
Gëzuar rendin e ri botëror, të sponsorizuar nga presidenti i SHBA-së Donald Trump!
Kjo nëse ajo që ka ndodhur që nga fillimi i vitit mund të klasifikohet si rend. Trump, i cili lulëzon në kaos, ka riorganizuar kuvertën dhe ka nisur një rishpërndarje të re të pushtetit që mund të përfundojë me shembjen e aleancave ekzistuese globale dhe dominimin e superfuqive, duke rrëmbyer gjithçka brenda sferave të tyre të interesit.
Në një skenar të tillë, rajoni ynë padyshim do të binte nën ambiciet perandorake të presidentit rus Vladimir Putin. Megjithatë, në (jo)rendin e ri botëror, udhëheqësit e Ballkanit nuk po zgjedhin më midis Perëndimit dhe Lindjes, por nëse janë në Ekipin Trump apo jo.
Pika fillestare e këtij klasifikimi global në kampe ishte Venezuela. Disa këmbëngulën në respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe dënuan ndërhyrjen në vend dhe rrëmbimin e presidentit, Nicolas Maduro. Të tjerë besojnë se drejtësia më në fund është vënë në vend, sepse venezuelasit janë çliruar nga një diktator që i kishte shtypur dhe varfëruar për vite me radhë.
Justifikimi formal për ndërhyrjen në Venezuelë thuhet se ishte droga që vinte nga ai vend në SHBA. Por në fund u bë e qartë se thelbi ishte nafta venezuelase, të cilën Amerika nuk mund ta merrte në asnjë mënyrë tjetër. Kosova ishte ndër të parat që iu bashkua Ekipit Trump. Presidentja Vjosa Osmani tha se “Trump qëndroi me popullin e Venezuelës dhe kundër narko-shtetit të Maduros”. Mbështetje erdhi gjithashtu nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Bosnja dhe Hercegovina bëri thirrje për ulje të tensioneve dhe përmbajtje.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cili foli në telefon me Maduro-n në gusht 2025, nuk e kundërshtoi hapur veprimin e Trump, por arriti në përfundimin se “më i forti shtyp”, pavarësisht nga e drejta ndërkombëtare. Kjo u konfirmua edhe nga aleati i tij ideologjik, Trump, në një intervistë me New York Times: ai nuk ka nevojë për të drejtën ndërkombëtare dhe atë e kufizojnë vetëm normat e tij personale morale.
Presidenti i SHBA-së nuk beson as në efektivitetin e institucioneve ndërkombëtare. Ai kritikon shpesh OKB-në dhe tani ka shkuar një hap më tej duke formuar një organizatë të quajtur Bordi i Paqes, të cilën disa e shohin si Kombet e Bashkuara paralele dhe të privatizuara.
Bordi i Paqes ka për qëllim të mbikëqyrë zbatimin e paqes në Gazë dhe më vonë të zgjerojë fushëveprimin e tij në vende të tjera. Trump është kreu i bordit dhe vendet që dëshirojnë të bëhen anëtarë të përhershëm duhet të paguajnë 1 miliard dollarë pas tre vitesh.
Bordi gjithashtu e ka ndarë botën. Shumë vende evropiane, aleatë tradicionalë të SHBA-së, u ftuan, por kanë refuzuar ose kanë mbetur të paangazhuara. Nga ana tjetër, Rusia dhe Kina morën ftesa, ndërsa Kanadaja u tërhoq pasi kryeministri i saj kritikoi ashpër Trump në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
Kosova e pranoi me kënaqësi ofertën dhe është i vetmi vend ballkanik, presidenti i të cilit nënshkroi kartën themeluese në margjinat e forumit të Davosit. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Kosova, si një nga nënshkruesit e parë, do të duhet përfundimisht të paguajë tarifën e anëtarësimit prej një miliard dollarësh – një çmim që sigurisht nuk mund ta përballojë. Edhe Shqipëria e pranoi ftesën, por kryeministri Edi Rama nuk mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit në Davos dhe në vend të kësaj priti Ivanka Trump, e cila thuhet se kishte udhëtuar në vendin ballkanik për shkak të investimit të bashkëshortit të saj Jared Kushner në ishullin shqiptar të Sazanit. Parlamenti i Shqipërisë më 22 janar vendosi që vendi duhet t’i bashkohet bordit.
