
Marko Pavlovic ende ndjen zhgënjim për largimin e festivalit të tij katërditor Southern Soul, i cili zhvillohej në plazhin e madh Velika Plaza pranë qytetit bregdetar të Ulqinit.
I konceptuar si një festival intim me muzikë soul, jazz, funk, house dhe disco, ai dikur renditej ndër më të mirët në Evropë në këtë zhanër.
Megjithatë, kjo nuk u përkthye në bashkëfinancim publik bujar dhe festivali u mbajt për herë të fundit në vitin 2019.
“Mbështetja institucionale varionte nga 7,000 deri në 10,000 euro,” tha Pavlovic, pronar i një bari të njohur me emrin Casper në qytetin bregdetar Budva.
Ai mbeti i habitur, megjithatë, kur EXIT Festival, festivali më i madh muzikor në hapësirën ish-Jugosllave, njoftoi se po largohej nga Novi Sadi i Serbisë pas 25 vitesh dhe po zhvendosej në Ulqin të Malit të Zi, me mbështetje prej afro tre milionë eurosh financim publik për EXIT-in dhe eventin e tij simotër bregdetar Sea Dance.
Qeveria e Malit të Zi po shpenzon 1.5 milionë euro për këto dy festivale, duke e justifikuar këtë me vlerën për turizmin. Përveç kësaj, sipas CEO-së dhe bashkëthemeluesit të EXIT-it Dusan Kovacevic, autoritetet lokale në Budva kanë premtuar një milion euro, ndërsa Ulqini – shtëpia e plazhit 12-kilometërsh Velika Plaza – pritet të kontribuojë me 200,000 deri në 250,000 euro.
EXIT lindi nga rezistenca ndaj sundimit të liderit serb Sllobodan Millosheviç në vitin 2000 dhe u shndërrua në një nga festivalet më të njohura në rajon. Megjithatë, ai humbi financimin shtetëror pasi u shpreh në mbështetje të protestave të udhëhequra nga studentët kundër sundimit 14-vjeçar të Partisë Progresiste Serbe dhe bashkëthemeluesit të saj, presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
Podgorica argumenton se humbja e Serbisë është fitim për Malin e Zi, duke parashikuar se EXIT do të rrisë shpenzimet direkte turistike me të paktën 40 milionë euro dhe do të shtojë edhe 200,000 net qëndrimi; vetë EXIT thotë se ardhja e tij është një përfitim për industrinë lokale të eventeve në tërësi.
Pavlovici nuk është i vetmi banor lokal që ngre shqetësime.
Organizatorë të tjerë festivalesh, si themeluesi i City Groove Dragan Bulajic, ankohen se EXIT ka siguruar financim publik pa kaluar përmes thirrjes standarde publike dhe thonë se ndihen të anashkaluar, pavarësisht një rekordi të provuar në sjelljen e emrave të mëdhenj në vendin e vogël ballkanik.
“Nëse EXIT Festival do të kishte marrë pjesë në thirrjen publike si të gjitha festivalet lokale dhe do të ishte financuar në të njëjtin nivel, unë do ta mirëprisja konkurrencën e shëndetshme,” tha Bulajic, i cili organizoi një koncert tepër të suksesshëm të yllit franko-spanjoll Manu Chao verën e kaluar në bashkëpunim me zyrën e turizmit në Kotor. “Por në këtë rast, procesi po minon industrinë e festivaleve në Mal të Zi dhe kreativitetin, duke e bërë të ndihet si një poshtërim.”
Eksperti i turizmit Velibor Zolak vuri në pikëpyetje parashikimet e qeverisë për të ardhurat dhe paralajmëroi për kosto të tjera në korrik dhe gusht, kur EXIT dhe Sea Dance do të përkojnë me një fluks të madh turistësh.
“Është çmenduri,” tha Zolak. “EXIT shton turizmin masiv, duke u përplasur me burimet e kufizuara të Malit të Zi.”
