Kuvendi i Shqipërisë i dominuar nga Partia Socialiste zgjodhi me 98 vota pro Artur Metanin në postin më të lartë të sistemit të ri të drejtësisë, pavarësisht pikëpyetjeve e ngritura mbi lidhjet e tij politike.
Kuvendi zgjodhi Metanin në një votim të kryer të Hënën më 20 janar, me propozim të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi ndërkohë që emri i tij është diskutuar si person me lidhje politike për shkak se ka shërbyer më herët në postin e Avokatit të Shtetit, një pozicion ku është emëruar nga Kryeministri Edi Rama si dhe ka lidhje familjare me politikanë socialistë, konkretisht është vëllai i deputetes socialiste dhe ish-ministres Eglantina Gjermeni.
Petrit Vasili, nënkryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim në opozitë, reagoi menjëherë pas zgjedhjes duke e quajtur sistemin e ri të drejtësisë “kastë”.
“Zgjidhni vëllezër e kunetër e fare dhe fis te Rilindjes ne krye te institucioneve te drejtësisë, qe jo vetëm i shërbejnë e janë gjymtyrët e kastës, por kësisoj kastën e kthejnë në sekt kusarësh dhe tradhtarësh,” shkroi Vasili në Facebook duke iu drejtuar kryetarit të kuvendit Gramoz Ruçi.
Metani, i cili ka shërbyer si këshilltarë për presidentët Alfred Moisiu dhe Bamir Topi, është akuzuar nga Partia Demokratike si zgjedhje direkte e kryeministrit. Në një deklaratë për shtyp në gusht të këtij viti PD e cilësoi kandidimin e Metanit të paligjshëm duke vënë në dukje se ai kishte mbajtur poste politike si këshilltar i presidentit deri në vitin 2012 dhe se kjo duhej ta kishte skualifikuar atë automatikisht.
Kjo nuk e ndaloi Këshillin e Emërimeve në Drejtësi t’i japë atij pikët maksimale në procesin paraprak dhe kuvendit ta zgjedhë kryeinspektor.
Nga posti i kryeinspektorit z. Metani do të ketë autoritetin të hetojë të gjitha shkeljet admininstrative në të gjithë infrastrukturën e re të sistemit të drejtësisë, përfshirë gjyqtarët, prokurorët dhe anëtarët e KLP-së dhe KLGJ-së.