Prokuroria e Posaçmë njoftoi të martën dërgimin për gjykim të një hetimi të nisur në vitin 2019, ndaj ish-kryebashkiakut të Lezhës Fran Frrokaj, ish kreut të Këshillit të Qarkut Gjok Ndoka, ish drejtorin e Urbanistikës i Bashkisë Lezhë Sokol Toma dhe disa ish zyrtarëve të tjerë lokalë të cilët i akuzon për “tjetërsimin e pronave në bregdet dhe përfitimin e tyre në kundërshtim me ligjin”.
Në një njoftim për shtyp SPAK bëri me dije se kishte dokumentuar tjetërsim të parcelave të pronave në pronësi shtet, të cilat përmes falsifikimit të dokumenteve të pronësisë që nga origjina e pronës deri tek certifikata e pronësisë, u kalonin të tretëve.
“Në këtë veprimtari kriminale, personat përfitues në mënyrë të kundërligjshme të pronave kanë përfshirë edhe persona të tjerë, ndër ta persona të afërt dhe të njohur më ta, duke ja kaluar në mënyrë fiktive pasuritë dhe më pas me qëllim final për t’i kaluar në pronësinë e tyre”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Sipas prokurorisë gjatë hetimit të këtij procedimi penal ka rezultuar se “nëpërmjet dokumenteve të fallsifikuara dhe veprimeve të tjera të kundraligjshme, është përfituar në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe prej 66 000 m2 tokë në disa zona bregdetare në Lezhë, me një vlerë prej rreth 13 milion euro”.
Veç të sipërpërmendurve të akuzuar janë edhe Bledar Cara ish-jurist pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtëshme, Lezhë, Nikolin Shtjefni, Sokol Vocaj, ish-regjistrues në Kadastrën e Lezhës, Gjovalin Marku, Adiona Martini dhe Juxhina Mema, ish-zyrtar të bashkisë Lezhë, Luigj Paloka topograf dhe Altin Mikaj, përfitues i pronave të tjetërsuara.
Ish-drejtori i Urbanistikës Sokol Toma i tha BIRN se deklarimet i kishte dhënë në prokurori dhe nuk kishte çfarë shtonte. Të tjerë të akuzuar nuk iu përgjigjën kërkesave për koment apo nuk qenë të arritshëm.
Kjo nuk është hera e parë që personat e mësipërm akuzohen për këtë vepër penale. Ish-kryebashkiaku Frrokaj u gjet fajtor në Gjykatën e Shkallës së Parë Lezhë për këto akuza dhe pret vendimin e apelit. Njëlloj edhe ish-kreu i këshillit të qarkut. Zyrtarë të tjerë në këtë hetim janë përmendur edhe hetimet që u kryen ndaj vëllait dhe të afërmve të tjerë të ish-deputetit socialist Arben Ndoka. Ky i fundit u arrestua, por më pas nuk u gjet fajtorë për akuza të lidhura me tjetërsimin e pronave.