Drejtuesi i Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda, Artan Bajrami do të përballet të mërkurën me vetingun. Si ka ndryshuar pasuria e tij nga viti 2004 deri në fund të vitit 2017.Artan Bajrami është drejtues i Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda prej 15 vitesh. Ai do të përballet të mërkurën në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut për Bajramin përfaqësohet nga Valbona Sanxhaktari, Brunilda Bekteshi dhe Suela Zhegu.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Artan Bajrami nga viti 2004 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurori Artan Bajrami zotëronte pasuri me vlerë 7.8 milionë lekë në vitin 2004. Sipas deklaratës së tij të parë të dorëzuar në ILDKPKI, Bajrami zotëronte një apartament me vlerë 6.5 milionë lekë si dhe 15 mijë dollarë kursime në Cash.
Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e prokurorit Bajrami është rritur me tre herë, duke kapur vlerën e 23.3 milionë lekëve. Pasuritë e paluajtshme përbëjnë zërin kryesor në strukturën e aseteve me 20 milionë lekë. Përveç apartamentit që kishte në pronësi në vitin 2004, kreu i Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda ka blerë një apartament të dytë për 30 mijë euro në vitin 2006 si dhe një apartament në emër të së bijës në vitin 2014 me vlerë 9.8 milionë lekë.
Bajrami zotëron gjithashtu kursime të akumuluara cash prej 1.8 milionë lekësh, likujditete bankare prej 380 mijë lekësh si dhe automjet me vlerë rreth 700 mijë lekë.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 41.6 milionë lekë. Ato kanë si burim pagën nga funksioni të prokurorit Bajrami si dhe pagat e bashkëshortes dhe dy fëmijëve.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik/logjik për 14 vitet e deklarimit rezultoi pa probleme për prokurorin Artan Bajrami.
Megjithatë, BIRN ka identifikuar si “flamuj të kuq” detyrimet e konsiderueshme të subjektit ndaj kompanive të ndërtimit si dhe një hua për financimin e blerjes së një apartamenti në vitin 2014.
Më konkretisht, prokurori Bajrami deklaron se për blerjet e apartamenteve në vitin 2006 dhe në vitin 2014 ka respektivisht 10 mijë euro dhe 2.7 milionë lekë detyrime ndaj kompanive të ndërtimit. Sipas deklaratave të tij të pasurisë, ato rezultojnë të pashlyera deri në fund të vitit 2017.
Prokurori deklaron gjithashtu një hua prej 20 mijë eurosh, marrë në emër të tij dhe të vajzës për blerjen e apartamentit me vlerë 9.8 milionë lekë. Deri në fund të vitit 2017, nga kjo hua janë shlyer 11 500 euro.
Deklarata e pasurisë Para Fillimit të Detyrës
Deklarata e pasurisë së vitit 2004
Deklarata e pasurisë së vitit 2005
Deklarata e pasurisë së vitit 2006
Deklarata e pasurisë së vitit 2007
Deklarata e pasurisë së vitit 2008
Deklarata e pasurisë së vitit 2009
Deklarata e pasurisë së vitit 2010
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al