
Si do të duket demokracia në Ballkanin Perëndimor në vitin 2040? Në shumë drejtime, rajoni po ecën në një ekuilibër të brishtë mes kontradiktave: reforma të bllokuara përballë përparimeve domethënëse; protesta qytetare në disa vende dhe apati e thellë në të tjera; marrëveshje politike që vendosin stabilitetin mbi drejtësinë dhe, herë pas here, fitore të vogla të parimeve mbi interesat afatshkurtra.
Këto tensione pasqyrohen në një raport të fundit të International IDEA, të hartuar nga autorët e këtij artikulli, i cili paraqet katër skenarë të mundshëm për të ardhmen e demokracisë në rajon, që variojnë nga skenarë optimistë deri tek ata më zhgënjyes.
Skenarët bazohen në metodologjinë e njohur si “parashikim strategjik”, e cila përdoret për të shqyrtuar zhvillime të ndryshme të mundshme dhe jo për të parashikuar një të ardhme të vetme. E përdorur prej dekadash, nga planifikimi ushtarak gjatë Luftës së Ftohtë deri te hartimi i politikave publike, kjo metodë synon të ndihmojë vendimmarrësit të kuptojnë rreziqet, mundësitë dhe pasiguritë që mund të formësojnë të ardhmen.
Këta skenarë përshkruajnë rrugë të mundshme për konsolidimin e demokracisë në rajon deri në vitin 2040, qoftë përmes integrimit në BE apo përmes mobilizimit të qëndrueshëm të shoqërisë civile.
Ata shqyrtojnë gjithashtu të ardhme në të cilat rajoni rrëshqet drejt prirjeve autoritare, ose vendoset në një formë më të thelluar “stabilitokracie”, ku elitat politike të rrënjosura dhe oligarkët ruajnë pushtetin pavarësisht mangësive të dukshme demokratike, në këmbim të sigurimit të një niveli të caktuar stabiliteti për vendin.
Kjo ka rëndësi tani, sepse këto të ardhme mbeten zgjedhje – zgjedhje që aktorët rajonalë mund t’i bëjnë, veçanërisht në një kohë kur rendi global po ndryshon dhe mbështetësit tradicionalë të demokracisë, si Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, mund të mos jenë më aq të angazhuar sa dikur.
Skenari i parë përshkruan një të ardhme që liderët evropianë vazhdojnë ta premtojnë: një Ballkan Perëndimor të integruar në BE, pasi ka kaluar përmes reformave domethënëse dhe të përvetësuara nga vetë vendet. Këto reforma përmirësojnë në mënyrë të prekshme jetën e qytetarëve përmes institucioneve funksionale, gjyqësorit dhe mediave të pavarura, si dhe lidershipit të përgjegjshëm. Ky kontekst politik mbështetet nga një ringritje ekonomike që arrin të përmbysë trendin e emigrimit masiv të të rinjve dhe profesionistëve, duke e kthyer “ikjen e trurit” në “fitim truri”, ndërsa bashkëpunimi rajonal forcohet.
Në këtë të ardhme, BE-ja nuk është e gatshme të tolerojë liderë të korruptuar, që nxisin konflikte dhe veprojnë kundër parimeve demokratike. Këta liderë fillojnë të humbasin legjitimitetin e brendshëm dhe mbështetjen publike, pasi qytetarët kuptojnë se sjellja e tyre rrezikon shkëputjen nga partnerët dhe izolimin ndërkombëtar. Demokracia konsolidohet jo si fasadë, por si një sistem i jetuar dhe funksional. Sfida këtu qëndron në faktin se kjo e ardhme varet nga një angazhim i vazhdueshëm dhe parimor i BE-së, ndërkohë që sfidat e shumta të brendshme me të cilat përballen shtetet anëtare mund ta zhvendosin Ballkanin Perëndimor në periferi të agjendës politike evropiane.
Një e ardhme e dytë demokratike e mundshme është më pak komode dhe mbështetet në një interpretim më të kujdesshëm të zhvillimeve rajonale. Në këtë skenar, ndryshimi vjen nga poshtë lart. Shoqëria civile, gazetarët e pavarur, lëvizjet rinore dhe rrjetet e protestës bëhen mbrojtësit kryesorë të llogaridhënies.
Ashtu siç ndodh tashmë në disa vende të rajonit, qytetarët që nuk u besojnë më strukturave shtetërore të korruptuara ose joefektive kërkojnë përgjegjësi përmes gazetarisë investigative ose aktivizmit qytetar. Elitat politike rezistojnë, përparimi mbetet i pabarabartë, por qytetarët gradualisht rifitojnë fuqinë e tyre politike përmes presionit të vazhdueshëm, pjesëmarrjes dhe këmbënguljes.
Ky skenar shërben si paralajmërim se, nëse dhe aty ku demokracia arrin të mbijetojë pa mbështetjen e BE-së në rajon, ajo mund të mbijetojë pavarësisht qeverive, jo falë tyre.
