong nuk do të ekzistonin.
Mediat në veriun e Kosovës nuk kanë qenë mbështetëse, pasi parapëlqejnë të mbulojnë politikën më shumë sesa kulturën. “Edhe kur mbajmë koncerte në Soho Bar në veri të Mitrovicës, mediat lokale nuk e pasqyrojnë fare”, thotë Krama. “Kur ndodh diçka pozitive, si publikimi i një këngë të re apo një performancë live, shpesh kjo kalon pa u vënë re.”
Milijana Dundjerin, nga Galerija Akvarius, thotë se gjetja e mbështetjes për artin dhe kulturën në veri është një “tragjikomedi” – si “Don Kishoti që lufton me mullinjtë e erës”. Akvarius është qendra e vetme e hapur për art dhe kulturë në veriun e Kosovës dhe në thelb është një bar dhe klub privat. Qendra komunale e kulturës u mbyll rreth një vit e gjysmë më parë. Të ardhurat nga bari mbulojnë funksionimin e hapësirës.
Dundjerin thotë se “njerëzit janë donatorët e mi”. Akvarius bashkëpunon me organizata të tjera në mbarë Kosovën, përfshirë edhe organizata shqiptare në Mitrovicën e Jugut, si 7arte, për një seri të re aktivitetesh. Por Milijana thekson se këto bashkëpunime duhet të vijnë nga një hapësirë e natyrshme, e ndershme dhe profesionale, jo thjesht sepse një donator dëshiron që ato të ndodhin. Ajo shton gjithashtu se aktivitetet ndëretnike kanë jehonë të kufizuar në komunitet: “Vetëm rreth 10 për qind i kushtojnë vëmendje.”
Bashkëpunimi multietnik është punë e vështirë

Lulzim Hoti, drejtor ekzekutiv i 7arte, një organizatë arti me bazë në Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare, pajtohet me këtë: “Bashkëpunimi ndërmjet etnive është thelbësor për punën tonë në 7arte dhe ia vlen absolutisht, por është edhe kompleks dhe kërkon angazhim afatgjatë.”
Krama, e cila mbulon gjithashtu programet e artit dhe kulturës për OJQ-në CASA, thotë se shumë njerëz nuk duan të jenë pjesë e skemave “për të plotësuar kuti”. Njerëzit e shohin këtë si diçka ku organizatorët marrin para vetëm për ata që paraqiten.
Hoti ka disa ide për përmirësimin e situatës: “Ajo që do të ndryshoja është thellësia dhe balanca. Kjo do të thotë që bashkëpunëtorët ndëretnikë të përfshihen më herët në zhvillimin e ideve, jo vetëm në zbatim, dhe të sigurohet që ata të jenë të dukshëm në skenat kryesore, në role udhëheqëse dhe në narrativat publike, jo vetëm si përfshirje simbolike”, thotë ai.
Pirit Festival, një ngjarje muzikore e konceptuar dhe zhvilluar plotësisht në Mitrovicën e Veriut, nuk merr asnjë mbështetje ndërkombëtare apo nga OJQ-të, por megjithatë tërheq grupe nga rajoni, përfshirë nga Maqedonia e Veriut dhe Serbia. I bashkëthemeluar nga një prej anëtarëve të Something Went Wrong, festivali mbështetet vetëm në shitjen e biletave dhe ndihmën e bizneseve të vogla.
Krama thotë se Pirit pasqyron një problem më të gjerë: “Pavarësisht jetëgjatësisë, qëndrueshmërisë artistike dhe rëndësisë për skenën alternative lokale, festivali shpesh mbetet pa mbështetje institucionale pikërisht sepse nuk e vë në plan të parë narrativën e identitetit ashtu siç pritet.”
Ndërkohë, në Mitrovicën e Jugut, festivale si Green Festival dhe Mitrovica Jazz Festival janë kritikuar për faktin se rrallë u japin hapësirë grupeve të pakicave etnike. Hoti, organizata e të cilit e prodhon Green Festival-in, thotë se e kupton këtë perceptim, por këmbëngul: “Green Festival ka synuar gjithmonë të jetë gjithëpërfshirës, por ekosistemi kulturor lokal është i vogël dhe herë pas here tensionet politike ndikojnë edhe në gatishmërinë apo mundësinë e artistëve për të marrë pjesë në bashkëpunime të dukshme ndërkomunitare.”
“E pranojmë që kjo dukshmëri nuk është gjithmonë e mjaftueshme, sidomos në skenat kryesore, por kjo vjen për shkak se nuk mbështetemi siç duhet”, shton ai.
Në gusht të vitit 2025, ndodhi një përplasje e madhe në qendër të Mitrovicës së Veriut, kur Mitrovica Jazz Festival ngriti një skenë në shëtitore, në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend ku po mbahej një aktivitet tjetër i organizuar nga komuniteti.
Baret përreth shëtitores e mbuluan muzikën me zhurmë dhe turma ia ktheu shpinën muzikantëve. Situata u përshkallëzua në një incident ku policia tërhoqi zvarrë dy të rinj serbë, ndërsa turma u kthye kundër policisë, e cila më vonë i liroi pa akuza.
Krama tha se kjo është ajo që ndodh kur përpiqesh të imponosh integrimin dhe përfshirjen pa i përfshirë vetë komunitetet.
Ende nuk dihet se kur do të rihapet qendra kulturore në veri, por ndërkohë arti vazhdon. Akvarius mbajti panairin e tij vjetor të Krishtlindjes dhe Something Went Wrong do të publikojë këtë muaj këngën e tyre më të re, Let Me Shush. E gjithë muzika e tyre është e disponueshme në Spotify dhe shitet edhe në koncertet e tyre.
Margjinalizimi i kulturës pop në veriun e Kosovës lidhet me faktin se politika dominon jetën atje. Sipas Kramës, kjo është problematike: “Kur vlera kulturore matet kryesisht përmes prizmit politik ose etnik, nismat që fokusohen në muzikë, vazhdimësi artistike dhe ndërtim komuniteti shpesh lihen anash, edhe pse luajnë një rol kyç në mbajtjen gjallë të jetës kulturore të qytetit.”
Hoti beson se nevojitet më shumë investim në aktivitetet për të rinjtë për t’i mbajtur ata të angazhuar nga të gjitha komunitetet. “Për ta përmirësuar situatën, na duhen më shumë hapësira të qëndrueshme, financim afatgjatë, lidhje më të forta me arsimin dhe më shumë shkëmbime rajonale e ndërkombëtare,” thotë ai.
“Ndikimi në qytet është real; edhe nëse nuk mund të matet gjithmonë ekonomikisht, ai është më i dukshëm në aspektin shoqëror dhe komunitar.”







