Lajm10 Jan 2017

Bashkëshorti i gjyqtares Andrea dorëzohet në polici pas 6 muajsh arrati

Odhise Andrea, ish-këshilltar në Kuvend është vetëdorëzuar në policinë e Tiranës mbrëmjen e së hënës për t’u përballur me akuzën e korrupsionit pasiv.   

Autor: Lindita Çela BIRN Tiranë
Printo

Gjykata e Lartë, ku po zhvillohet çështja gjyqësore kundër bashkëshortëve Andrea.

Gjykata e Lartë, ku po zhvillohet çështja gjyqësore kundër bashkëshortëve Andrea.

Odhise Andrea, ish këshilltar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kuvend u dorëzua  mbrëmjen e së hënës në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. 52 vjeçari është bashkëshorti i gjyqtares së Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea-të dy akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për korrupsion.

Zyrtari i Kuvendit u vetëdorëzua rreth orës 21.30 të mbrëmjes së hënë, duke pretenduar se është i pafajshëm. Përmes një njoftimi për shtyp, policia konfirmoi vetëdorëzimin e Andreas.

“Odhise Andrea, 52 vjeç, banues në Tiranë, u vetëdorëzua sepse me Vendimin Penal të datës 16.07.2016, Gjykata e Lartë ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale të “Korrupsion pasiv të gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Nenet 319/ç dhe 25 të Kodit Penal,” thuhet një njoftim zyrtar të Policisë së Shtetit.

Në korrik të vitit 2016, Prokuroria e Krimeve të Rënda akuzoi Majlinda Andrean se ishte përfshirë në marrjen e një rryshfeti prej 50 mijë eurosh në këmbim të një vendimi për një çështje pronësie në Butrint. Përveç saj, Prokuroria ngriti akuzë edhe për bashkëshortin e gjyqtares dhe tre persona të tjerë, të cilët akuzoheshin për korrupsion aktiv.

Gjykata e Lartë caktoi caktuar masën e sigurisë “pezullim nga detyra” për gjyqtaren, ndërsa për bashkëshortin e saj dhe të akuzuarit Ilia Çabiri, Petraq Dashi dhe Eleni Lino masën e arrestit me burg.

“Këta tre shtetas dyshohet se i kanë paguar gjyqtares Majlinda Andrea 50 mijë euro për të dhënë një vendim në favor të tyre, në një proces njohjeje prone që ishte në shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Shuma e parave dyshohet se i është dhënë gjyqtares nëpërmjet bashkëshortit të saj, Odhise Andrea,” deklaroi në atë kohë Prokuroria e Përgjithshme.

Aktualisht, çështja ndodhet në shqyrtim gjyqësor në Gjykatën e Lartë.

Nga aktet hetimore rezulton se i dyshuari Ilia Çabiri, në cilësinë e përfaqësuesit të një familjeje ish-pronare ka zhvilluar disa procese gjyqësore për njohjen e një sipërfaqe toke rreth 40 hektarë në zonën e Butrintit.

Në fillim të korrikut 2016, kjo çështje ishte në “fazën e studimit” në Gjykatën e Lartë. Sipas  akuzës, Ilia  Çabiri është angazhuar që procesi gjyqësor në Gjykatën e Lartë të përfundonte në favor të tij. Për këtë arsye, ai ka kontaktuar me të dyshuarin Petraq Dashi, i cili nga ana e tij kishte njohje dhe komunikim me shtetasin Odhise Andrea.

Prokurorët kanë siguruar një kontratë fiktive ndërmjet Ilia Çabiri dhe Eleni Linos, në bazë të të cilës ai deklaron se u huazon atyre shumën prej 50 mijë euro. Prokuroria pretendon se këtë shumë, Petraq Dashi ia ka dorëzuar bashkëshortit të gjyqtares së Gjykatës së Lartë.

“Një ditë pas dhënies së parave, konkretisht në datë 12.07.2016, trupa e Gjykatës së Lartë, pjesë e të cilës është edhe e dyshuara Majlinda Andrea, u shpreh me vendim në favor të shtetasve Ilia Çabiri dhe Eleni Lino,” thuhet në dosjen hetimore në ngarkim të gjyqtares.