AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Donald Trump
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Opinion

Rebeli me një kauzë: Lufta për drejtësi e një ish të burgosuri nga Kosova

Dyzet e pesë vjet pas arrestimit të tij të parë në një protestë studentore, lufta e gjatë e ish të burgosurit politik Xun Çetta kundër pabarazisë hedh një dritë të ashpër mbi një klasë politike oportuniste të pasluftës në Kosovë, e cila e ka harruar jetën e tij të mbushur me përpjekje dhe sakrifica.

Shkëlzen GashingaShkëlzen Gashi
3 months më parë
në Opinion
Koha e leximit: 8 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
Xun Çetta duke vizituar njerëzit që u helmuan në Pejë në Kosovë në vitin 1990. Foto: Arkivi i Xun Çettës.

Xun Çettën e takova për herë të parë rreth 15 vjet më parë. Nga ajo bisedë, si dhe nga shumë të tjera më pas – që varionin nga kujtime personale deri te diskutime politike – krijova përshtypjen se ai nuk ishte si shumë të burgosur të tjerë politikë në Kosovë, sepse ai kurrë nuk reshti së sfiduari padrejtësinë.

Historia e tij është një përzierje rezistence, mosbindjeje morale, reflektimi kritik dhe një kërkimi të vazhdueshëm për drejtësi dhe pajtim, edhe në momente kur si shteti ashtu edhe shoqëria dështuan t’i ofronin ato.

Çetta lindi më 29 maj 1956 në fshatin Trubuhoc, në zonën e Istogut. Pasi kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak si marinar në Ushtrinë Popullore Jugosllave, ai u regjistrua për të studiuar në Departamentin e Edukimit Fizik në Universitetin e Prishtinës në vitin 1978. Pikërisht atëherë filloi aktivizmi i tij.

Më 11 mars 1981, pas një ndeshjeje futbolli midis FC Prishtina dhe Partizanit të Beogradit në Stadiumin e Prishtinës, qindra studentë të universitetit dolën në rrugë për të protestuar kundër racioneve të varfra ushqimore dhe kushteve të këqija të jetesës për studentët. Çetta ishte mes tyre.

Dy javë më vonë, më 26 mars 1981, Prishtina ishte e mbushur me spektatorë për ngjarjen “Stafeta e Rinisë”, e organizuar në nder të presidentit jugosllav Josip Broz Tito, e cila mbahej çdo vit për të promovuar ideologjinë e “vëllazërim-bashkimit”. Atë ditë, mijëra studentë dhe qytetarë protestuan përsëri, kësaj here me kërkesa të qarta politike. Çetta ishte një nga organizatorët e demonstratës.

Parullat përfshinin “Kosova Republikë” dhe “Ne jemi shqiptarë, jo jugosllavë” – mesazhe të konsideruaara të papranueshme nga autoritetet serbe, që e qeverisnin Kosovën si pjesë të federatës jugosllave. Policia ndërhyri me forcë dhe Serbia mobilizoi gjithashtu policinë përgjatë kufirit me Kosovën. Por, sipas kushtetutës së Kosovës, ajo nuk kishte të drejtë t’i dislokonte ata brenda Kosovës. Si pasojë, presidenca jugosllave dërgoi nga ajri një njësi speciale të Sekretariatit Federal për Punë të Brendshme në Kosovë.

“Kjo ndërhyrje brutale shkaktoi zemërim të gjerë te qytetarët shqiptarë dhe më 1 dhe 2 prill 1981, dhjetëra mijëra njerëz demonstruan pothuajse në të gjitha qytetet e Kosovës, duke u dhënë protestave një karakter vërtet popullor”, kujton Çetta, i cili ishte përsëri ndër pjesëmarrësit.

Dy policë dhe nëntë demonstrues u vranë, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën, përfshirë edhe Çettën, i cili u godit në këmbë nga dy plumba të qëlluar nga policë serbë.

“Pas demonstratave, mijëra pjesëmarrës u arrestuan; qindra u hetuan dhe u dënuan”, kujton Çetta. Në qershor ai u arrestua nga oficerë të Shërbimit të Sigurisë së Kosovës. Ai i kaloi gjashtë muajt e ardhshëm nën hetim, gjatë të cilëve përjetoi tortura të rënda fizike dhe psikologjike. “Shqiptarët më torturonin, ndërsa serbët vetëm shikonin”, thekson ai.

