Banorët e Tropojës paralajmërojnë protesta masive në Tiranë javën e ardhshme, ndërsa fillimi i punimeve për ndërtimin e hidrocentraleve të shumë debatuara mbi zemrën blu të Alpeve Shqiptare ka shkaktuar lot dhe zemërim te vendasit.
Prej 14 shtatorit, kur te banorët e Tropojës u përhapën fjalët se punimet për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Valbonë do të nisnin së shpejti, ata bënë sytë katër dhe filluan të ruanin rrugën në pritje të mbërritjes së makinerive të rënda të ndërtimit.
Të mërkurën, më 28 shtator, dy javë më pas, një banor i zonës i cili po dërgonte vajzën në shkollë nxitoi të jepte lajmin që shumë nga banorët e konsiderojnë si ogurzi: buldozerët kishin mbërritur.
E pakët në numër, popullata e zonës e cila preket më së shumti nga ndërtimi i 14 HEC-eve që qeveria shqiptare ka dhënë me koncesion gjatë dekadës së fundit, u mblodhën për të diskutuar mënyrën më efektive të reagimit.
“Ne ishim 20 njerëz kundër 20 buldozierëve,” tha për BIRN Catherine Bohne, amerikania e martuar në Valbonë, e cila prej tre vitesh udhëheq rezistencën e banorëve vendas kundër projekteve energjetike.
E alarmuar dhe me duart që i dridheshin, përpara se energjia të shkëputej duke izoluar banorët nga mjetet e komunikimit, aktivistja amerikane Bohne nxitoi të dërgonte pak rreshta të një letre S.O.S për zhvillimet e fundit katastrofike të cilën e nënshkroi “me dashuri nga Valbona”.
“Sot, në orën 8 të mëngjesit, buldozerët u pozicionuan në rajonin e Dragobisë dhe Maskollatës në Parkun Kombëtar të Valbonës. Në orën 11 po atë mëngjes, malet oshtinin nga zhurma e shkatërrimit”, shkroi Bohne në letrën të cilën e shpërndau për mediat, ambasadat e huaja në Shqipëri dhe organizatat mjedisore vendore dhe ndërkombëtare.
“Sot është një ditë shumë e zezë në Valbonë, një ditë shumë e zezë – pavarësisht qiejve blu dhe motit të mirë –për Shqipërinë, sepse nëse kjo mund të ndodhë këtu, në shkelje të hapur me ligjin, atëherë e ardhmja është e zezë për Shqipërinë”, lexon letra.
Aktivistja amerikane i tha BIRN përmes një interviste në telefon se fillimi i punime vepër hidrocentralet ishte një lajm katastrofik për banorët dhe se ata nuk do ta pranonin këtë fat ogurzi që vjen si mungesë e vizionit të qeverisë për pikën më tërheqëse turistike të Shqipërisë.
“Me ndërtimin e HEC-eve mbi lumenjtë më të çmuar që ka, Shqipëria po pret fytin e saj, ndërsa i heq banorëve të zonës turizmin si e vetmja shpresë,” tha për BIRN me zë të dridhur dhe e përlotur aktivistja dhe mikesha e Valbonës, Catherine Bohne.
“Ne do të mblidhemi të gjithë së bashku të reagojmë TANI sepse nuk mund të lejojmë që gjërat të vazhdojnë më kështu,” shtoi ajo duke paralajmëruar zhvendosjen e protestave në kryeqytet gjatë javës së ardhshme.
Banorët e zonës të cilët pretendojnë se u është shkelur e drejta e konsultimit gjatë procesit kërkojnë transparencë pasi klauzola e konfidencialitetit në koncesionet e qeverisë, i kanë bllokuar atyre çdo informacion për 14 HEC-et.
Të asistuar nga OJQ-ja “Toka”, ata i kanë kthyer shpresat gjithashtu nga rruga ligjore duke pajtuar një avokat për të shqyrtuar mundësinë e ngritjes së një padie kundër shtetit shqiptare.
Sipas Bohne, disa diplomatë të huaj i kanë kthyer përgjigje letrës së saj të hapur duke i siguruar banorët se çështjen do ta diskutojnë në tryezat e përbashkëta me qeverinë.
“Ne e dimë që drejtësia është në anën tonë… ndaj kërkojmë që të takohemi me zyrtarët për të gjetur një rrugëzgjidhje që ofron vizion ruajtës për vlerat e Shqipërisë”, tha Bohne.
“Jemi shumë të revoltuar nga e gjithë kjo situatë,” tha për BIRN Alfred Selimaj, kryetari i Shoqatës së Akomodimit në Valbonë, i cili që prej vitit 2005 është përfshirë në industrinë turistike të luginës.