
Pas muajsh krizash, dorëheqjesh dhe akuzash të ndërsjella, Biblioteka Vaclav Havel ka humbur të drejtën për të përdorur emrin e ish-presidentit dhe ikonës së të drejtave të njeriut.
Të martën në mbrëmje, Dagmar Havlova – e veja e dramaturgut që u bë president dhe mbajtëse e të drejtave mbi emrin dhe personalitetin e tij – tërhoqi pëlqimin e saj që Biblioteka Vaclav Havel me seli në Pragë të vazhdonte të përdorte emrin e bashkëshortit të ndjerë.
“Kam arritur në përfundimin se nuk dëshiroj më të mbaj përgjegjësi për mënyrën se si përdoret emri i Vaclav Havel-it dhe kam humbur besimin te drejtimi aktual i Bibliotekës,” tha Havlova në një deklaratë të dërguar për disa media çeke.
Një epokë e re

Vendimi i Dagmar Havlova-s nëse do të lejonte apo jo që Biblioteka të vazhdonte të përdorte emrin e Havel-it ishte pritur prej javësh. Njoftimi i saj duket se i jep fund spekulimeve të kahershme, duke e detyruar institucionin dikur të respektuar ose të mbyllë dyert, ose të rivijë pa emrin Havel, pa stafin aktual dhe pa burimet e deritanishme financiare.
E themeluar në vitin 2004, një vit pasi Havel u largua nga posti i presidentit, nga bashkëshortja e tij Dagmar Havlova dhe dy bashkëpunëtorë të afërt, Biblioteka Vaclav Havel me seli në Pragë ka promovuar për më shumë se dy dekada idetë e tij mbi humanizmin dhe tolerancën, si edhe angazhimin qytetar dhe dialogun demokratik, përmes diskutimeve të rregullta, seminareve, debateve, punës arkivore dhe programeve edukative.
Ian Willoughby, gazetar irlandez në redaksinë në gjuhën angleze të radios publike çeke, ka bashkëpunuar me bibliotekën për 15 vjet si përkthyes dhe moderator i një cikli mujor bisedash me të ftuar.
“Do të ishte e tepruar të thosha se Vaclav Havel më tërhoqi drejt Pragës në fillim të viteve 1990, por ai ishte padyshim një nga arsyet që e bënin këtë vend kaq tërheqës,” tha ai për BIRN, duke kujtuar me kënaqësi punën e tij me institucionin që kishte për mision ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së Havel-it, përfshirë edhe te publiku joçek.
Lidhja e gjatë e Willoughby-t me bibliotekën mori fund papritur, siç njoftoi ai më herët gjatë qershorit, pasi një diskutim publik në gjuhën angleze u anulua vetëm pak ditë përpara zhvillimit të tij.
Madje edhe para njoftimit të Havlova-s, ata pak persona që vazhdonin të ishin të përfshirë në bibliotekë pranonin se ditët e organizatës mund të jenë të numëruara, ndonëse askush nuk dukej i gatshëm të merrte përgjegjësinë për situatën.
Një objektiv i lehtë kritikash

Shumë prej kritikave janë drejtuar në mënyrë të pashmangshme ndaj drejtuesve të bibliotekës, veçanërisht ndaj Tomas Sedlacek-ut, 49 vjeç, i cili drejton institucionin që prej marsit 2025.
Ekonomist i njohur, ish-këshilltar i Vaclav Havel-it dhe komentator shpesh provokues në media, Sedlacek u konsiderua arsyeja kryesore që pothuajse i gjithë stafi prej 17 personash i bibliotekës – përfshirë shumë miq dhe bashkëpunëtorë të Havel-it – dha dorëheqjen në shenjë proteste në maj. Ata e akuzuan atë për një stil drejtimi kaotik dhe të paaftë.
Edhe i gjithë bordi drejtues i bibliotekës – me përjashtim të David Dusek-ut, nipit të mikut të ngushtë të Havel-it, Zdenek Urbanek, dhe nënkryetar i Bashkisë së Distriktit 5 të Pragës – u largua nga detyra. Dorëheqjen e tyre e pasuan edhe dy donatorët kryesorë të institucionit, miliarderët Zdenek Bakala dhe Karel Komarek.
Bakala dhe Komarek njoftuan se do të ndërprisnin mbështetjen financiare duke filluar nga viti i ardhshëm, duke argumentuar se “mënyra aktuale e drejtimit dhe funksionimit të bibliotekës nuk përputhet me marrëveshjet dhe parimet e bashkëpunimit të ndërsjellë”.
