Opinion5 Nov 2020

A janë zgjedhjet në SHBA si zgjedhjet shqiptare?

Rezultati i ngushtë në zgjedhjet amerikane për president dhe vonesat e debatet në numërim kanë shtyrë shumë shqiptarë të krahasojnë ato me ato shqiptare. Këto janë arsyet se pse argumenti është shumë i pavend.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Simpatizantët shqiptarë të presidentit amerikan Donald Trump ulen në një vend që i vunë emrin Trump Club Tirana ku po ndjekin rezultatet e zgjedhjeve amerikane. | Foto : LSA

A janë zgjedhjet amerikane si ato tipike shqiptare, me komisionerë që fusin vulën në xhep kur nuk duan që të numërohen votat apo me Komision Qendror Zgjedhjesh që e bën të zezën të bardhë për të favorizuar partinë që i ka emëruar anëtarët e saj? Apo, akoma më tutje, me prokurorë që bëjnë sikur janë sëmurë kur bëhet fjalë për të hetuar krimet zgjedhore dhe gjyqtarë që nuhasin nga anon pushteti për t’i dhënë “drejtësinë” më të fortit?

Përgjigjet për të gjitha këto pyetje ka gjasa që janë në të gjitha rastet “jo!” Zgjedhjet amerikane nuk janë si këto shqiptaret. Dhe sistemi politik amerikan është shumë i ndryshëm nga ai shqiptar. Këto janë disa tipare të sistemit amerikan.

Çdo amerikan mund të vetëdeklarohet sipas dëshirës nëse është demokrat apo është republikan apo diçka tjetër. Si të tillë, ata vetëregjistrohen në zyrat zgjedhore për të votuar në zgjedhjet primare se kë prej kandidatëve të secilës parti duan të mbështesin që të garojë në zgjedhje. Me pak fjalë, partitë politike amerikane janë parti pa anëtarësi të tillë si partitë shqiptare. Kjo bëri që Donald Trump të vetëdeklarohej dhe të regjistrohej si republikan, pastaj si demokrat, pastaj si reformator, pastaj si i pavarur dhe në fund si republikan – parti me të cilën u bë president. Nëse një shqiptar dëshiron të regjistrohet si, fjala vjen, demokrat apo socialist, karriera e tij politike vështirë se do të kalojë rojën e derës së partisë pa lejen e kryetarit. Por te partitë politike amerikane është e shenjtëruar që partia është një gjë dhe kandidati është një gjë tjetër. P.sh., a ju thotë gjë emrat Tom Perez dhe Ronna McDaniel? Ka gjasa që jo. Por Perez është kryetar i Komitetit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe Mc Daniel është kryetare e Komitetit Kombëtar të Partisë Republikane. Asgjë e tillë nuk ndodh në Shqipëri për shkak se trashëgimia historike dhe shpirtërore këtu duket se është ajo e babait të kombit, kryetarit të partisë që është gjithçka, edhe kryetar, edhe kryeministër.

Nëse pesë vetë mblidhen në një kafene, në një kishë apo në një park dhe vendosin të angazhohen në politikë, ata krijojnë një caucus. [Link] Përmes kësaj, ata prezantojnë te partitë përkatëse një problem, një shqetësim, një ide apo një kandidat. Kjo është mënyra kryesore e politikëbërjes në Shtetet e Bashkuara. Nuk ka asnjë kufizim në politikëbërje. Fjala ka dalë nga emri i një klubi në Boston ku disa njerëz mblidheshin për të diskutuar politikë. Ne kemi në politikën shqiptare një term së largu të ngjashëm, por pak të njohur: Fraksionet. Në Partinë Socialiste, diku nga vitet 2000, ka pasur një si tip debati për “legalizimin” e fraksioneve brenda partisë. Vetë termi sugjeron që në fakt, fraksionet janë të paligjshme dhe duket se mbetën të tilla. Në Partinë Demokratike ka pasur një farëlloj propozimi të ngjashëm, i cili dukshëm nuk çoi asgjëkundi.

Shtetet e Bashkuara janë shtet federal dhe të qenit shtet federal do të thotë se secili shtet anëtar ka të drejtën të bëjë ligje. Si të tilla, shtetet kanë ligjet, rregullat dhe procedurat e veta në administrimin e zgjedhjeve. Në disa qarqe, kryetari i komisionit të organizimit të zgjedhjeve zgjidhet me votim, në disa të tjera ka formula të tjera. Por parimi se organizatori i zgjedhjeve është i pavarur nga palët garuese është ai që është brendësuar prej të gjitha kohërave.

Në SHBA drejtësia është efektive, në Shqipëri, voton për pushtetin. Historia e shkurtër e zgjedhjeve shqiptare na tregon se si reminishencë e jetës nën komunizëm, gjyqtarët shqiptarë janë shërbyes të pushtetit më shumë se sa kufizues dhe mbikëqyrës të pushtetit. Në vitin 2001, në një nga zgjedhjet më të pista të historisë së vendit, Gjykata Kushtetuese e vendit i dha të drejtë vetes të rishpërndante një të tretën e të gjitha mandateve parlamentare në atë që u pa nga  ndërkombëtarët si “zbatim jokonsistent i standardeve”, dhe “tregim anësie” ndaj partisë në pushtet. Kjo ngjan e kuptueshme në kushtet kur një pjesë e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të asaj kohe ishin emëruar nga Partia Socialiste (njëri ishte në post me dekret të Ramiz Alisë). Në zgjedhjet aktuale në SHBA, Andrew Hanen, një gjyqtar konservator nga Teksasi, i emëruar në pozicion nga republikani George W. Bush, refuzoi kërkesën e Partisë Republikane të Teksasit që të mos numëroheshin 127 mijë vota [Link]. Gjyqtari nuk u bind nga argumenti i republikanëve se mënyra e hedhjes së votës mbarte rrezikun e manipulimit të saj. Morali i fabulës: pavarësisht se çfarë je dhe kush të ka emëruar, një gjyqtar është i pavarur.

Zgjedhjet janë një punë plot telashe në të gjithë botën dhe në zgjedhjet amerikane ka plot hile, zvarritje, sfida gjyqësore etj. Por ndryshe nga Shqipëria, Shtetet e Bashkuara kanë kulturën e institucioneve të pavarura, parimin e shenjtërisë së votës dhe ndëshkimin në rast abuzimesh. Dhe nëse sheh zgjedhjet amerikane nga njëra anë dhe zgjedhjet shqiptare nga ana tjetër, mund të thuash se vonesat dhe telashet në SHBA janë produkt i demokracisë ndërsa në Shqipëri janë reminishencë e shoqërisë totalitare të kohës së komunizmit.