“Mali i Zi nuk ka vlerësimet e veta dhe nuk ka një strategji aktuale turistike, që do të thotë se i mungojnë objektivat e bazuara në të dhëna.”
EXIT sinonim i ringjalljes së Serbisë pas epokës së Millosheviçit

I organizuar brenda mureve të Kalasë Petrovaradin në Novi Sad, me pamje nga Danubi, EXIT Festival u emërtua në mënyrë simbolike për të reflektuar shpresën e të rinjve serbë për një “dalje” nga vitet e errëta të sundimit të Millosheviçit.
Në fund të një dekade luftërash të humbura, katastrofe ekonomike dhe izolimi ndërkombëtar, Millosheviçi ra në tetor të vitit 2000, pak kohë pas edicionit të parë të EXIT-it.
Serbia doli nga izolimi dhe festivali mori miliona euro financim nga qeveria, komunat lokale dhe ndërmarrjet publike – para të cilat shteti i rikuperonte shumëfish në formën e shpenzimeve të rreth 200,000 vizitorëve të festivalit çdo vit.
EXIT i dha Serbisë një ribrandim të rëndësishëm, duke tërhequr një sërë artistësh të mëdhenj, duke siguruar mbulim pozitiv në mediat ndërkombëtare dhe duke fituar çmimin “Best Major Festival” në European Festivals Aëards në 2013 dhe 2017.
Në vitin 2014, festivali nisi edhe Sea Dance në Becici, pranë Budvës.
Mbështetja e Serbisë për EXIT vazhdoi edhe pas ardhjes në pushtet të Partisë Progresiste në vitin 2012, pavarësisht rrënjëve të saj në nacionalizmin ekstrem të viteve 1990 dhe rolit të presidentit Aleksandër Vuçiçsi ministër i informacionit gjatë viteve të fundit të Millosheviçit.
Megjithatë, në vitin 2025 organizatorët shprehën solidaritet me protestat e udhëhequra nga studentët, të shkaktuara nga shembja fatale e një strukture në stacionin hekurudhor të rinovuar në Novi Sad në nëntor 2024 – një tragjedi që shumë serbë ia atribuojnë korrupsionit, nepotizmit dhe mungesës së standardeve të sigurisë, për të cilat OJQ-të dhe organizatat kundër korrupsionit thonë se janë rritur nën qeverisjen e progresistëve.
Qeveria nuk reagoi publikisht, por organizatorët e EXIT-it thanë se që nga momenti kur u rreshtuan me studentët, “na është ndërprerë plotësisht bashkëfinancimi publik në të gjitha nivelet e qeverisjes” dhe njoftuan se festivali i vitit 2025 do të ishte i fundit në Serbi.
Kjo çoi në zhvendosjen drejt Malit të Zi, nën emërtimin “EXIT2Montenegro”.
Në fillim të korrikut, Ulqini do të presë EXIT-in, ndërsa në fund të gushtit Sea Dance do të rikthehet në Becici pas disa vitesh pauzë, në një kohë kur ishte nën hetim nga rregullatori i konkurrencës në Mal të Zi, i cili e ka liruar festivalin në shkurt. Biletat për Sea Dance do të jenë falas.
Duke iu përgjigjur shqetësimeve të organizatorëve lokalë si Pavlovici, Dusan Kovacevici tha se zhvendosja e EXIT-it do të ndihmojë industrinë e eventeve në tërësi.
“Ne i kuptojmë plotësisht sfidat me të cilat përballen organizatorët lokalë të festivaleve dhe besojmë se ata meritojnë më shumë dukshmëri dhe mbështetje,” tha ai për BIRN. “Ne kemi vendosur tashmë kontakte me pothuajse të gjithë organizatorët kryesorë lokalë dhe kemi propozuar iniciativa të përbashkëta, me synimin për ta pozicionuar Malin e Zi si një destinacion të rëndësishëm eventesh në Evropë, që është edhe objektivi kryesor i projektit EXIT2Montenegro.”
Turizmi muzikor po rritet, theksoi Kovacevic, duke cituar parashikime se të ardhurat globale do të arrijnë 250 milionë euro deri në vitin 2030.
