
Një sërë kategorish përjashtohen nga amnistia, përfshi dhe subjektet e veprave penale që përfshijnë funksionin e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ndryshe nga amnistia e para dy viteve që u miratua me konsensus politik me opozitën, amnistia e re u votua vetëm nga deputetë të mazhorancës socialiste dhe 3 deputetë të Partisë Socialdemokrate të Tom Doshit.
Mazhoranca socialiste hasi vështirësi për të siguruar 84 votat për shkak të mungesës në seancë të deputetes Belinda Balluku, e cila është nën akuzë nga prokuroria për shkelje të barazisë në tendera gjatë kohës që drejtonte Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Po ashtu në seancë mungoi dhe deputetja Marjana Koçeku, e cila ka deklaruar daljen si e pavarur dhe largimin nga grupi socialist, pas protestave masive qytetare kundër qeverisë.
Kryetari i Kuvendit shtyu seancën e paradites për pasdite vonë, që sipas pretendimeve të opozitës. u bë për t’i dhënë kohë kryeministrit Edi Rama që të merrte pjesë në votim direkt pas kthimit nga Roma ku ishte në një aktivitet zyrtar.
Sipas përcaktimeve të aministisë do të përfitojnë prej saj burrat që janë dënuar me vendim të formës së prerë deri më 31 maj 2026 me 3 vite burg ose u kanë mbetur pa vuajtur deri në 3 vite dënim, si edhe gratë e dënuara deri në 4 vite burg ose të cilave u kanë mbetur pa vuajtur deri në 4 vite dënim.
Përjashtohen nga amnistia personat e dënuar për terrorizëm, trafikim, krime seksuale, korrupsion, etj, dhe asnjë nga subjektet e SPAK dhe GJKKO.
Opozita braktisi sallën gjatë votimit, ndërsa në pjesën e parë të seancës gjatë paradites u konfrontua me mazhorancën në lidhje me protestat qytetare që vijonë në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit që prej 19 ditësh dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe anulimin e ligjeve që lejojnë betonizimin e bregdetit.
Mazhoranca rrëzoi amendamentet e deputetes demokrate Jorida Tabaku për të përfituar nga amnistia personat e dënuar me shpifje dhe fyerje.
Në relacionin e amendamenteve Tabaku argumenton se këto dy vepra penale kanë ngritur shqetësime të vazhdueshme të organizatave që mbrojnë gazetarët për sulmet ndaj gazetarëve dhe përdorimin e padive penale për shpifje dhe fyerje si një formë censure. Ajo propozon heqjen e neneve 119 (“Fyerja”) dhe 120 (“Shpifja”) nga lista e kritereve ndaluese të ligjit të amnistisë.
Në amnistinë e mëparshme me konsensus politik PS dhe PD përfshinë në aministi dhe subjektet e dënuar nga Gjykata e Posaçme, duke lejuar uljen e dënimit për një seri veprash penale në kompetencë të GJKKO-së për zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë, gjyqtarë, prokurorë apo persona fizikë të dënuar për korrupsion, abuzim me tenderat dhe të ngjashme.






