
Prokuroria e Posaçme, SPAK paraqiti të mërkurën më 29 prill konkluzionet përfundimtare ndaj 12 anëtarëve të dyshuar të krimit të organizuar, të cilët akuzohen për sigurimin e kushteve për vrasje, mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake, si dhe goditjen dhe kanosjen e familjarit të një gjyqtareje.
Prokurori Alfred Shehu kërkoi dënimin me 15 vjet heqje lirie ndaj të pandehurve Astrit Avdyli dhe Emiljano Shullazi, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar përfitojnë uljen e 1/3-ës së dënimit, duke u kërkuar masa përfundimtare me 10 vjet burg. U kërkua dënimi me nga 10 vjet burg për të pandehurit Blerim Abazi, Besian Xhixha, Enver Diva, Robert Laçi, Viktor Imeraj e Satilno Basho dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar masa me 6 vjet e 8 muaj për secilin. Për të pandehurin Gjergj Cukali u kërkua masa me 10 vjet e 6 muaj burg që mbetet 7 vjet sipas gjykimit të shkurtuar. Ndaj të pandehurve Naim Stafuka, Miri Bruli dhe Xhelal Rraja u kërkua dënimi me nga 9 vjet burg që reduktohet në 6 vjet për secilin.
Sipas SPAK, të pandehurit Astrit Avdyli, Emiljano Shullazi dhe Blerim Abazi, gjatë muajve janar-korrik 2020 dhe i pandehuri Naim Stafuka, gjatë muajit gusht 2020, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, kanë siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasve Durim Bami dhe Valter Bami. Po ashtu, grupi i drejtuar prej Shullazit, është gjetur përgjegjës për goditjen e një pjesëtari të familjes së një gjyqtareje, anëtare e një trupe gjykuese në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, e cila, ndër të tjera gjykonte dhe një çështje penale në ngarkim të tij.
Sipas SPAK, Avdyli dhe Shullazi kanë mbajtur në qeli sende të ndaluara gjatë vitit 2020, si telefona celularë që i kanë përdorur për të komunikuar me persona të tjerë jashtë burgut lidhur me një sërë veprash penale për të cilat akuzohen.
Besian Xhixha, Enver Diva dhe Robert Laçi akuzohen se gjatë muajve gusht-shtator 2020 kanë siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Preng Gjini. I pandehuri Gjergji Cukali akuzohet se ka bashkëpunuar me persona të tjerë gjatë muajve korrik-shtator 2020 për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasve Elvis Gacaj dhe Altin Gega.
Viktor Imeraj dhe Satilno Basho akuzohen se në muajt mars-maj 2021, kanë siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasve Fatmir Hyseni dhe Armando Hyseni. Xhelal Rraja akuzohet se në janar të vitit 2021 ka bashkëpunuar për të siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Arben Ndoka.
Astrit Avdylit i janë gjetur në banesë në qershor të vitit 2024 armë zjarri dhe municione luftarake në sasi të konsiderueshme.