Më pas, në fillim të qershorit, Dagmar Havlova – e cila nuk kishte rol të drejtpërdrejtë në administrimin e përditshëm të institucionit, por zotëron ligjërisht të drejtat mbi emrin dhe figurën e bashkëshortit të ndjerë – deklaroi se po tërhiqej gjithashtu nga projekti, “pas një periudhe të gjatë dhe të dhimbshme reflektimi”. Në atë kohë, ende nuk ishte e qartë nëse ajo do të vazhdonte t’i lejonte bibliotekës përdorimin e emrit Havel.
Martin Putna, drejtues i bibliotekës në periudhën 2008–2011, e kritikoi ashpër Sedlacek-un, duke e akuzuar se po promovonte një version kitsch dhe me prirje kultizuese të figurës së Havel-it, të cilin e cilësoi si “mohim dhe tallje me Vaclav Havel-in e vërtetë”.
Kritikat erdhën pas një interviste të dhënë nga Sedlacek në fund të vitit të kaluar, ku ai deklaroi se “Havel e kishte gjetur përgjigjen për kuptimin e jetës, universit dhe gjithçkaje që përmban ai: ajo është e vërteta dhe dashuria”, duke perifrazuar një prej thënieve më të njohura të ish-presidentit. Për shumë kritikë, ky interpretim i thjeshtëzuar binte ndesh me misionin e vetë institucionit, i cili duhet të nxisë debat dhe të ofrojë një kuptim më të thellë të filozofisë politike dhe personale të Havel-it.
Shkrimtari i njohur dhe ish-punonjësi i bibliotekës, Jachym Topol, tha se stafi ishte i pakënaqur me përpjekjet për ta shndërruar trashëgiminë e Havel-it në një “produkt të tregtueshëm”, në një lloj versioni të komercializuar që, sipas tij, po e kthente atë në “Mickey Mouse ose diçka të ngjashme”.
Mes deklaratave të tjera që ngjallën polemika ishte edhe promovimi nga Sedlacek i përdorimit të inteligjencës artificiale në të ardhmen, me synimin që institucioni të funksiononte me një staf më të vogël.
Megjithatë, ajo që duket se ishte pika që derdhi gotën ishte premtimi i tij për ta “çliruar” Vaclav Havel-in nga kontrolli monopolist i të ashtuquajturës “skenë e kafeneve të Pragës” – një term shpesh përçmues që përdoret për të përshkruar një rreth të paqartë intelektualësh urbanë, të perceptuar si të shkëputur nga realiteti. Kjo deklaratë i largoi edhe më shumë ata që tashmë dyshonin se Sedlacek ishte personi i duhur për të ruajtur trashëgiminë e Havel-it.
Por, përtej zhurmës mediatike dhe përplasjes së personaliteteve të përfshira, konflikti ka rrënjë më të thella, që lidhen si me strukturën e brendshme të bibliotekës, ashtu edhe me vetë trashëgiminë komplekse të Vaclav Havel-it.
Çështje shumë më të thella
Nga ana e tij, Sedlacek – i cili më herët ka deklaruar se po shqyrtonte një kandidim për president në vitin 2027 – ka mbajtur një qëndrim sfidues gjatë gjithë krizës, duke u zotuar se nuk do të japë dorëheqjen në asnjë rrethanë dhe duke vlerësuar punën e tij në krye të institucionit.
Duke shprehur habinë për largimet masive të fundit, të cilat sipas tij mund të shërbejnë si pikënisje për një “fillim të ri”, Sedlacek tha se kishte ofruar disa herë dorëheqjen gjatë vitit të kaluar, por ishte këshilluar të qëndronte në detyrë, duke lënë të kuptohej se “dikush i fuqishëm ka sjellë një rrëmujë të madhe këtu”.
Sipas tij, një pjesë e reagimeve negative lidhet me përpjekjet e tij për të “modernizuar” trashëgiminë e Havel-it dhe për të gjetur mënyra që institucioni të bëhet pjesërisht i vetëqëndrueshëm financiarisht “dhe të mos varet nga grantet apo të lustrojë dorezat e miliarderëve”.
“Do të doja që të funksiononte si lavjerrësi i Foucault-it: një pjesë të jetë fitimprurëse, e cila më pas financon pjesën jofitimprurëse, duke e bërë atë një organizatë jofitimprurëse,” shpjegoi Sedlacek në një intervistë për Seznam Zprávy.
Ai hodhi poshtë gjithashtu akuzat për komercializimin e trashëgimisë së ikonës pro-demokracisë së Çekosllovakisë, duke theksuar se biblioteka “ka shitur bluza me Vaclav Havelin për rreth 12 vjet”, si edhe libra, lapsa dhe produkte të tjera.
Siç kanë vënë në dukje disa komentues, pas krizës aktuale fshihen konflikte më të thella, ku kundërshtimi ndaj Sedlacek-ut shihet vetëm si një “mosmarrëveshje proxy”, që mbulon problemin thelbësor: “pushtetin që bashkëshortja e presidentit, Dagmar Havlova, ka brenda bibliotekës”, sipas Deník N.
