Analize4 Oct 2015

Bashkia e Tiranës do të kthejë në qytetet e tyre romët që nuk janë “tiranas”

Pas rrahjes së një shtetasi gjerman në kampin më të madh me baraka të romëve në Tiranë, bashkia e Tiranës deklaroi se do t’i shpërngulë ata në qytetet e origjinës në rast se nuk janë në regjistrin civil të Tiranës dhe në qendrën tranzitore të emergjencave në rast se janë nga Tirana.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Kampi me baraka i romëve te Liqeni Artificial i Tiranës më 4 tetor 2015. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Kampi me baraka i romëve te Liqeni Artificial i Tiranës më 4 tetor 2015. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Më 29 shtator 2015, media shqiptare raportoi se një shtetas gjerman me emrin Gregor Mahr qe rrahur rëndë nga disa romë, pasi kishte hyrë në konflikt me ta në lidhje me ndotjen e ajrit të shkaktuar nga djegia e plastikës në qiell të hapur, tha ai për Vizion Plus.

Sipas Mahr, djegia e plastikës i kishte shkaktuar ajër të rëndë në shtëpinë e tij, një vilë trekatëshe disa qindra metra larg barakave të romëve dhe se në orën 23 të mbrëmjes së 28 shtatorit kishte vajtur me makinën e tij për ta shuar vetë flakën para se të sulmohej nga romët.

Xhoni, një nga romët e përfshirë në sherr, tha për BIRN se ata me të vërtetë e rrahën gjermanin, por e bënë për shkak se u vunë në sulm prej tij. Ai dhe disa të rinj të tjerë nga kampi u mbajtën në komisariat për 24 orë dhe pastaj u liruan.

Vizion Plus, një televizion vendës e trajtoi problemin duke i dhënë një mbulim të gjerë. Zyrtarë të ndryshëm të Bashkisë së Tiranës, përfshirë kryebashkiakun Veliaj dhe zëvendëskryetarin Mazniku, u pyetën në mënyrë të përsëritur dhe thanë se po punonin për një zgjidhje. [Link], [Link], [Link].Banorët e zonës u intervistuan dhe shprehën shqetësime e frikë nga kampi i romëve.

Në fillim të tetorit 2015, Bashkia e Tiranës deklaroi se kishte hartuar një plan veprimi për zhvendosjen e romëve.

“Nisur nga shqetësimet e vazhdueshme të banorëve të zonës pranë Liqenit Artificial të Tiranës, por edhe nga qytetarë të ndryshëm, të cilët i janë drejtuar institucionit tonë për zgjidhjen e problemit të ndotjes, sigurisë dhe zënies së hapësirës publike, Bashkia e Tiranës njofton se ka gati një plan të detajuar veprimi për ndërhyrjen dhe zhvendosjen e familjeve të komunitetit rom, të cilat prej vitesh, në mënyrë abuzive, por edhe në kushte çnjerëzore, jashtë çdo standardi jetese, kanë uzurpuar një pronë publike të qytetit të Tiranës,” deklaroi bashkia.

Kampi me baraka i romëve te Liqeni Artificial i Tiranës më 4 tetor 2015. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Kampi me baraka i romëve te Liqeni Artificial i Tiranës më 4 tetor 2015. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Sipas planit të saj, romët të cilët rezultojnë të regjistruar si banorë të Tiranës do të kenë mundësinë të vendosen në disa ish-kazerma të ushtrisë shqiptare në Tufinë, rreth 6 kilometra në periferi të Tiranës, në një institucion të njohur si “Qendra Tranzitore e Emergjencave”, ndërsa romët, të cilët rezultojnë të regjistruar si banorë të qyteteve të tjera, “do t’u sigurohet transport falas” drejt këtyre qyteteve.

BIRN pyeti shumë nga familjet rome dhe rezultoi se të gjitha ishin nga qytetet e tjera. Nga qyteti i Tiranës nuk kishte.

Për disa nga familjet e kampit, kjo është hera e tretë që kampi i tyre shpërngulet në pesë vitet e fundit.

“Ne u shpërngulëm nga stacioni i Trenit më 2011 kur na i vunë flakën barakeve,” thotë një 55 vjeçar rom nga Elbasani, i cili refuzon të japë emrin.

“Ne na përzunë sërish (në shtator 2013) nga Pallati me Shigjeta dhe erdhën të jetojmë këtu,” tha ai.

Një arsye tjetër që besohet se e ka shtyrë bashkinë për të shpërngulur kampin është dhe një projekt i Fondit Shqipëtar të Zhvillimit për të pyllëzuar zonën e Liqenit Artificial që sot zihet nga kampi i barakave.

