
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të hënën më 2 shkurt pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, SPAK për kalimin në gjykim të çështjes penale në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi dhe ndaj zëvendësit të tij, Abedin Kërrnaja, të akuzuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Vendimi u mor nga gjyqtarja Irena Gjoka.
SPAK e akuzon Byberin se, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tropojë, ka kryer veprime dhe mosveprime në mospërmbushje të rregullt të detyrës, gjatë procesit për hapjen e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak.
Prokuroria vlerëson se hapja e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak është bërë në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi duke sjellë një dëm prej 277 milionë lekësh. Sipas prokurorisë, kjo ka ardhur si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të kryera në bashkëpunim nga Byberi dhe Kërrnaja.
SPAK vëren se, për kryerjen e punimeve, duhej që kompania e interesuar të aplikonte në sistemin elektronik e-leje pranë Bashkisë Tropojë, si institucioni vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës. Gjithashtu, SPAK shprehet se Bashkia Tropojë duhej të bashkëvepronte me institucionet e tjera kompetente për ndërtimin e rrugës si: Agjencia Kombëtare e Mjedisit për hartimin e raportit të vlerësimit për ndikimin në mjedis dhe me Ministrinë e linjës për impaktin e ndërtimit të rrugës së re dhe pasojat e këtyre punimeve të ndërtimit.