Skenarët më të zymtë

Dy skenarët e mbetur paraqesin zhvillime dukshëm më shqetësuese për të ardhmen e demokracisë në Ballkanin Perëndimor dhe, njëkohësisht, për stabilitetin afatgjatë të Evropës.
Njëri prej tyre parashikon shndërrimin e “stabilitokracisë” në një gjendje të përhershme dhe më të errët se ajo që vërehet sot. Zgjedhjet vazhdojnë të mbahen, por pushteti bëhet praktikisht i paprekshëm. Mediat e pavarura humbasin terren përballë mediave në pronësi të oligarkëve, të cilat paraqiten si burime informacioni, ndërsa funksionojnë si instrumente propagande. Korrupsioni normalizohet plotësisht dhe institucionet vihen në shërbim të elitës politike dhe oligarkëve. Qytetarët bëhen gjithnjë e më apatikë dhe ndihen të pafuqishëm për të ndikuar në zhvillimet politike, ndërsa ata që kanë mundësi zgjedhin të largohen. Si rrjedhojë, ikja e trurit shndërrohet në një problem strukturor, i cili dobëson edhe më tej çdo perspektivë për ndryshim dhe ripërtëritje brezash.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian, i përqendruar te problemet e veta të brendshme, vazhdon ta tolerojë këtë degradim për sa kohë ruhet ajo që përkufizohet si “stabilitet rajonal” dhe liderët lokalë vazhdojnë të pretendojnë se flasin gjuhën e demokracisë. Rreziku më i madh i këtij skenari është se ai përfaqëson një vazhdim dhe thellim të prirjeve që tashmë janë të dukshme në rajon.
Skenari më pesimist parashikon kalimin drejt një regjimi të hapur autoritar dhe izolimin politik të vendeve të rajonit, në kushte të ngjashme me ato që karakterizojnë sot Bjellorusinë. Liderët politikë shfrytëzojnë krizat për të kriminalizuar kundërshtimin, për t’ua faturuar problemet pakicave etnike dhe grupeve të margjinalizuara, për të zgjeruar mbikëqyrjen shtetërore dhe për të qeverisur përmes frikës. Duke e parë rajonin si një burim paqëndrueshmërie për sigurinë dhe si një barrë politike, aktorët demokratikë tërhiqen, ndërsa Ballkani Perëndimor mbetet i ekspozuar dhe bie gjithnjë e më shumë nën ndikimin e fuqive autoritare. Si pasojë, rajoni mbetet i bllokuar në një përplasje gjeopolitike në përshkallëzim e sipër.
Demokracia nuk funksionon me autopilot

Këta skenarë nuk duhen lexuar si parashikime për të ardhmen, por si një thirrje për përgjegjësi dhe guxim politik. Pikërisht fakti që zhvillimet në rajon japin sinjale të përziera dhe shpesh kontradiktore tregon se asgjë nuk është vendosur ende dhe se hapësira për ndryshim mbetet e hapur.
Nëse Ballkani Perëndimor synon një të ardhme më demokratike, institucionet e BE-së dhe partnerët e tjerë duhet ta tregojnë këtë përmes politikave dhe veprimeve të qëndrueshme. Demokracia në rajon nuk do të mbijetojë me autopilot dhe as nuk do të shpëtohet nga deklarata politike apo gjeste simbolike të paraqitura si interesa strategjike të Evropës.
Nëse elitat politike të rajonit kërkojnë përparim, ato duhet ta meritojnë atë. Siç tregojnë edhe skenarët e paraqitur, kjo mund të arrihet në shumë mënyra: përmes zbatimit të reformave të verifikueshme, duke ecur në hap me mobilizimin qytetar në vend që ta shtypin atë, duke krijuar hapësirë për mediat e pavarura dhe duke pranuar llogaridhënien edhe kur ajo sfidon rrjete të rrënjosura pushteti dhe ndikimi.
Nëse qytetarët duan të ushtrojnë rolin e tyre në një sistem demokratik, ata duhet të gjejnë mënyra për t’i rezistuar apatisë politike. Kjo mund të marrë forma të ndryshme për këdo, nga angazhimi në komunitetet lokale për të mbështetur një kulturë të qëndrueshme debati dhe pjesëmarrjeje, deri te krijimi i aleancave mes lëvizjeve protestuese për të forcuar solidaritetin rajonal.
Gentiana Gola është këshilltare për Vlerësimin e Demokracisë në International IDEA. Emily Bloom është oficere e asociuar e programeve në International Idea. Raporti “Imagining Democratic Futures: The Western Balkans in 2040” u përgatit si vazhdim i workshop-it “Ëestern Balkans Democratic Futures”, mbajtur në Shqipëri në tetor 2025 nga International IDEA me mbështetjen e BIRN Albania.
Opinionet e shprehura në këtë artikull janë ato të autoreve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN apo qëndrimin institucional të International IDEA, Bordit të Këshilltarëve apo Këshillit të Shteteve Anëtare të organizatës.