Në gusht të vitit 1981, së bashku me 20 studentë të tjerë, Çetta u dënua nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë me 13 vjet burg për “bashkim për veprimtari armiqësore dhe rrezikim kundërrevolucionar të rendit shoqëror të Jugosllavisë”, si dhe për shkelje të “vëllazërimit, unitetit dhe barazisë së kombeve dhe kombësive”.

Akuza e fundit duket paradoksale, pasi Çetta dhe pjesëmarrësit e tjerë në demonstratat e vitit 1981 thjesht kërkonin barazi me kombet dhe kombësitë e Jugosllavisë.

Çetta refuzoi të kishte një avokat mbrojtës, ndaj gjykata i caktoi një avokat serb, i cili, sipas Çettës, e mbrojti më mirë sesa disa avokatë shqiptarë që përfaqësonin të burgosur të tjerë shqiptarë. Ai thotë se i vjen keq që nuk pati kurrë mundësinë ta takonte përsëri për ta falënderuar.

Çetta kujton gjithashtu se si një oficer i Sigurimit të Shtetit i tha se kishte ndërhyrë që ai të transferohej në një burg në Slloveni, duke argumentuar se nëse do të dërgohej në një burg serb, nuk do të kishte mbijetuar. Kushtet në burgjet sllovene ishin dukshëm më të mira sesa në republikat e tjera jugosllave.

I burgosur se kundërshtoi mizorinë

Xun Çetta në burg në Nova Goricë, Slloveni, në vitin 1986, duke medituar. Foto: Arkivi Xun Çetta.

Çetta rrëfeu dy shembuj që ilustrojnë se si ai nuk mund ta toleronte padrejtësinë.

I pari daton nga koha e shërbimit të tij ushtarak midis viteve 1975 dhe 1977, kur ai u përball fizikisht me një ushtar malazez. “Konflikti lindi nga torturimi i një ushtari shqiptar”, thotë Çetta – një person me të cilin ai mbetet mik edhe sot e kësaj dite.

Çetta ndërhyri në mbrojtje të viktimës, i bindur se agresori ishte anëtar i KOS-it, shërbimit të kundërzbulimit të Ushtrisë Popullore Jugosllave, dhe për këtë arsye po vepronte pa u ndëshkuar. Për këtë incident, Çetta u dënua me 30 ditë burgim ushtarak.

Shembulli i dytë daton nga viti 1985, gjatë kohës së burgimit të tij. Çetta kujton se u përfshi në një tjetër incident serioz, kësaj here me një roje burgu që “torturonte të burgosurit shqiptarë dhe përndiqte ata që dëgjonin fshehurazi stacionet shqiptare, Radio Tiranën dhe Radio Kukësin”.

Pas përplasjes fizike me rojën, drejtori i Burgut të Lubjanës, ku ai po mbahej, i pranoi Çettës se kishte vepruar drejt dhe madje i kërkoi falje. Megjithatë, për shkak të procedurave disiplinore, ai u dënua me 30 ditë izolim.

Pasi kishte vuajtur gati nëntë vjet nga dënimi i tij, më 1 korrik 1989 – pothuajse pesë vjet para përfundimit të tij – Çetta u lirua nga burgu si rezultat i një vendimi të autoriteteve sllovene për të liruar të gjithë të burgosurit politikë. Ky vendim e bëri Slloveninë republikën e parë brenda federatës jugosllave që ndërmori një hap të tillë liberalizues – në prag të shpërbërjes së Jugosllavisë.

Çetta nuk e mori kurrë në konsideratë paditjen e Sllovenisë, pasi republika kishte qenë e detyruar të pranonte një numër të caktuar të burgosurish të shpërndarë nëpër ish-Jugosllavi. Ai gjithashtu thotë se “autoritetet e burgut u kërkuan falje të burgosurve nga Kosova që nuk mundën t’i trajtonin në mënyrë të barabartë dhe se ishin të detyruar nga ligjet jugosllave”.