“Ne propozojmë që qeveria e Malit të Zi të riinvestojë TVSH-në nga vizitorët e EXIT-it në turizmin e eventeve për rritje afatgjatë, duke përmirësuar gjithashtu kornizat institucionale dhe tatimore të industrisë,” tha ai.
E pyetur për një koment, Zyra e Qeverisë së Malit të Zi e drejtoi BIRN-in te Ministria e Turizmit, e cila nuk u përgjigj.
Shqetësime për trafikun, infrastrukturën dhe mjedisin

Autoritetet lokale në Ulqin dhe Budva e kanë mirëpritur zhvendosjen e EXIT Festival dhe risjelljen e Sea Dance, por pranojnë se do të ketë sfida.
Kryetari i bashkisë së Budvës, Nikola Jovanovic, paralajmëroi se vonesat në përfundimin e përmirësimit të rrugës 15-kilometërshe Jaz–Tivat, e cila lidh aeroportin e Tivatit me qytetin kryesor bregdetar të Budvës, mund të krijojnë sërish probleme me trafikun këtë verë.
Kryetari i komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, ka paralajmëruar gjithashtu probleme me infrastrukturën, energjinë elektrike, furnizimin me ujë dhe trafikun rreth Velika Plaza.
“Rruga nuk do të përfundojë deri më 1 qershor në një mënyrë që të lejojë turistët të udhëtojnë shpejt nga aeroporti i Tivatit drejt Budvës apo destinacioneve të tjera, dhe ky do të jetë një faktor negativ për këtë sezon turistik,” tha Jovanovic për TV Vijesti.
Nimanbegu tha për të njëjtin televizion: “Natyrisht, gjithmonë ka probleme, por po punojmë intensivisht për to.”
Dusan Kovacevic tha se EXIT dhe Sea Dance janë planifikuar në mënyrë që të shmangin kulmin më të madh të sezonit në fillim dhe mes të gushtit, dhe se përvoja e organizimit të Sea Dance do të ndihmojë në menaxhimin e trafikut rreth EXIT-it.
Por aktivistja dhe arkitektja nga Ulqini Zenepa Lika tha se qyteti tashmë është “i mbingarkuar” në korrik.
“Kjo shton presion,” tha Lika për ardhjen e EXIT-it. “Turizmi i eventeve duhet ta zgjasë sezonin, jo ta rëndojë një periudhë tashmë të mbushur.”
Velika Plaza në Ulqin është një zonë e ndjeshme dunash dhe grykëderdhja e lumit Bojana është një fushë përmbytjeje e mbrojtur dhe një hotspot biodiversiteti, ku ndërtimi është i kufizuar.
Lika tha se është e shqetësuar për ndikimin mjedisor të një eventi kaq të madh në atë zonë, përfshirë edhe ndikimin e ndotjes akustike mbi shpendët.
Kovacevici argumentoi se zona tashmë pret “shumë bare plazhi dhe mijëra vizitorë”.
“EXIT nuk do të shkaktojë ndikim shtesë,” tha ai për BIRN. “Ne do të zbatojmë të gjitha masat për mbrojtjen e mjedisit. Festivali ynë promovon ruajtjen e kësaj natyre të paprekur.”
Pavlovic, themeluesi i festivalit tashmë të mbyllur Southern Soul, mbetet i pakënaqur me drejtësinë dhe parashikimet financiare të zhvendosjes së EXIT-it.
“Organizatorët vendas duhet të presin deri sa të shitet edhe birra e fundit në festival për të kuptuar nëse arrijnë të dalin në barazim, ndërsa EXIT praktikisht nuk përballet me asnjë rrezik biznesi falë një mbështetjeje të tillë shtetërore,” tha ai.
“Këto janë para të shpenzuara kot. Si është llogaritur ky fitim? Nuk mendoj se bëhet fjalë për qëllim të keq nga ana e qeverisë, por për mungesë njohurie.”







