
Policia e Shtetit njoftoi mbrëmjen e të hënës, më 27 prill, arrestimin në Brazil të 39-vjeçarit Ervin Mata, i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme për koordinimin e anëtarëve të një grupi të strukturuar kriminal, ku bënte pjesë edhe vetë, për trafikimin e 240 kg kokaine në shtator të vitit 2020.
Sipas Policisë, Mata fshihej në Brazil duke përdorur dokumente identifikimi angleze, të falsifikuara. Ai u kap në qytetin Ilha Bela, me qëllim ekstradimin në Shqipëri.
Grupi kriminal ku bënte pjesë Mata, me veprimtari në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe Evropë, u hetua në kuadër të një procedimi penal të SPAK, në vitin 2023, në bashkëpunim me EUROJUST, EUROPOL dhe agjencitë ligjzbatuese belge, franceze, holandeze, gjermane, braziliane dhe kolumbiane.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktoi atëherë masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj Matës për veprat penale “trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Gjithashtu, hetime janë kryer edhe në lidhje me disa ngjarje kriminale të mëparshme, të ndodhura në Shqipëri.
Ervin Mata dhe disa miq të tij u përfshinë në një konflikt të armatosur në tetor të vitit 2019 me grupin e Ervis Martinajt në lokalin “Monopol” në Tiranë, në zonën e ish-Bllokut. Si pasojë mbeti i vrarë një person dhe u plagosën dy të tjerë.
Atëherë, Gjykata e Tiranës dhe ajo e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm caktuan detyrim paraqitjeje për Matën për veprat penale “vrasje në rrethana të cilësuara, e mbetur në tentativë”, e kryer në bashkëpunim, dhe “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.







