
Nëndrejtori i Policisë së Elbasanit, Krenar Guçe vazhdoi dëshminë e tij në procesin gjyqësor të çështjes së njohur si “Plumbi i Artë” të enjten, ndërsa mohoi të kishte pasur lidhje me Nuredin Dumanin apo me figura të tjera të krimit në Elbasan.
Në përgjigje të një pyetje mbi ndonjë kërcënim të mundshëm, Guçe shpjegoi se në vitin 2022 e kishte thirrur drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, i cili në prani të funksionarëve të tjerë të policisë, i kishte bërë me dije se persona të caktuar kanë pasur qëllime të këqija ndaj jetës dhe shëndetit të tij. Sipas Guçes, i është thënë se personave në fjalë u është gjetur në telefon një foto e tij dhe se kishte informacione se donin ta eleminonin. Ai shtoi se në atë kohë i është dhënë mbrojtje.
Lidhur me këtë rrethanë, Guçe u pyet lidhur me një foto të tij të gjetur në telefonin e Dumanit. Avokati Aldo Shkëmbi i të pandehurit Altin Ndoci e pyeti nëndrejtorin e policisë nëse i kishte dhënë ndonjëherë informacion Dumanit.
Gjykata solli në vëmendje se pyetja nuk kishte të bënte me të pandehurin që ai mbron, por Shkëmbi tha se qëllimi tij ishte të konstatojë se sa e vërtetë është dëshmia e Nuredin Dumanit.
Lidhur me Nuredin Dumanin, dëshmitari sqaroi se kishte kryer në atë kohë hetime pasi dyshohej për vrasjen e vëllait të Talo Çelës, Bujar Çelës. Guçe shpjegoi se kur kishte ndodhur vrasja e Bujar Çelës kishte hetuar mbi intenerarin e autorëve të dyshuar dhe ndër të tjera kishte këqyrur pamjet e kamerave të sigurisë në një pikë furnizimi me karburant. Sipas tij, një prej mjeteve të autorëve ishte furnizuar aty me karburant dhe kishte paguar me një kartmonedhë 50-euroshe, ku ishin gjetur gjurmë të Dumanit.
I pyetur në mënyrë të përsëritur nëse kishte dhënë informacione apo kishte pasur komunikime me figura të krimit të Elbasan, Guçe mohoi me vendosmëri. Ai tha gjithashtu se nuk kishte përdorur asnjëherë aplikacione të kriptuara dhe se kishte kryer detyrën me “ndershmëri dhe profesionalizëm”.
Nëndrejtori i Elbasanit u pyet gjithashtu për arsyet e sekuestrimit të regjistrimeve të kamerave të sigurisë në një hotel pranë aeroportit të Rinasit, ku shfaqej Hajdar Çopja alias Bako, një personazh i njohur i krimit në Elbasan.
Ashtu si në seancën parardhëse, Guçe deklaroi se në atë kohë ishte në pozicionin e oficerit të policisë gjyqësore dhe se eprorët i kishin kërkuar të verifikonte. Ai tha se nuk e nihte Hajdar Bakon, por kishte verifikuar në TIMS dy ditë para se të shkonte në Rinas. Sipas dëshmitarit, verifikimet ishin kryer në vijimësi të vrasjes së Andi Zylyfit.
Ndërkohë, sipas avokatëve, nga aktet në dosje rezulton se Guçe ka kryer kontroll për Bakon dy ditë pasi ka qenë në Rinas.
Prokurorët vërejtën disa herë se pyetjet që po i drejtoheshin Guçes nuk kishin lidhje me objektin e gjykimit, megjithatë gjykata pranoi që pyetjet të vijonin. Pasi Guçe përfundoi dëshmitë e tij lidhur me rrethanat për të cilat u pyet, avokatët kundërshtuan një pjesë të tyre, duke konstatuar se ishin të ndryshme nga ato të deklaruara para hetuesve gjatë hetimit të çështjes “Plumbi i artë”.







