Lajm18 Jul 2018

Anëtari i Gjykatës së Lartë, Artan Zeneli ngel në veting

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra gjyqtarin Artan Zeneli, pas konstatimeve se kishte dështuar të deklaronte revokimin e një vize amerikane si dhe kishte mospërputhje dhe pasaktësi në deklarimin e pasurisë.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtaret Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari gjatë një seance dëgjimore. Foto:LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin nga detyra të anëtarit të Gjykatës së Lartë, Artan Zeneli në një seancë të shkurtër të mërkurën, ndërsa ky i fundit mungoi gjatë shpalljes së vendimit.

Zeneli është anëtari i tretë i Gjykatës së Lartë që nuk e kalon vetingun pas Tom Ndrecës dhe Admir Thanzës. Ndërkohë, procesi është rihapur edhe për gjyqtarin Edmond Islamaj, i cili ndonëse kaloi me sukses shkallën e parë, do të duhet të përballet sërish me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Procesi i rivlerësimit për gjyqtarin Zeneli u drejtua nga Etleda Çiftja, me relatore Xhensila Pine dhe anëtare Valbona Sanxhaktari. Hetimi administrativ i lexuar në seancën dëgjimore konstatoi se gjyqtari Zeneli nuk kishte deklaruar revokimin e një vize amerikane në Janar 2016 si dhe kishte mospërputhje në deklaratat e tij të pasurisë.

Sipas relatores Xhensila Pine, subjekti i rivlerësimit e kishte plotësuar formularin e pastërtisë së figurës më 16 janar dhe e ka dorëzuar atë personalisht në KPK më 27 janar. Mes këtyre dy datave, anëtari i Gjykatës së Lartë është njoftuar nga Konsullata e Ambasadës Amerikane për revokimin e vizës-fakt i cili sipas relatores nuk është pasqyruar në formularin përkatës.

Zeneli pretendoi se e kishte plotësuar në rregull formularin e pastërtisë së figurës, pasi përveç vizës turistike të revokuar, ai zotëronte edhe një vizë zyrtare amerikane. Ai sqaroi më tej se viza e dytë i ishte revokuar në qershor 2018.

Për kriterin e pasurisë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arriti në përfundimin se gjyqtari Zeneli kishte mospërputhje mes deklarimeve periodike dhe deklaratës “veting” për një vilë 260 metra katrorë, të blerë në vitin 2007 në zonën e quajtur “Kodra e Diellit” në Tiranë për një vlerë 196 mijë euro, një apartament 170 metra katrorë, dy apartamente banimi në rrugën “Sami Frashëri” dhe një apartament në Golem me sipërfaqe banimi 74 metra katrorë dhe tarracë po kaq.

Gjithashtu, gjyqtari u akuzua se nuk kishte deklaruar një sipërfaqe toke të privatizuar nga Bashkia Tiranë në vitin 2016 si dhe shitjen e një trualli në Velipojë.

Gjyqtari Artan Zeneli u mbrojt me argumentin se pasuria e tij ka burime të ligjshme dhe i cilësoi disa nga mospërputhjet si “harresa njerëzore”.

“Të ardhurat dhe pasuria ime i përkasin periudhës para se të bëhesha gjyqtar. I kam deklaruar ashtu siç kanë qenë në realitet. Nga dita që jam bërë gjyqtar, pasuria ime vetëm është pakësuar,” tha Zeneli.