Megjithatë, dy dekada më parë, Çetta e shqyrtoi mundësinë e paditjes së Serbisë dhe u konsultua me disa avokatë shqiptarë nga Kosova. Ideja e tij ishte që, së bashku me ish të burgosur të tjerë politikë, të identifikonte disa nga oficerët më brutalë të Sigurimit të Shtetit jugosllav dhe t’i padisnin si ata, ashtu edhe shtetin serb në gjykatat e Kosovës, dhe më pas ta çonin çështjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Por përpjekja dështoi sepse institucionet shtetërore të Kosovës nuk ofruan mbështetje, thotë Çetta, “dhe sepse pothuajse asnjë nga të burgosurit politikë nuk ishte i gatshëm të përfshihej në nismë, duke dyshuar në shanset e suksesit të saj”.

Rezistenca në ilegalitet në vitet 1990

Xun Çetta në burg në Nova Goricë, Slloveni në vitin 1986, duke protestuar për demokraci. Foto: Arkivi Xun Çetta.

Pas lirimit të tij në vitin 1989, Çetta ndërmori nisma për të krijuar një sistem shumëpartiak në Kosovë, të bazuar në modelin slloven, në bashkëpunim me shqiptarë në Slloveni dhe Kroaci, si dhe me aktivistë dhe intelektualë brenda Kosovës. Për shkak të këtij aktiviteti politik, ai u vendos nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga shërbimet e Sigurimit të Shtetit serb dhe jugosllav dhe u detyrua të arratisej në prill të vitit 1991.

Që atëherë, ai jeton në Lucernë të Zvicrës, ku ka vazhduar jetën si aktivist për çështjen e Kosovës. “Po jetoj në një shtet për të cilin nuk kam bërë asgjë dhe nuk kam dhënë asgjë, i paaftë të jetoj në vendin tim, të cilit i dhashë një jetë të tërë përpjekjesh dhe sakrificash”, reflekton ai.

Gjatë gjithë viteve 1990, ai hyri disa herë ilegalisht në Kosovë për të kontribuar në luftën çlirimtare shqiptare, si përmes veprimtarisë politike ashtu edhe përmes rezistencës fizike. Gjatë luftës në Kosovë, ai kontribuoi nga Shqipëria në armatosjen e luftëtarëve të rezistencës, pavarësisht se me cilin grup ishin të lidhur – UÇK-në (Ushtria Çlirimtare e Kosovës), FARK-un (Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës) apo LKÇK-në (Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës).

Përballja personalisht me torturuesit e tij

Xun Çetta në Mensën e Studentëve në Prishtinë, katër ditë para demonstratave të vitit 1981. Foto: Arkivi i Xun Çettës.

Pas përfundimit të luftës në vitin 1999, ai ndërmori një veprim të rrallë dhe të guximshëm: takime të drejtpërdrejta me njerëz që kishin marrë pjesë në arrestimin, torturimin, hetimin, gjykimin dhe dënimin e tij gjatë viteve 1980.

“Qëllimi i këtyre takimeve nuk ishte hakmarrja, por kërkimi i së vërtetës”, shpjegon ai. Ai donte t’i informonte personalisht se Kosova është e lirë dhe t’u tregonte atë që ai e dinte e ata jo, ndërsa njëkohësisht të dëgjonte atë që ata dinin e ai jo.

Ky ishte një proces i mirëfilltë i drejtësisë tranzicionale personale, i bazuar jo në ndëshkim, por në përballje dhe në hedhje drite mbi të kaluarën, si dhe në përcjelljen e mesazhit se shoqëria e Kosovës nuk duhet të ndërtohet mbi urrejtjen, por mbi të vërtetën dhe respektin për vuajtjen. “Pajtimi duhet të ndodhë fillimisht mes shqiptarëve, e më pas të pasohet nga diskutime për pajtimin shqiptaro-serb”, argumenton ai.

Çetta nuk zhvilloi asnjë takim pa informuar paraprakisht dhe më pas anëtarët e Shoqatës së të Burgosurve Politikë, si dhe miqtë dhe bashkëvuajtësit e tij.

Ai thotë se një proces i tillë duhej të ishte udhëhequr nga institucionet shtetërore. Megjithatë, siç shprehet ai, “në realitet, individë që mbanin poste në institucionet shtetërore të Kosovës u takuan me njerëz nga sistemi i mëparshëm jo për drejtësi, por për t’i përpunuar për nevojat e tyre dhe për t’i integruar në sistemin e tyre”.

Fundi i luftës nuk solli fundin e dhunës. Në gusht të vitit 2000, pothuajse dy dekada pasi ishte plagosur nga plumbat e policisë serbe në një demonstratë studentore në Prishtinë, Çetta u plagos rëndë në qytetin e Bajram Currit në Shqipëri, ndërsa po hynte në Kosovë.