Siç thekson gazetari Petr Fischer, zhvillimet e fundit kanë burimin në vetë strukturën e brendshme të Bibliotekës Vaclav Havel, “në të cilën trashëgimtarja ka fjalën vendimtare pothuajse për gjithçka, ndërsa donatorët në bordin drejtues ishin thjesht furnizues të kapitalit operativ”.
“Për sa kohë që paratë e donatorëve vërshonin në institucion, shumica e problemeve dhe konflikteve të brendshme mund të kapërceheshin”, argumentoi Fischer, duke shtuar se kjo filloi të ndryshojë me ardhjen e Sedlacek-ut – bashkë me “karizmën dhe egon e tij të fortë publike” – e cila ndoshta shërbeu si një “justifikim i përshtatshëm për t’u tërhequr ligjërisht nga projekti”.
Komentatori i Radio Çekisë, Ondrej Konrad, ndan të njëjtin vlerësim, duke argumentuar se Havlova “ka pasur prej kohësh një marrëdhënie ambivalente me bibliotekën” dhe “nuk ka treguar shumë interes për institucionin”, veçanërisht pas vdekjes së Havel-it në vitin 2011.
Burime të tjera të brendshme kanë sugjeruar në media se biblioteka prej vitesh ka funksionuar më shumë pavarësisht ish-zonjës së parë Havlova sesa me mbështetjen e saj të plotë.
Duhet të flasim për Vaclav-in
“Mund të duket simbolike që në një kohë kur ndoshta po largohemi gjithnjë e më shumë nga idetë e Vaclav Havel-it, institucioni që duhej t’i mbante ato ide në ndërgjegjen publike po shkon drejt fundit”, shkroi Erik Tabery, kryeredaktor i të përjavshmes Respekt.
Nëse biblioteka do t’i mbyllë vërtet dyert apo thjesht do të nisë një kapitull të ri me burime të reja financimi dhe një menaxhim të ri, mbetet ende e paqartë.
“Biblioteka ka qenë një burim i rëndësishëm për njerëzit në Çeki dhe për studiues ndërkombëtarë të interesuar për Havel-in dhe kjo do të humbet” në rast të mbylljes së saj, shpjegoi gazetari i Radio Çekisë, Willoughby. “Ajo ka një arkiv të madh materialesh të lidhura me Havel-in dhe jam kureshtar se ku do të përfundojnë ato.”
Një ngjarje që vjen vetëm pak muaj përpara asaj që do të kishte qenë 90-vjetori i lindjes së Havel-it në tetor dhe në vitin e parë të forcimit të rrymave populiste dhe joliberale në Çeki, simbolika e shpërbërjes së shpejtë të institucionit mes përçarjeve publike dhe fajësimeve në media nuk u ka shpëtuar shumë vëzhguesve.
Sipas gazetarit dhe filozofit Fischer, “Tomas Sedlacek arriti një gjë: rihapi një debat publik mbi trashëgiminë e Havel-it”.
Në një intervistë të fundit në një podcast, Fischer theksoi se Havel është i idealizuar nga një pjesë e shoqërisë çeke dhe i refuzuar nga një pjesë tjetër, duke e vendosur debatin aktual në kuadrin më të gjerë të polarizimit social dhe politik në rritje në Çeki. “Kur shoqëria është e ndarë, figura të tilla si Havel-i bëhen natyrisht burime të forta të përplasjes intelektuale”, ndonëse kjo sjell rrezikun – nga të dyja palët – të krijimit të një versioni të thjeshtëzuar dhe të zbehur të Havel-it.
Duke e përmbledhur, ai tha: “Kontradiktat e Havel-it janë më interesante sesa përpjekjet për ta kthyer atë në një figurë konsensuale në dimensionin historik të një lloj Gandhi evropian.”
Willoughby tha për BIRN se nuk beson që kolapsi i bibliotekës do të dëmtonte drejtpërdrejt trashëgiminë e Havel-it. Megjithatë, duke theksuar punën e rëndësishme të institucionit, përfshirë bashkëpunimin me 1,400 shkolla çeke vitin e kaluar, ai vëren se një mbyllje e mundshme “do të thotë që fëmijët çekë nuk do ta dëgjojnë emrin e tij aq shpesh, për shembull, pas pesë vitesh sa e dëgjojnë sot”.
“Për mua është e trishtueshme dhe me një ironi të hidhur që biblioteka po shembet në një moment historik kur duket se botëkuptimi i Havel-it – i qartë ndaj Rusisë, progresiv dhe në fund optimist – nevojitet më shumë se kurrë,” tha Willoughby.







