
Gjyqi trevjeçar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit i ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të parlamentit Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit Rexhep Selimi përfundoi të mërkurën në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Katër zyrtarët e lartë të kohës së luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, iu drejtuan gjykatës në fund të deklaratave përfundimtare të avokatëve të tyre. Njëri pas tjetrit, ata theksuan pafajësinë e tyre dhe se përfshirja e tyre në luftën e armatosur të shqiptarëve të Kosovës për liri në luftën e viteve 1998-1999 ishte e drejtë.
Thaçi tha se “ka vetëm një të vërtetë: akuzat nuk qëndrojnë. Unë jam plotësisht i pafajshëm”. Ai shtoi se “Unë shpreh dhimbjen dhe solidaritetin tim për të gjitha viktimat e luftës në Kosovë, pavarësisht nga prejardhja e tyre etnike”.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi akuzohen se kanë përgjegjësi individuale dhe komanduese për krimet e kryera kundër të burgosurve të mbajtur në qendrat e paraburgimit të UÇK-së në Kosovë dhe në Shqipërinë fqinje, dhe për zhvillimin e një fushate sistematike kundër “kundërshtarëve”, përfshirë 102 vrasje.
Prokuroria thotë se këta “kundërshtarë” ishin njerëz që UÇK-ja i konsideronte si “bashkëpunues ose njerëz që shoqëroheshin” me forcat, zyrtarët ose institucionet shtetërore jugosllave, përfshirë policinë serbe, dhe njerëz që nuk mbështetnin qëllimet dhe metodat e guerilëve ose Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, të cilën Thaçi e drejtoi nga marsi i vitit 1999, ndërsa ishte edhe komandant i përgjithshëm i UÇK-së.
Thaçi i tha gjykatës se, “në fillim të vitit 1998, isha student në Universitetin e Cyrihut. Nuk po bëja plane për të marrë kontrollin e Kosovës. I vetmi person që bënte plane, plane të tmerrshme, ishte (presidenti jugosllav) Sllobodan Millosheviçi.
“Nuk mund të rrija mënjanë ndërsa familja dhe populli im po përballeshin me shfarosjen. Bëra atë që secili prej jush do të kishte bërë nëse vendi juaj, populli juaj, do të përjetonte atë që përjetoi populli im”, tha ai, duke shpjeguar pse përfundimisht u kthye në Kosovë. Thaçi i tha gjykatës se nuk solli luftën në Kosovë, por iu bashkua një lëvizjeje çlirimtare.
Veseli tha se “gjykata duhet me çdo kusht të mbroj drejtësinë, të vërtetën dhe paanësinë. Kjo nuk është thjesht një detyrë ligjore, ështëv kontributi i saj i madh dhe trashëgimi që do të mbetet prej kësaj gjykate. Ky është edhe shkaku pse iu bashkova atyre mijëra grave e burrave që u rreshtuan në radhët e UÇK-së dhe lirisë së Kosovës”.
“Liria nuk mund të arrihet përmes padrejtësisë. As paqja nuk mund të ndërtohet mbi krimin. Një kauzë e drejtë nuk mund të mbrohet me mjete të padrejta”, tha Veseli, duke kujtuar se “unë dhe familja ime kemi jetuar nën persekutim të vazhdueshëm nga shteti serb” dhe ai nuk e kishte shkelur ligjin.
“Veprimet e mia kanë qenë humane dhe ligjore. Ndërgjegjja ime është e pastër. Historia ime është transparente”, tha ai, duke shtuar se “nuk është vërtetuar se kam kryer ndonjë veprim të paligjshëm nga ana ime”.
Në fjalën e tij të fundit para gjykatës, Selimi tha se shpresonte “që trupi gjykues të ketë pasur kohë të mjaftueshme për të kuptuar se lufta jonë ishte e drejtë dhe se pretendimet e prokurorisë nuk qëndrojnë”.
“Akuzat kundër nesh janë tërësisht të pabaza dhe të padrejta. Unë nuk jam këtu sot për të mbrojtur veten, sepse avokatët e mi dinë ta bëjnë këtë më mirë dhe e kanë bërë. Unë nuk jam këtu për t’ju shpjeguar drejtësinë, sepse ju e dini më mirë se kushdo. Jam këtu sot për t’ju kërkuar ta ushtroni atë – drejtësi.”
Selimi tha se “koha kur do të kthehem në Kosovë varet nga vendimi juaj. Por prokuroria duhet ta kishte kuptuar se sa herë që të kthehem, do të kthehem në një Kosovë të lirë, një Kosovë për të cilën jam krenar që u ngrita për të në kohën e duhur dhe për lirinë e së cilës kam qenë dhe jam gati të jap jetën time, sa herë që është e nevojshme.”
Krasniqi, i cili ishte i burgosur politik për rreth një dekadë nën regjimin jugosllav në vitet 1980, i tha gjykatës: “Jam në vitin e 16-të të burgimit vetëm sepse luftova për lirinë dhe pavarësinë e popullit tim”.
“Të kesh kaluar 16 nga 75 vitet e jetës në burg dhe të jesh i privuar nga ajri i lirisë nuk është gjë e vogël”, tha ai.
Në fjalimin e tij, Krasniqi deklaroi: “Padrejtësia e këtij rasti është shkruar në vetë aktakuzën.”
Ai vazhdoi: “Populli ynë nuk planifikoi kurrë shkatërrim apo torturë. Ne kërkuam jetë në liri dhe pavarësi. Asgjë më shumë. Asgjë më pak. Sot populli ynë jeton në liri.”
Deklarata e Krasniqit shënoi fundin e gjyqit. Gjyqtarët duhet të vendosin për një vendim brenda 90 ditësh.
Dhomat e Specializuara, të krijuara nën presionin e Perëndimit, janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Kosovës, por me seli në Hagë me një staf ndërkombëtar për të siguruar procedura të drejta, pas kanosjes së dëshmitarëve në rastet e mëparshme të lidhura me UÇK-në.
Shumë dëshmitarë të prokurorisë kanë dëshmuar pas dyerve të mbyllura për të mbrojtur identitetin e tyre për shkak të frikës nga hakmarrja, por kjo ka çuar në akuza për mungesë transparence. Pjesë të deklaratave përfundimtare që filluan më 9 shkurt u mbajtën gjithashtu në seancë private.
Shqiptarët etnikë e konsiderojnë gjykatën të njëanshme ndaj luftës së drejtë të shqiptarëve të Kosovës kundër shtypjes serbe. Veteranët dhe mbështetësit e UÇK-së kanë protestuar në mbështetje të katër të akuzuarve në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Hagë dhe Strasburg. Protesta e fundit pa mijëra shqiptarë etnikë të mblidheshin në sheshin kryesor në Prishtinë në ditën e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt.







