
Tre persona, përfshirë dy fëmijë, vdiqën nga fruthi në Shtetet e Bashkuara në vitin 2025. Vdekjet e tyre ishin të parandalueshme. Vitin e kaluar u regjistruan 2,267 raste të konfirmuara fruthi – më shumë se 7-fishi i 285 rasteve në 2024, dhe shifra më e lartë në më shumë se 30 vjet. Të gjitha këto raste ishin gjithashtu të parandalueshme. Pra, pse nuk u parandaluan?
Për dy dekada, Robert F. Kennedy Jr., i konfirmuar si Sekretar i Departamentit Amerikan të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore në shkurtin e kaluar, ka promovuar teori të pabaza që lidhin vaksinat me autizmin. Ai ka pretenduar se vaksinat kanë “helmuar një gjeneratë të tërë fëmijësh amerikanë” dhe deklaratat e tij ndoshta kanë kontribuar në rënien e niveleve të vaksinimit në SHBA. Kjo ka çuar në një rritje të ndjeshme të rasteve të fruthit.
Që nga marrja e detyrës, Kennedy ka shkarkuar shkencëtarë me përvojë nga një komitet kyç këshillimor për vaksinat dhe i ka zëvendësuar ata me skeptikë. Ai gjithashtu ka tërhequr financimin për zhvillimin e vaksinave mRNA – metodë e zhvillimit të vaksinave të reja që mundësoi prodhimin e shpejtë të vaksinave shumë efektive kundër COVID-19, duke shpëtuar ndoshta disa milionë jetë. Kennedy sugjeroi përdorimin e vitaminës A si alternativë ndaj vaksinimit kundër fruthit, pas së cilës disa prindër në Teksas i dhanë fëmijëve doza kaq të larta sa ata shfaqën simptoma toksiciteti.
Largimi nga standardet e zakonshme të shkencës në shëndetin publik nuk është problem vetëm amerikan. Në Sllovaki, kryeministri Robert Fico emëroi Peter Kotlár, një kirurg ortoped dhe aktivist kundër vaksinave, për të hetuar reagimin e vendit ndaj pandemisë. Raporti i Kotlár në tetor 2024 e përshkruante COVID-19 si “një akt bioterrorizmi” i projektuar për të “testuar naivitetin e popullsisë globale për të ndjekur urdhra në mënyrë të pavetëdijshme”. Raporti gjithashtu pretendoi, pa prova, se vaksinat mRNA ndryshojnë ADN-në e njeriut dhe rekomandoi ndalimin e tyre.
Në një shoqëri të lirë, individët mund të shprehin opinionet e tyre të pabazuara mbi vaksinat, shkencëtarët e informuar mund t’i kundërshtojnë ato dhe zyrtarët e shëndetit publik duhet të shqyrtojnë provat dhe të veprojnë në përputhje me to. Në raste të rralla, mendimet që bien në kundërshtim me konsensusin shkencor mund të rezultojnë të sakta dhe të bëhen një ortodoksi e re.
Zyrtarët e shëndetit publik mbajnë role me përgjegjësi të veçantë, sepse formësojnë politika që ndikojnë te miliona njerëz. Vaksinat janë ndër ndërhyrjet mjekësore më të testuara në historinë e mjekësisë. Megjithatë, skeptikë të vaksinave si Kennedy kërkojnë gjithnjë më shumë studime, ndërkohë që pranojnë standarde shumë më të ulëta provash për pretendimet e tyre – histori personale, të dhëna të zgjedhura me qëllim dhe teori konspirative mbi kompani farmaceutike.
Kur mbulimi i vaksinimit bie nën pragje kritike, “imuniteti kolektiv” – mbrojtja që marrin popullatat e prekshme për shkak të niveleve të larta të vaksinimit në popullatën e përgjithshme – humbet dhe sëmundjet e parandalueshme rikthehen. Këtë e dimë nga precedentët historikë dhe nga shembuj bashkëkohorë si Rumania dhe tani Kanadaja, ku fruthi ishte konsideruar i zhdukur.
