Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian u mblodh të mërkurën për të diskutuar zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Europian dhe nënkomitetit BE-Shqipëri për Drejtësi, Liri dhe Siguri 2021” për luftën kundër korrupsionit.
Për hapat që janë bërë në zbatim të këtyre rekomandimeve raportuan ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela dhe drejtuesi i SPAK, Arben Kraja.
Në të njëjtën linjë me deklaratat e kryeministrit Edi Rama javët e fundit, përfaqësuesit e Partisë Socialiste në Këshillin Kombëtar për Integrimin i kërkuan llogari kreut të SPAK për hetimet e munguara për 21 janarin dhe Gërdecin.
“Pse Prokuroria e Posaçme nuk heton 21 janarin? Përse Prokuroria e Posaçme nuk bën transparente çfarë po ndodh me korrupsionin në Gërdec? E treta, që për mua është shumë e rëndësishme dhe që do ta quaja një ndër pyetjet themelore. Çfarë opinioni ka prokuroria shqiptare për non-gratën? “ pyeti kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Në të njëjtën linjë me Ballën diskutuan dhe deputetët e tjerë të mazhorancës. Ata i thanë Krajës se SPAK duhet të japë përgjigje për atë që ka ndodhur këto 30 vite dhe shtuan se duhet të rritet niveli i hetimeve proaktive.
Kryetarja e këshillit, Jorida Tabaku dhe deputetët e opozitës i cilësuan pyetjet e socialistëve si një tentativë për të ndërhyrë në punën e drejtësisë. Vetë Tabaku ngriti pyetje për aferën e inceneratorëve dhe krimet zgjedhore.
Kraja refuzoi t'u përgjigjej pyetjeve të socialistëve, por u fokusua në një raport me shifra për punën e strukturës që drejton.
“Për arsye të kufizimeve ligjore, nuk do të jap asnjë përgjigje për çështje konkrete dhe asnjë opinion për institucionet e tjera, kushdo qofshin ato,” tha ai.
Kreu i SPAK-ut sqaroi deputetët se termi “proaktiv” nuk do të thotë vetëm “fillim i çështjeve”.
“Është koncept më i gjerë, do të thotë të hetosh pa ditur të tjerët që po heton dhe duke përdorur metoda speciale të hetimit,” tha Kraja, duke shtuar se i garantonte deputetët se 80 për qind e rasteve që ka në dorë SPAK ishin “hetim proaktiv”.
Kraja theksoi se struktura që ai drejton është plotësisht e fokusuar në luftën anti-korrupsion sidomos në nivelet e larta, duke i quajtur hetimet e kryera “të suksesshme”.
Duke iu referuar shifrave, ai tha se vetëm në 4-mujorin e parë të këtij viti janë në hetim 282 procedime penale me 131 persona për veprat penale të korrupsionit dhe shpërdorimin e detyrës duke përmendur hetimet në nivele të larta në statusin ish-ministër apo deputet dhe 3 ish-kryetarë bashkie.
Kreu i SPAK foli gjithashu për hetimet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk kanë kaluar vetingun apo janë dorëhequr nga procesi.
“Përmendim kompetencën e hetimit për shkak subjekti, pasi organet e rivlerësimit kalimtar në vendimet e tyre për subjektet e shkarkuar nga detyra, nuk kanë paraqitur deri tani ndonjë kallëzim penal kundër gjyqtarëve apo prokurorëve të shkarkuar apo dorëhequr për ekzistencën e veprave penale të parashikuara në kompetencë e hetimit të Prokurorisë së Posaçme,” tha ai duke shtuar se as ILDKPI nuk ka paraqitur ndonjë kallëzim penal ndaj këtyre subjekteve.
Deputetët e PS-së dhe PD-së i drejtuan një duzinë me pyetje drejtuesit të SPAK për hetimet në fushën e korrupsionit, pyetje të cilat do të marrin përgjigje në një seancë tjetër të Këshillit të Integrimit.