Kampi i romëve

Kampi i romëve gjendet pranë liqenit artificial të Tiranës në buzë të Unazës së re të kryeqytetit. Zona e njohur si Liqeni i Thatë apo Kodrat e Ullishtave është periferia më e pasur e Tiranës. Nën hijen e ullinjve shekullorë janë ndërtuar gjatë viteve të fundit blloqe apartamentesh për shtresën e mesme dhe një numër i konsiderueshëm vilash luksi me pishina dhe fusha basketbolli private.

Kampi me baraka i romëve te Liqeni Artificial i Tiranës më 4 tetor 2015. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Kampi me baraka i romëve te Liqeni Artificial i Tiranës më 4 tetor 2015. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

Pikërisht në këtë vend, buzë liqenit të madh të Tiranës, romët, më së shumti të ardhur nga Elbasani, Berati dhe Korça, ndërtuan kampin e tyre duke filluar nga viti 2011.

Gjermani që u rrah nga romët jeton në një vilë trekatëshe fare pranë liqenit artificial, brenda territorit të parkut kombëtar. Natyrisht që vilat nuk shkaktojnë aq shumë ndotje sa romët.

Romët erdhën në Tiranë nga qytete si Elbasani dhe Berati për shkakun e thjeshtë se në Tiranë, mirëqënia është më e lartë dhe rrjedhimisht, plehrat e riciklueshme në plastikë dhe metal, nga të cilat romët jetojnë, janë krahasimisht më të bollshme.

“Unë kam pesëmbëdhjetë vjet në Tiranë nga Elbasani,” tha një i moshuar rom i cili po transportonte bashkë me të shoqen një thes me mbeturina për riciklim.

“Në Berat nuk ka plehra për të mbledhur sepse aq është Berati,” tha një i ri, nga grupi i atyre që rrahën gjermanin.

Bashkia e Tiranës ndërkohë e rendit punën e romëve me plehra si një nga problematikat e zonës: “[Aty ka] përpunim abuziv mbetjesh, që vijnë në këtë vendqëndrim me mjete pa targa, motorë e karroca, çka është kthyer në një trafik të tërë spekullimi me mbetjet urbane”, tha bashkia, e cila e konsideron kampin me baraka si “vendqëndrim abuziv dhe të paligjshëm”.

Disa qindramijëra shqiptarë janë larguar nga qytetet e ndryshme të Shqipërisë për t’u vendosur në kryeqytetin Tiranë në kërkim të një jetese më të mirë që kur rënia e komunizmit në vitin 1991 solli falimentimin e pjesës dërrmuese të industrisë dhe mbylljen e vendeve të punës.

Qyteti i Beratit psh, humbi 17 për qind të popullsisë mes censuseve të viteve 2001 dhe 2011.

Një pjesë shumë e madhe e shqiptarëve që u vendosën në Tiranë përgjatë 25 viteve të fundit ndërtuan disa dhjetëramijëra banesa të paligjshme, të cilat, qeveria në vitin 2004 mori përsipër t’i legalizojë duke i dhënë tokën pothuajse falas si dhe duke investuar në krijimin e infrastrukturës së nevojshme për ujë të pijshëm, energji elektrike, kanalizime apo rrugë. Ligje për legalizime ndërtimesh pa leje u miratuan në vitet 2004 e 2006 ndërsa shtesa të tjera në këto ligje në vitet 2009 dhe 2014 e zgjeruan edhe më tej numrin e ndërtimeve pa leje me të drejtë legalizimi. Një numër relativisht i vogël familjesh të varfra rome nuk e patën këtë mundësi.

Si posedues barakash, romët nuk e fituan të drejtën për legalizim dhe tokë falas për shkak se barakat e tyre nuk klasifikohen teknikisht si “ndërtime”.

Shumica dërrmuese e banorëve të rinj të Tiranës morën të drejtën për t’u transferuar në regjistrin civil të kryeqytetit, në të cilin hyn në rast se ke një banesë nën pronësi ose me qira. Romët që jetojnë në baraka natyrisht që nuk plotësonin as kushtin e regjistrimit në regjistrin civil dhe rrjedhimisht, vijojnë të mbeten në regjistrat civilë të qyteteve të tjera, pavarësisht se mund të kenë më shumë se një dekadë që nuk jetojnë atje.

Në mars 2014, ndërsa qeveria po miratonte një ligj tjetër për legalizimin e një sasie tjetër ndërtimesh të paligjshme, një grup aktivistësh romë dhe egjiptianë me mbështetjen e disa organizatave joqeveritare që punojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, bënë një peticion ku i kërkuan Kuvendit të Shqipërisë të shtonte në listën e banimeve të vlefshme për legalizim edhe barakat, të cilat në shumicë u përkasin romëve.