Serbia dhe vendet e tjera në rajon nuk morën ftesa për në Bordin e Paqes. Meqenëse kriteret për anëtarësim në këtë organizatë janë të paqarta, është gjithashtu e paqartë nëse është mirë apo keq nëse lihesh jashtë klubit.
Lista e zezë e emigrantëve
Mungesa e Serbisë nga një listë tjetër që doli nga Uashingtoni ishte, megjithatë, një arsye për festim. Departamenti i Shtetit vendosi se që nga 21 janari do të pezullonte përpunimin e aplikimeve për viza emigrantësh nga 75 vende. Të gjitha shtetet e Ballkanit janë në atë listë – përveç Serbisë. Disa zyrtarë në Beograd e paraqitën këtë pa baza si një sukses shtetëror, ndërsa në Shqipëri qeveria dhe opozita debatuan se kush ishte fajtor për futjen e vendit në listën e zezë.
Por asnjë nga këto nuk ka të bëjë fare me veprimet ose mosveprimet e qeverive të Ballkanit. Departamenti i Shtetit përmendi si arsye zyrtare numrin e përfituesve të ndihmës sociale në SHBA që vijnë nga ato vende, duke pretenduar se ata përbëjnë një barrë për taksapaguesit amerikanë.
E vërteta është se ne nuk e dimë se sa përfitues të ndihmës sociale ka në të vërtetë në SHBA, ose nga cilat vende vijnë ata, sepse Departamenti i Shtetit nuk i ka publikuar të dhënat. Është gjithashtu e paqartë se cilat programe ndihme sociale po përdoren. Shumica e emigrantëve, përfshirë mbajtësit e kartës së gjelbër, azilkërkuesit dhe madje edhe emigrantët e paautorizuar, nuk janë të kualifikuar për programe federale të ndihmës sociale si Medicare, kupona ushqimore ose përfitime për fëmijët.
Shtetet ose autoritetet lokale amerikane mund t’u ofrojnë ndihmë sociale emigrantëve nga buxhetet e tyre, gjë që ndryshon nga shteti në shtet, por nuk ka të dhëna të unifikuara mbi numrin e përfituesve. Në fund të fundit, kur merret parasysh gjithçka, tingëllon disi jorealiste që emigrantët të vijnë në zemër të kapitalizmit për të jetuar me ndihmë sociale.
Nuk duhet harruar se një politikë armiqësore ndaj të huajve, pavarësisht nëse janë në SHBA ligjërisht apo ilegalisht, është një nga shtyllat e politikës së Trump. Në këtë sfond, shpesh vuajnë edhe ata që nuk kanë bërë asgjë të gabuar.
Sanksionet ndaj naftës dhe taksitë fluturuese
Një tjetër shtyllë e politikës së Trump është dominimi energjitik dhe nxjerrja nga tregjet e Rusisë dhe Kinës. Në Serbi, situata ka ngecur me kompaninë e naftës NIS, e cila është goditur nga sanksionet e SHBA-së kundër Rusisë. Autoritetet në Beograd kanë refuzuar për muaj të tërë të zbatojnë skenarin e preferuar në Uashington – shtetëzimin e NIS.
Një marrëveshje që kompania hungareze MOL të blejë pjesën ruse në NIS po pret miratimin e Zyrës së Kontrollit të Aseteve të Huaja të Thesarit të SHBA-së. Vuçiç thotë se pret që hungarezët dhe rusët ta finalizojnë kontratën deri në mes të marsit. Ka spekulime se situata me NIS-in është një nga arsyet pse Beogradi dhe Uashingtoni nuk kanë nisur një dialog strategjik që ishte planifikuar të fillonte deri në fund të vitit të kaluar.
