
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të martën më 27 janar me parashtrimet në çështjen e vetingut të prokurorit të Tiranës, Petrit Vukaj. Prokurori, Adnan Xholi, i cili përfaqëson drejtuesin e SPAK, Klodian Braho në këtë çështje, deklaroi se u qëndronin shkaqeve të ankimit për gjetjet në të tre kriteret e rivlerësimit, pasurisë, figurës dhe profesionalizmit dhe kërkoi shkarkimin e Vukajt. Megjithatë, ai tha se në konkluzionet përfundimtare që do të paraqiten në seancën pasardhëse, do të mbahen në konsideratë edhe shpjegimet dhe provat e dorëzuara nga subjekti. Shkaqet e ngritura u kundërshtuan si të pabazuara nga përfaqësuesja ligjore e prokurorit Vukaj, avokatja Romina Zano, që kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit.
Prokurori Petrit Vukaj u konfirmua në detyrë më 14 qershor nga Komisioni i Pavarur të Kualifikimit, KPK me shumicë votash. Por, vendimi u ankimua në Kolegj nga Komisioneri Publik i ka kundërshtuar përfundimet e arritura nga KPK dhe i kërkon Kolegjit të rishqyrtojë rastin duke arsyetuar se Vukaj gjendej me probleme, pasi ka bërë deklarim të pamjaftueshëm dhe kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia.
Gjatë kohës kur u krye vetingu në KPK dhe ankimi prej Komisionerit Publik, Vukaj e ushtronte funksionin në Fier, ndërsa së fundmi është transferuar në Tiranë.
Pasuria
Xholi konstatoi se prokurori Vukaj nuk ka deklaruar në deklaratën veting vlerën e investimit të kryer për ndërtimin e katit të parë të një banese në Fier. Po ashtu, sipas drejtuesit të SPAK, subjekti nuk ka deklaruar në vitin 2003, as vlerën e investimit të kryer më parë për katin përdhe.
Ndërsa vlera e pretenduar prej subjektit, u cilësua disa herë më e ulët nga ajo e përllogaritur bazuar në referencat e Entit Kombëtar të Banesave.
Prokurori Xholi deklaroi se Vukaj ka bërë deklarim të pasaktë lidhur me vlerën e shpenzuar për ndërtimin e katit të parë.
Për të konkluduar për kohën e kryerjes së punimeve, drejtuesi i SPAK i është referuar një akti kolaudimi, prej nga vlerëson se kati i parë ka përfunduar së paku në shkurt të vitit 2009 dhe për rrjedhojë analiza është përqëndruar në vitin 2008, kur kanë filluar punimet. Sipas Xholit, pretendimi i subjektit se punimet janë kryer në vitet 2008-2009-2010, bien ë kundërshtim me aktin e kolaudimit.
Tjetër rrethanë që evidentoi Xholi, ishte dhe fakti se ndërtimi ishte kryer pa leje dhe duhej të vlerësohej në drejtim të etikës.
Avokatja Zano paraqiti historikun e krijimit të kësaj pasurie, duke vërejtur se trualli ishte përfituar nga familja Vukaj në vitin 1991, si familje e re në nevojë për strehim. Sipas saj, punimet për ndërtimin e katit përdhe janë kryer në mënyrë të fragmentuar gjatë viteve 1992-1994, për shkak të pamundësisë financiare për përfundimin e menjëhershëm të objektit. Avokatja tha se ndërtimi është kryer me ndihmën e të afërmve dhe me punë vullnetare.
Në vijim, Zano parashtroi se faza e dytë e zhvillimit të kësaj pasurie ka filluar në vitin 2008, duke kryer punimet për shtesën e katit të parë, mbi atë përdhe. Ajo nënvizoi se prokurori Vukaj ka deklaruar në vitin 2008 investimin për katin e parë prej 285 mijë lekësh, në vitin 2009 vijimin e investimeve me vlerë 300 mijë lekë e një depo në shumën 25 mijë lekë, si dhe 74 mijë lekë të shpenzuara në 2010-ën.
Mbrojtësja e Vukajt sqaroi se në shkurt 2009 është lëshuar akti i kolaudimit dhe leja e shfrytëzimit, duke konfirmuar se objekti ishte gati për përdorim, ndërsa procesi i legalizimit kishte filluar në tetor të 2006-ës dhe është finalizuar në maj të vitit 2010, kur dhe u regjistrua kjo pasuri. Në vitin 2011, Vukaj ka kryer rivlerësimin e pasurisë në vlerën rreth 17 milionë lekë, gjë që e ka pasqyruar në deklaratën veting.