Sipas Çettës, ai po prezantonte një projekt që synonte të garantonte që pushteti lokal në Kosovë të ushtrohej nga individë të ndershëm dhe profesionalisht kompetentë, pavarësisht orientimit politik. Ai pretendon se atentati ndaj tij ishte rezultat i bashkëpunimit mes strukturave shtetërore shqiptare dhe grupeve parapolitike në Kosovë që synonin të merrnin pushtetin pa legjitimitet popullor. “Në vitin 1981 u plagosa nga Serbia; në vitin 2000 u plagosa nga mafia”, thotë ai.

Historia e Çettës nuk është thjesht historia e një të burgosuri politik, por historia e një qëndrimi etik që sfidon si dhunën e sistemit shtypës, ashtu edhe oportunizmin e shoqërisë së pasluftës në Kosovë.

Ai nuk kërkoi hakmarrje, nuk u bë pjesë e narrativave të thjeshtuara të viktimës dhe as nuk e shfrytëzoi vuajtjen e tij për kapital politik. Përkundrazi, ai kërkoi të vërtetën, përballjen dhe përgjegjësinë morale, edhe kur këto kërkesa ishin të papërshtatshme për ata që ishin në pushtet dhe të pakëndshme për shoqërinë.

Rruga e tij – nga rezistenca studentore, plagosja, burgosja e gjatë politike, lirimi i hershëm, aktiviteti politik në mërgim, kontributi për çlirimin e Kosovës, deri te përballja me përfaqësues të sistemit represiv – dëshmon se drejtësia tranzicionale nuk është vetëm çështje institucionesh, por mbi të gjitha çështje ndërgjegjeje. Në mungesë të vullnetit shtetëror për të hedhur dritë mbi të kaluarën dhe për të ndarë qartë përgjegjësinë nga viktimizimi, ai zgjodhi ta bëjë këtë personalisht, hapur dhe publikisht.

Për këtë arsye, ai mbetet një lloj ndryshe i burgosuri politik – jo sepse vuajti më shumë apo më pak se të tjerët, por sepse refuzoi të ndërtonte identitetin e tij mbi urrejtjen dhe heshtjen.

Historia e tij vazhdon të na sfidojë edhe sot me një pyetje themelore: a duam një shoqëri të ndërtuar mbi harresën dhe kompromisin me padrejtësinë, apo mbi të vërtetën, përgjegjësinë dhe respektin për vuajtjen njerëzore?

Shkëlzen Gashi është një aktivist që ka shkruar shumë libra mbi historinë e fundit të Kosovës, përfshirë “Adem Demaçi: Biografi e paautorizuar” dhe “Masakrat në Kosovë 1998-199”.

Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.

Etiketa: JugosllaviaKosovaSerbiaSlloveniaXun Çetta
Tjetri
Hashim Thaçi del në gjykatë për akuzat për pengim të drejtësisë

Vendimi në gjyqin Thaçit do të përcaktojë trashëgiminë e Dhomave të Specializuara të Kosovës

Presione dhe intimidim: Çifti Veliaj dhe Bushka akuzohen për pengim të drejtësisë

SPAK kërkon dënimin me 400 mijë lekë gjobë për ish-deputeten Klotilda Bushka

16:01 | 03/06/2026
protesta 1

Letër e hapur për arkitektët e huaj: Flisni për atë që po ndodh në Nartë!

13:32 | 03/06/2026
Favorizoi ndërtimet jashtë lejeve, prokuroria kërkon gjykimin e ish-drejtoreshës së ASHK Tiranë

Titullarët dhe 10 punonjës të një dege të UBA Bank akuzohen se vodhën klientët

10:34 | 03/06/2026
foto 02 (1)

‘Autor i projektit’: Pse Rama po përpiqet të manipulojë revoltën për Zvërnecin?

07:08 | 03/06/2026
I akuzuari për kontrabandën e cigareve fiton lirinë me 1 milion euro garanci

Apeli heq apartamentin e Ergys Agasit nga sekuestroja

17:19 | 02/06/2026
hjzltqvxcaa0cwg

Grupimi i Partive Ambjentaliste Europiane kundër resortit të ‘Kushner’ në Zvërnec

16:52 | 02/06/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.