Disa deputetë e sfiduan peticionin me argumente morale. Ata thanë se legalizimi i barakave do të nënkuptonte edhe “legalizimin” e jetesës së romëve në kushte çnjerëzore dhe rrjedhimisht, peticioni duhej rrëzuar. Ata i nxitën aktivistët të kërkonin më shumë ndihma nga shteti për familjet e pastreha dhe jo legalizimin e barakave. Njëri nga zyrtarët nuk bëri asnjë përpjekje për të fshehur racizmin e tij dhe i tha aktivistëve romë në emisionin televiziv “Ëake Up” në Top Channel: Ju jeni jevgj, nuk jeni romë, duke argumentuar se termi rom qe një sajesë e pavlerë e donatorëve.

Aktivistët nga ana e tyre shpresonin se, nëse qeveria legalizonte barakat, banorët e tyre do të fitonin të drejtën e pronësisë mbi tokën ku qenë vendosur dhe për rrjedhojë, do të fitonin një farë mbrojtjeje nga rreziku i vazhdueshëm i përzënies. Këtë vit, disa familje rome dhe jorome u përzunë nga zona e njohur si Selita në Tiranë dhe shtëpitë e tyre modeste u shembën pa shpërblim për t’i hapur rrugën ndërtimit të Unazës së Madhe të Tiranës. Ankesat e shumta të aktivistëve, Avokatit të Popullit si dhe disa përfaqësive diplomatike nuk i ndihmuan dot romët të merrnin ndonjë ofertë më të mirë nga qeveria se sa thjeshtë shembja e vendbanimeve.

Një histori e gjatë përzëniesh

Romët janë përzënë shpesh gjatë viteve të fundit në Tiranë, një qytet që ka njohur zhvillim të jashtëzakonshëm përgjatë 25 viteve të fundit me mijëra pallate të reja të ndërtuara.

Në shkurt 2011, kampi i romëve pranë Stacionit të Trenit, një zonë që dikur qe periferi ndërsa tashmë është pjesë e biznesit fitimprurës së ndërtimeve, u dogj nga dy të rinj të cilët u ankuan nga zhurma e shkaktuar nga një dasëm mes romëve. Në nëntor të atij viti, dy të rinj u dënuan me gjashtë dhe katër muaj burg për shkatërrim të pronës me zjarr, por gjykata hodhi poshtë pretendimin se sulmi kishte motive racore dhe rrjedhimisht nuk e gjykoi atë si krim urrejtjeje.

Në vitin 2013, një kamp tjetër romës pranë zonës së njohur si Pallati me Shigjeta u shkatërrua me buldozerë pasi një biznesmen mori leje ndërtimi pë tokën që ata kishin zënë.

Qeveria e majtë që sapo mori pushtetin në shtator 2013, nën presion të fortë mediatik, vendosi të transformojë disa kazerma ushtrie të ndërtuara në kohën e komunizmit në periferi të Tiranës në vendbanime për romët.

Disa nga familjet rome të cilave iu ofrua zhvendosja, refuzuan. Qeveria organizoi forcat e ushtrisë për t’i transferuar ato mbrëmjen e 16 tetorit 2013. “A po na internojnë?” pyeti një grua rome para kamerave në kohën kur forcat ushtarake po i ngarkonin rrobat e tyre në kamionë.

Internimi është një term i krijuar në kohën e Komunizmit në Shqipëri, kur çdo qytet kishte një institution të quajtur “Komisioni i Internim-Dëbimeve”. Detyra e këtij komisioni qe zhvendosja nga qytetet e elementëve të popullsisë që konsideroheshin si “problematikë”. Diskriminimi në atë kohë kishte më së shumti karakter moral ose ideologjik. Njerëzit që konsideroheshin si me “moral të dyshimtë”, përgjithësisht gra, ose ata që konsideroheshin si armiqësorë ndaj regjimit komunist, zhvendoseshin me dhunë, nga qytetet e mëdha në qytete më të vogla ose në fshatra.

Në total, një pjesë e familjeve të përzëna u strehuan në këto kazerma të njohura si “Qendra Tranzitore e Emergjencave në Tufinë”, disa refuzuan dhe disa familjeve thjeshtë nuk iu dha kjo mundësi. Në çastin që familjet rome u zhvendosën në Tufinë, disa familje të zonës protestuan, duke deklaruar se toka në të cilën që ndërtuar reparti ushtarak në kohën e komunizmit, ka qenë pronë e tyre para se të rrëmbehej pa kompensim nga qeveria.

