
Gjykata e Posaçme vendosi të enjten më 18 qershor deklarimin fajtor të biznesmenit Pëllumb Gjoka dhe ish-funksionarit të policisë, Ardit Hasanbegaj, në çështjen e veçuar që lidhet me akuzat për sigurim të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje ndaj shtetasve Dorian Duli dhe Ibrahim Lici, si dhe për grup të strukturuar kriminal. Për Gjokën u caktua dënimi me 9 vjet heqje lirie, i cili u reduktua në 6 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Ndërsa ndaj Hasanbegajt u vendos dënimi me 7 vjet e 6 muaj burgim, që me uljen e 1/3-ës së masës, u dënua përfundimit me 5 vjet. Për Hasanbegajn u caktua dhe dënimi plotësues për heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vjet.
Ndërkohë, Gjoka u gjet i pafajshëm për akuzën e armëmbajtjes pa leje.
Gjatë konkluzioneve përfundimtare, SPAK kërkoi dënimin e Pëllumb Gjokës me 14 vjet burg.
Ndërkohë, Gjoka po përballet edhe me një proces të dytë në Gjykatën e Posaçme së bashku me Behar Brajoviq dhe Edmond Prekën për akuzat e vrasjes së Gjin Ndoj (Boriçit), si dhe për sigurim të kushteve për vrasje të personave të tjerë.
Më 18 nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë shpalli masat e dënimit për pesë të pandehurit e tjerë të çështjes penale të quajtur “Metamorfoza”.
Për pesë të pandehurit Behar Brajoviç, Edmond Preka, Astmer Bilali, ish-prokurorin Xhevahir Lita dhe ish-drejtorin e njësisë së Operacionales në Policinë e Shtetit, Oltion Bistri, gjykata dha në total 26.6 vjet burg nga 34 vjet që kishte kërkuar SPAK – masa të cilat reduktohen me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Ish-prokurori Xhevahir Lita dhe ish-kreu i njësisë Operacionale, Oltion Bistri përfituan lirim të menjëhershëm, pasi dënimi i dhënë nga gjykata ishte më i vogël se sa koha që ata kaluan në paraburgim. Lita u gjet fajtor për korrupsion, ndërsa Bistri u shpall i pafajshëm për këtë akuzë dhe për pastrimin e parave.
Hetimi ndaj Gjokës dhe të pandehurve të tjerë filloi pas mbërritjes së një dosjeje nga Franca me të dhënat e siguruara nga aplikacionet e koduara Sky ECC. Ndaj tij dhe anëtarëve të tjerë të grupit ka nëntë lloj akuzash për vepra penale, mes të cilave vrasje, korrupsion aktiv e pastrim parash, të kryera në kuadër të grupit të struktuar kriminal. Ndërsa zyrtarët e arrestuar si pjesë e organizatës u akuzuabn për korrupsion, zbulim të akteve apo të dhënave sekrete, si dhe për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje.






