
Dy ditë para seancës gjyqësore lidhur me bllokimin e TikTok, që do të zhvillohej në Gjykatën Kushtetuese, Këshilli i Ministrave njoftoi heqjen e masave për ndalimin e këtij rrjeti social, një veprim që shihet si një manovër procedurale nga mbrojtësit e lirisë së medias.
“Data 5 shkurt ishte përcaktuar për seancën gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese lidhur me bllokimin e platformës TikTok në Shqipëri, por më 3 shkurt Këshilli i Ministrave njoftoi vendimin për heqjen e masave për ndalimin e TikTok”, shkruhet në njoftimin zyrtar të Asosacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH).
Dy organizata të shoqërisë civile në mbrojtje të lirisë së medias – mes tyre dhe BIRN Albania – depozituan në mars të vitit 2025 një padi në Gjykatën Kushtetuese lidhur me vendimin e Këshillit të Ministrave për mbylljen e platformës TikTok në Shqipëri.
Në muajin dhjetor 2025, Gjykata Kushtetuese njoftoi organizatat e medias se, me kërkesë të qeverisë, kishte vendosur të shtynte në fillim të shkurtit seancën ku do të shqyrtohej në themel padia e tyre.
Tashmë, Këshilli i Ministrave, më 3 shkurt, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për pushimin e çështjes, me argumentin se ajo ka mbetur “pa objekt”.
Përfaqësuesit e AGSH-së shkruajnë se ky vendim nuk është publikuar ende në Fletoren Zyrtare dhe, për rrjedhojë, nuk ka hyrë në fuqi, çka do të thotë se efektet juridike të ndalimit mbeten ende aktive.
Asosacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh më tej shqetësimin e tij serioz lidhur me këto veprime.
“Këto veprime krijojnë dyshime të forta për manovra procedurale me qëllim shmangien e përballjes në Gjykatën Kushtetuese dhe, si pasojë, shmangien e përgjegjësisë institucionale për një vendimmarrje që ka prodhuar pasoja të drejtpërdrejta për lirinë e shprehjes dhe informimit”, përfundon deklarata e Asosacionit të Gazetarëve të Shqipërisë.