Sipas Zanos, megjithëse subjekti pranon se në deklaratën veting nuk ka specifikuar vlerën totale të shpenzuar për ndërtimin e shtëpisë, kjo ka qenë pasojë e një keqkuptimi teknik mbi mënyrën e plotësimit të formularit, pasi dhe ndërtimi ka qenë informal dhe nuk dispononte dokumentacion provues mbi vlerat e investuara. Ajo argumentoi se nuk ka pasur qëllim për të mosdeklaruar, përsa kohë investimet e kryera ishin shënuar në deklaratat periodike, në kohën reale kur ishin realizuar.
Për vlerën e investimit të konstatuar nga Komisioneri Publik lidhur me ndërtimin e katit përdhe, Zano solli në vëmendje se ai investim ishte kryer në kushte të veçanta të periudhës së tranzicionit, si dhe me ndihmën e të afërmve.
Duke iu referuar një akti ekspertimi të kryer me kërkesë të subjektit, Zano konstatoi se vlera reale e ndërtimit për katin përdhe shkon rreth 174 mijë lekë dhe jo 600 mijë lekë, sa është konstatuar nga aplikimi i standardeve të periudhave të mëvonshme.
Në vijim, Zano kundërshtoi edhe vlerën sipas referencave të EKB-së, duke sjellë në vëmendje se kati i parë nuk ka themele, por është një shtesë mbi katin përdhe, që ul kostot me 44.1 %. Zano konstatoi se çatia është me tjegulla dhe konstruksion kapriata, si dhe ka një sipërfaqe të konsiderueshme verandë, ç’ka sipas saj, e zvogëlon koston. Sipas avokates, eksperti ka arritur në konkluzionin se kostot për katin e parë shkojnë në rreth 985 mijë lekë dhe jo 2.6 milionë lekë sa pretendon Komisioneri Publik.
Po ashtu, Zano kundërshtoi edhe shkaqet lidhur me kohën e ndërtimit. Sipas saj, është e dokumentuar me shkresë të ASHK-së Fier, se objekti ka qenë tërësisht i përfunduar në mars të vitit 2010 dhe jo në 2008-ën, ashtu si pretendohet në ankim. Tjetër rrethanë që u konstatua, ishin dhe deklarimet e subjektit për investimet në vitet 2008, 2009 dhe 2010.
Sipas avokates Zano, nuk qëndron as shkaku lidhur me ndërtimin pa leje. Ajo konstatoi se ky pretendim bie në në kundërshtim të qartë me parimet themelore të sigurisë juridike dhe të ndalimit të veprimit prapavaprues të ligjit penal. Ajo argumentoi se ndërtimi pa leje ishte përcaktuar si vepër penale kur punimet ndërtimore ishin në fazën përfundimtare dhe se aplikimi i kësaj norme për veprime të kryera para hyrjes në fuqi, do të përbënte shkelje të parimit kushtetues.
Tjetër rrethanë që solli në vëmendje Zano, ishte dhe një leje ndërtimi e vitit 1994 për një banesë dykatëshe, prej nga rezulton se ndërtimi i katit të parë, ishte në përputhje me lejen ekzistuese. Sipas avokates, leja nuk ka të përcaktuar ndonjë afat vlefshmërie dhe nuk është shfuqizuar.
Subjekti pretendon se nga analiza e këtij investimi mbetet një bilanc negativ në shumën prej 362 mijë lekësh, që nuk mund të sjellë penalizim.
Xholi konstatoi pamundësi të prokurorit Vukaj edhe për blerjen e një automjeti në vitin 2009, ku si burim krijimi janë deklaruar edhe të ardhurat nga shitja e një mjeti tjetër, në vlerë më të lartë nga sa ishte blerë në 2005-ën. Prokurori Xholi argumentoi se shitja më shtrenjtë e mjetit, pasi ishte amortizuar, është jashtë logjikës ekonomike. Po ashtu, vlerësohet se transaksioni për shitjen e mjetit më shtrenjtë nga çmimi i blerjes është veprim fiktiv apo i simuluar, që e vendos subjektin në kushtet e cënimit të besimit të publikut. Sipas Xholit, edhe në këtë rast Vukaj ka kryer deklarim të pasaktë dhe gjendet në pamundësi financiare.
Në përfundim të parashtrimeve për pasurinë, prokurori Xholi deklaroi se pamundësia totale e konstatuar nuk lejon aplikimin e parimit të objektivitetit dhe proporcionalitetit.
Avokatja Zano, parashtroi se pretendimet e Komisionerit për automjetin nuk janë të bazuara, pasi është deklaruar çdo rrethanë, që nga blerja e makinës në vitin 2005 në shumën 250 mijë lekë e deri tek shitja 1 milion lekë. Po ashtu, është pasqyruar edhe në deklaratën veting se, shuma e përfituar ishte përdorur për blerjen e mjetit tjetër në vitin 2009.
