Qeveria planifikon të rrisë të ardhurat duke taksuar bakshishet e kamerierëve, gjë që është parë si qesharake nga taksapaguesit që synojnë ta sfidojnë qeverinë në zbatimin e ligjit që pritet të hyjë në fuqi muajin e ardhshëm.
Roberti, 22 vjeç, një shpërndarës picash me kohë të plotë që fiton rreth 200 euro në muaj, buzëqeshi kur mësoi se qeveria rumune synon të taksojë bakshishet në restorante dhe kafene muajin e ardhshëm.
“Qeveria synon të taksojë fitimet e mia shtesë, ndërsa tashmë kam një rrogë mizerabël? Do të gjej mënyra për të fshehur bakshishet që marr,” tha i riu në mirëbesim.
Qeveria e qendrës së majtë e kryeministrit Viktor Ponta javën e shkuar tha se po hartonte ligje për takimin e bakshisheve, në një lëvizje për të mbushur buxhetin e varfër të të ardhurave.
Ajo shpreson të mbledhë 34.5 milionë euro shtesë vetëm këtë vit dhe 225 milionë euro deri në fund të 2018.
Bakshishi ose sasia e parave të lëna vullnetarisht nga klienti për shërbimin pritet të taksohet me 16 për qind të fitimit nëse kompania nuk ia jep atë punonjësve ose 16 për qind të të ardhurave të punonjësve nëse ata e marrin drejtpërdrejt.
Ministri i financave tha se punonjësit kanë obligimin të regjistrojnë paratë që marrin si bakshishe dhe se do të gjobiten nëse gjenden me më shumë para gjatë kontrolleve.
Bakshishi është normë në Rumani. Është zakonisht nga 10 deri në 15 për qind të faturës totale në restorant. Edhe shërbime të tjera si parukeria, shpërndarja nëpër shtëpi apo taksia merr bakshish ekstra.
Punonjësit dhe ekspertët thonë se qeveria do ta ketë të vështirë të realizojë vendimin. Megjithatë, zyrtarët kanë paralajmëruar kontrolle të intensifikuara.
Duke filluar nga 1 qershori TVSH-ja do të ulet nga 24 në 9 për qind për të gjitha produktet. Rumunët shpenzojnë rreth një të tretën e të ardhurave për ushqim, krahasuar me mesataren prej 18 për qind të BE.