Organizatat në mbrojtje të natyrës në Shqipëri bëjnë thirrje për mbrojtjen e parkut kombëtar Divjakë-Karavasta, ndërsa theksuan se planet e urbanizimit për një megaresort turistik do të kishin pasoja shkatërrimtare.
Koalicioni i organizatave mjedisore në mbrojtje të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta organizoi të enjten një forum ndërgjegjësues, duke paralajmëruar ndikimin shkatërrues të projektit turistik të planifikuar për t’u ndërtuar në lagunën kryesore shqiptare.
Duke analizuar me detaje shpendët dhe kafshët që kanë për shtëpi parkun kombëtar Divjakë-Karavasta, Ferdinand Bego, profesor në Universitetin e Tiranës argumentoi se 22 mijë hektarët e këtij parku- zonë Ramsar, janë një ekosistem i pasur dhe një parajsë për shpendët në Mesdhe.
“E gjithë laguna popullohet nga shumë faunë… 30-85 mijë shpendë të ujit gjatë dimrit, pra rreth 35% e shpendëve dimërues dhe folezues në vend,” tha prof. Bego.
Ai shtoi se projekti i resortit turistik nuk do të prekë vetëm pjesë të caktuara të parkut Divjakë-Karavasta por të gjithë ekosistemin, ndërsa theksoi se është një detyrim i Shqipërisë ta ruajë zonën, jo vetëm si pasuri kombëtare, por edhe globalisht prej statusit të dhënë.
“Zona në Karavasta është shumë e lidhur dhe e pandashme. Nëse i prishim zemrën këtij ekosistemi, zor se ai do ta mbajë veten në plan afatgjatë,” përfundoi ai.
Një tjetër ekspert në mbrojtje të natyrës në Divjakë-Karavasta, Taultant Bino nga AOS paralajmëroi se efekti i një megaresorti turistik në Divjakë do të kishte ndikim në 100 për qind të natyrës dhe jo vetëm në zonat që parashikohet ndërtimi.
Bino përshkroi planet e kompanisë ndërtuese Mabetex në Divjakë, duke arsyetuar se bashkë me ndërtimet që arrijnë deri në 20 kate vijnë edhe rrugët ndërlidhëse dhe ndriçimi i vazhdueshëm që do të dëmtojë gjendjen natyrore të parkut aktualisht, i cili gëzohet nga qindra mijëra shpendë dhe gjitarë.
“Aty ku sot mbizotëron natyra, do të mbizotërojë njeriu. S’po flasim për natyrë më, po ndërtojmë një qytet të ri në park,” u shpreh ai, duke e cilësuar projektin si urbanizues në ligatinën më të rëndësishme të Adriatikut Lindor.
Parku Kombëtar “Divjakë-Karavasta” është shpallur zonë e mbrojtur në vitin 1964. Ai zë një sipërfaqe prej më shumë se 22 mijë hektarësh dhe përbën një ekosistem unik, i përbërë nga laguna, duna ranore dhe pyje bregdetare me florë dhe faunë të pasur. Në këtë zonë ndodhen pyje me pisha 400-vjeçare, të cilat shërbejnë si një zonë qendrimi për miliona shpendë shtegtarë.
Projekti i kompanisë “Mabetex” në Divjakë përfshin ndërtimin e mbi 2,300 apartamenteve, disa hoteleve, rreth 370 vilave si dhe objekte ndihmëse si një fushë golfi me 12 vrima e pista për ulje-ngritjen e helikopterëve.
Projekti aktualisht po shqyrtohet nga qeveria shqiptare, ndërsa kompania ka aplikuar për statusin e investitorit strategjik.
“Megaresorti do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm deri të pakthyeshëm për faunën që mund të zhduket gradualisht,” tha biologu Olsi Nika nga EcoAlbania, duke shtuar se kundërshtimi i ekspertëve do të vazhdojë në forume të tjera.
“Ministria e Turizmit dhe Mjedisit duhet të garantojë mbrojtjen e Parkut Kombëtar Natyror dhe të mos lejojë një investim privat të cenojë integritetin e tij, duke lejuar shndërrim në një qytet të ri turistik,” përfundoi ai.