Sipas Zanos, mjeti kur është blerë në vitin 2005 ka qenë me motor të djegur dhe sandokart të çarë, rpandaj është përfituar me çmimin 250 mijë lekë. Më vonë është pajisur me pjesët që i kishte të dëmtuara, si dhe janë kryer shërbime periodike për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e gjendjes, ç’ka ka sjellë edhe rritjen e vlerës. Po ashtu, Zano tha se mjeti nuk është përdorur për udhëtime të gjata, duke ruajtur gjendjen e tij të mirë.
Mbrojtja e Vukajt argumentoi se pretendimi për shitje fiktive mbështetet vetëm në mungesën e dokumentacionit për investime, por se kjo nuk mund të përjashtojë vlefshmërinë faktike dhe ligjore të kontratës noteriale për shitjen e mjetit.
Duke iu referuar praktikës së KPA-së, Zano vërejti se deri në vitin 2012, nuk ka pasur detyrim ligjor të magjistratëve për të deklaruar shpenzimet mbi pasuritë e luajtshme.
Sipas Zanos, duhet konsideruar se në atë periudhë ka pasur rënie të vlerës së lekut, rritje të çmimeve në tregun e automjeteve të përdorura, si dhe gjendja e përmirësuar e investimet në makinë, që e kanë rritur çmimin.
Subjekti kërkoi që të pranohet në analizën për blerjen e automjetit në vitin 2009, vlera 1 milion lekë e përfituar nga shitja e makinës së mëparshme.
Figura dhe profesionalizmi
Prokurori Xholi konstatoi se Vukaj ka përdorur në vitin 2014 një automjet në pronësi të një personi të dënuar në Itali në vitin 2002 për krim të organizuar dhe shfrytëzim prostitucioni. Sipas Xholit, arrestimi i këtij personi në vitin 2021 është njoftuar në media dhe është proceduar nga Prokuroria e Fierit, ku Vukaj ushtronte detyrën.
Vukaj, ka pretenduar se nuk ka pasur njohje me këtë person, pasi makinën ja ka kërkuar një miku të tij, por ai nuk kishte pasur në atë moment dhe i ka sugjeruar të merrte makinën e një personi tjetër. Subjekti ka këmbëngulur se nuk e ka njohur personin tjetër, por si Komisioneri, ashtu edhe Xholi vlerësojnë se pretendimi i Vukajt nuk është i besueshëm dhe nuk mbështetet në gjendjen e akteve të dosjen e hetimit administrativ.
Zano parashtroi njësoj, se Vukaj e kishte rastisur për herë të parë këtë person në vitin 2014 dhe jo në kuadër të ndonjë marrëdhënie personale apo shoqërore, por si njohje rrethanore përmes mikut të tij, O.M.. Subjekti këmbëngul se nuk ka pasur asnjë njohje të mëparshme me këtë person dhe se mjetin e tij e ka përdorur vetëm një herë. Po ashtu, Zano tha se Vukaj nuk ka pasur asnjë dijeni për ndonjë rekord penal të këtij personi.
Po ashtu, u soll në vëmendje se në vitin 2017, kur subjekti ka plotësuar deklaratën veting, ndaj atij shtetasi nuk ka pasur ansjë procedim penal të regjistruar në Shqipëri, e për rrjedhojë nuk mund të penalizohet për mosdijeninë e tij për diçka që u bë publike disa vite më vonë. Sipas Zanos, nuk rezulton që të ketë ndonjë provë për vijim e komunikimeve me këtë shtetas, qoftë dhe telefonike. Ajo i kërkoi Kolegjit që ta rrëzojë këtë shkak si të pabazuar.
Në aspektin profesional, janë ngritur shkaqe për shfaqje të mangësive në aspektin e njohurive ligjore, si dhe se nuk janë kryer hetimet e duhura në disa çështje.
Subjekti i konsideroi të pabazuara shkaqet për profesionalizimin, sin ë aspektin ligjor, ashtu dhe lidhur me analizën faktike të çështjeve të trajtuara në ankim. Sipas Zanos, legjislacioni për rivlerësimin e magjistratëve përcakton se problematike janë mangësitë serioze, të dukshme dhe të përsëritura, që cënojnë thelbësisht ushtrimin e funksionit si prokuror dhe jo me vlerësime të rezultateve procedural apo me dallime interpretimi ndërmjet organeve të ndryshme të drejtësisë.
Zano vërejti se hetimet e subjektit për këto çështje kanë qenë reale, aktive dhe të bazuara në prova.
Në përfundim, si prokurori Xholi, edhe Kolegji vlerësuan se dy denoncime të mbërritura së fundmi nuk përmbanin të dhëna për vijimin e hetimit të tyre.
KPA administroi të gjitha provat e dorëzuara nga prokurori Vukaj dhe vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor. Seanca e radhës kur do të paraqiten konkluzionet përfundimtare u shty për më datë 3 shkurt, në orën 12:00.