Nën komunizëm në Rumani, vaksinimi i fëmijëve ishte i detyrueshëm dhe fruthi u eliminua praktikisht. Rënia e diktaturës Ceaușescu solli liri të dëshiruara dhe anëtarësimi në BE përmirësoi standardet e jetesës, por një pasojë ishte se disa vaksina u bënë vullnetare. Deri në vitin 2023, niveli i vaksinimit kundër fruthit ra në 62%, nga 95% kur u prezantua vaksina, dhe në 2024 vendi regjistroi mbi 30,000 raste fruthi, përfshirë 23 vdekje.
Disa zyrtarë thonë se thjesht po respektojnë lirinë individuale. Por liria e të rriturve kompetentë për të bërë zgjedhjet e tyre nuk përfshin vendime që dëmtojnë të tjerët. Refuzimi i vaksinimit të fëmijëve bën pikërisht këtë. Fëmijët që shkojnë në kopsht apo shkollë duhet të vaksinohen, jo vetëm sepse kjo i mbron ata – dhe ata janë shumë të vegjël për të marrë vendime të pavarura – por edhe sepse refuzimi rrit rrezikun për fëmijë të tjerë që janë shumë të vegjël për t’u vaksinuar, individët me imunitet të kompromentuar që nuk mund të vaksinohen dhe komunitetin e gjerë kur imuniteti kolektiv shkatërrohet.
Kennedy e paraqet veten si një luftëtar kundër fuqisë së kompanive farmaceutike, duke treguar skandale të vërteta si promovimi i OxyContin nga Purdue Pharma. Por rastet e dokumentuara mirë të keqpërdorimit të korporatave nuk justifikojnë refuzimin e një kategorie të tërë ndërhyrjesh mjekësore të mbështetura nga prova shkencore për siguri dhe efektivitet, të siguruara nga studiues të pavarur, agjenci të shëndetit publik në mbarë botën dhe dekada të tëra të dhëna në nivel popullate. Sugjerimi se ky konsensus shkencor global është një konspiracion masiv është jashtëzakonisht i pabesueshëm.
Kur zyrtarët qeveritarë veprojnë mbi bindje të pabaza mbi rreziqet e vaksinave, njerëz vdesin – njësoj si fëmijët e pavaksinuar në Teksas që u prekën nga fruthi dhe humbën jetën. Ata që ushtrojnë pushtet mbi politikat shëndetësore mbajnë përgjegjësi për këto pasoja. Papërgjegjshmëria epistemike – këmbëngulja në bindjet e kundërshtuara nga porva të shumta kur shumë jetë varen nga veprimi i saktë – është një dështim themelor etik.
Sigurisht, kuptimi shkencor kurrë nuk është i përkryer apo përfundimtar. Pyetjet e vërteta mbi sigurinë e vaksinave meritojnë hetim serioz – kjo është arsyeja pse ekzistojnë sistemet e monitorimit të sigurisë së vaksinave dhe pse efektet e rralla anësore studiohen me kujdes. Por ekziston një hendek i madh midis hetimit me mirëbesim dhe rezistencës ideologjike ndaj provave dërrmuese.
Mosrespektimi i provave shkencore nga kundërshtarët e vaksinimit tani po prodhon pikërisht dëmet që ekspertët parashikuan: shpërthime sëmundjesh, vdekje të parandalueshme dhe shkatërrim të përparimit në shëndetin publik që u deshën dekada të arrihej. Kjo duhet të ndalet tani, para se pasojat të bëhen vërtet katastrofike.
Qeveritë duhet të emërojnë zyrtarë me ekspertizë shkencore përkatëse që respektojnë provat. Agjencitë e shëndetit publik duhet të veprojnë sipas konsensusit shkencor, jo sipas ideologjisë politike. Dhe kur zyrtarët demonstrojnë angazhim të vazhdueshëm ndaj pikëpamjeve të kundërshtuara nga provat, ata duhet të largohen nga pozicionet ku mund t’i përkthejnë këto pikëpamje në politika me pasoja vdekjeprurëse.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. When Misinformation Kills