Vuçiçtha nga Davosi se shpreson që “dy kushte formale të SHBA-së së shpejti të përmbushen dhe dialogu strategjik të mund të fillojë”. Nëse ky është një mesazh i koduar që NIS-i do të zgjidhet sipas kënaqësisë së Uashingtonit, kjo mbetet ende për t’u parë.
Në Bosnje dhe Hercegovinë, përfaqësuesit amerikanë po punojnë aktivisht për realizimin e projektit Southern Interconnection, një tubacion gazi që do të lidhë Bosnjën me Kroacinë dhe do të mundësojë furnizimin me LNG amerikan. Me fjalë të tjera, duke ulur varësinë e Bosnjës nga gazi rus.
Ngarkuari i punëve të SHBA-së në Sarajevë, John Ginkel, ka takuar aktorë nga i gjithë spektri politik, dhe për momentin duket se nuk ka kundërshtime ndaj projektit. Duket sikur gjithçka ka lëvizur më qetë që kur u hoqën sanksionet amerikane ndaj ish-presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik.
Një detaj interesant është se projekti Southern Interconnection lidhet indirekt me presidentin amerikan. Përfaqësues të kompanisë amerikane AAFS Infrastructure and Energy LLC vizituan së fundmi Sarajevën për të diskutuar se si kapitali amerikan mund të ndihmojë në zhvillimin e projektit. Drejtori i kompanisë është Joseph Flynn, vëllai i ish-këshilltarit të sigurisë kombëtare të Trump, Michael Flynn – i cili e mbrojti Dodikun në postime në X, edhe pse nuk është regjistruar nën FARA për të bërë lobim për të. Zv/drejtori është Jesse Binnall, avokati që përfaqësoi Trump në paditë mbi vjedhjen e supozuar të zgjedhjeve të 2020-ës.
Binnall i tha për The Guardian se AAFS Infrastructure and Energy LLC nuk mori 200 milionë dollarë në Bosnje dhe se ata kishin shkuar atje vetëm për të diskutuar mundësi investimi.
Vizita e tyre ndodhi disa ditë pasi Dodik organizoi një festim për Ditën e Republikës Srpska në Banja Luka. Shënimi i 9 janarit nga serbët e Bosnjës – një festë që është shpallur antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës – më parë shërbente si rast që Departamenti i Shtetit t’u rikujtonte autoriteteve serbe të Bosnjës për detyrimin e tyre për të respektuar Marrëveshjen e Dejtonit të 1995-ës.
Tani, në epokën e Trump, nuk ka mesazhe të tilla, as tema të vështira dhe mysafirë amerikanë morën pjesë në festime, përfshirë ish-guvernatorin e Ilinoisit, Rod Blagojevich, të cilin Trump e fali, dhe kompania e të cilit lobon për Dodikun. Edhe pse Dodik pagoi lobistë për t’u larguar nga lista e zezë e SHBA-së, mund të rezultojë e kundërta – se heqja e sanksioneve ishte, në fakt, një investim i mirë për administratën aktuale amerikane.
Duke folur për investimet amerikane, Serbia nënshkroi një Marrëveshje Partneriteti në Forumit Ekonomik të Davosit me Archer Aviation, një kompani që prodhon taksi fluturuese elektrike, pjesë e një industrie amerikane, zhvillimin e të cilës Trump e ka mbështetur me një urdhër ekzekutiv. Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Zvicër, Archer u zgjodh si partneri kryesor i taksive gjatë eventit Expo 2027 në Beograd; Serbia do të ekspozojë taksitë fluturuese të kompanisë dhe mund t’i porosisë gjithashtu.
Presidenti serb kishte njoftuar më parë se makinat fluturuese do të vinin në Serbi nga Kina para Expo 2027. Ndoshta kjo kthesë gjithashtu është një fitore tjetër për Trump në këtë arenë të vogël ballkanike, në betejën kundër konkurrentëve të tij të mëdhenj ndërkombëtarë.
Jovana Djurovic është gazetare me bazë në Uashington.
Opinionet e shprehura janë të autores dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.