Qendra e “përkohshme”

Menaxhimi i qendrës rezultoi një punë aspak e lehtë për autoritetet, sipas zyrtarëve dhe aktivistëve që folën për BIRN në kushtet e anonimatit.

Kushtet në qendër janë krahasimisht shumë më të mira se sa jetesa në baraka, fëmijët janë regjistruar për të shkuar në shkollë dhe përkujdesja shëndetësore nuk mungon. Qendra ka ujë të rrjedhshëm dhe energji elektrike të paguar nga shteti.

Por disa aktivistë kanë shprehur shqetësimin se ajo që u konceptua më 2013 si një zgjidhje emergjence e përkohëshme, siç e ka edhe emrin vetë qendra, mund të kthehet në një zgjidhje permanente, duke krijuar një kamp segregues për romët.

Autoritetet që drejtojnë Qendrën janë përballur me probleme nga më të ndryshmet, të cilat i kanë detyruar të vendosin rregulla nga më të ndryshmet, rregulla që jo gjithmonë tingëllojnë mirë.

Për shkak se një pjesë e familjeve rome të vendosura aty migrojnë për të lypur në Kosovë gjatë stinës së verës, shpesh duke shfrytëzuar fëmijët e tyre për këtë punë, autoritetet kanë miratuar një rregullore sipas të cilës, e drejta e qëndrimit në qendër humbet, në rast se largohesh për një periudhë të gjatë nga qendra. Zbatimi i këtij rregulli nënkupton nevojën që dikush të mbajë shënim se cili nga romët hyri apo doli në qendër. Rrjedhimisht ish baza ushtarake e rrethuar ka tashmë edhe roje dhe vizitat e gazetarëve në të nuk mund të bëhen pa lejen e Shërbimit Social Shtetëror, institucionit që menaxhon qendrën.

Megjithëse kushtet e ofruara në qendër janë shumë herë më të mira se sa jetesa në baraka, disa aktivistë kanë frikë se qendra, në vend që të jetë në funksion të integrimit të romëve në shoqërinë shqiptare, po kthehet në një lloj burgu të sigurisë së ulët.

“Unë nuk shkoj atje, nuk dua”, tha një rom nga Elbasani i pyetur nga BIRN pranë barakës së tij te Liqeni Artificial më 4 tetor, pa dhënë shpjegime. Në fakt, edhe nëse do, romit në fjalë mundësia e strehimit te ish kazermat ushtarake nuk ekziston.

Në njoftimin për shtyp, Bashkia e Tiranës bën të qartë se ka një dallim të madh mes romit “tiranas” dhe romit të ardhur nga qytetet e tjera.

“Familjeve të komunitetit rom, të cilat do të zhvendosen nga zona në fjalë dhe që janë banorë të kryeqytetit, Bashkia e Tiranës u ofron një strehë me kushte shumë më të mira jetese dhe të gjithë ndihmën e nevojshme logjistike për sistemimin pranë Qendrës Tranzitore të Emergjencave në Tufinë”, thotë njoftimi.

“…Familjeve të cilat rezultojnë me vendbanim dhe të regjistruara në gjendjen civile të qyteteve të tjera të Shqipërisë, do t’u sigurohet transporti falas”, vijon ai.

Një zyrtar i Ministrisë së Çështjeve Sociale dhe Rinisë, i tha BIRN në kushtet e anonimatit se përpjekjet për të mbullur kampin e romëve pranë liqenit kanë nisur kohë më parë. Fillimisht, Bashkisë së Tiranës dhe Komunës së Farkës, u qe kërkuar para zgjedhjeve të qershorit të merrnin masa për të diskurajuar shtimin e familjeve rome në këtë vendbanim. Por, vijoi burimi, administrata e mëparshme e bashkisë nuk e kishte parë të arsyeshme të vepronte nga frika e pasojave “elektorale” që mund të kishte nga imazhi i keq që krijohet nga përzënia e një numri romësh.

“Është komunikuar me qytetet e tjera nga ku kanë ardhur romët për të marrë masa, por bashkitë e këtyre qyteteve nuk kanë reaguar [ndaj komunikimit të ministrisë].”

Përballur me perspektivën e kthimit në qytetet e tyre të lindjes, romët e pyetur nga BIRN te kampi i tyre te Liqeni treguan një farë stoicizmi. “Në Berat ne e kemi vendin, por nuk kemi shtëpi,” tha njëri prej tyre, duke shtuar se lagjja “30 vjetori” ku banojnë shumica e romëve në Berat përmbytet shumë shpesh nga lumi Osum. “Ne këtu do të kthehemi sërish, se nuk kemi çfarë të bëjmë,” tha ai.