Analize24 Sep 2020

“Betejë” për çdo qindarkë, udhëtimet në Britani penalizuan gjyqtaren Nure Dreni

Vendimi i zbardhur i KPK-së për shkarkimin e gjyqtares Nure Dreni është bazuar kryesisht në analizën financiare për vitet 2011-2014. Dreni sipas KPK-së nuk justifikoi me të ardhura shpenzimet për udhëtimet dhe shkollim të fëmijëve në Britani.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme të Apelit, Nure Dreni në seancën dëgjimore para KPK. Foto: Malton Dibra/LSA

Në një “betejë” dokumentesh, biletash dhe faturash para Komisionit të Pavarur të Kualfikimit, që duket se u bë për çdo qindarkë të shpenzuar, gjyqtarja Nure Dreni, nuk ia doli sipas vendimit të Komisionit të provonte burimin për 2.7 milion lekë shpenzime në vitet 2011-2014.

Dreni u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në qershor të këtij viti dhe në vendimin e zbardhur rezulton se ajo ka marrë vlerësim pozitiv në dy kritere dhe po ashtu ka përmbysur një pjesë të mirë të barrës së provës në kriterin e pasurisë.

Nga të dhënat e bëra publike në vendimin e Komisionit rezulton se Dreni, që deri së fundmi ishte gjyqtare e ish-Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda dhe më pas asaj të Posaçme, u penalizua pasi nuk justifikoi dot me burime shpenzimet për shkollimin e fëmijëve në Britani dhe udhëtimet jashtë vendit.

“Në përfundim të analizës financiare të kryer për vitet e deklarimeve periodike 2003 − 2016 rezultoi se subjekti dhe personat e lidhur kishin mungesë likuiditetesh në vitet 2011, 2012, 2013 dhe 2014, për të cilat, bazuar në nenin 52 të ligjit nr. 84/2016 dhe nenin D të Aneksit të Kushtetutës, iu kalua barra e provës, për të provuar të kundërtën e rezultateve të hetimit”, thuhet në vendim.

Nga vendimi i zbardhur del se Dreni, që u gjykua nga një trupë e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Xhesila Pinen dhe anëtare Suela Zhegun, ia kishte dalë të kthente pas një vendim të Komisionit për ta mbyllur hetimin vetëm në një kriter.

Trupa shprehet në vendim se pas rihapjes së hetimeve, Dreni kishte përmbysur barrën e provës për disa pasuri të bashkëshortit, përfshi dyshimet mbi çmimin e një apartamenti në Tiranë, burimin e parave që kishin shërbyer për bono thesari, një bashkëinvestim në bono me kunatën dhe disa shpenzime të tjera.

Komisioni thotë në vendim se ajo kishte provuar për këto pasuri të kundërtën e barrës së provës.

Në arsyetimin e vendimit po ashtu vihet në dukje se disa çështje që ishin ngritur në kriterin e profesionalizmit ishin arsyetuar nga Dreni dhe nuk ishin gjetur si shkelje nga KPK. Gjyqtarja e shkarkuar ishte vlerësuar e përshtatshme edhe në kriterin e pastërtisë së figurës.

Por Dreni sipas Komisionit kishte bërë deklarim të pasaktë dhe nuk kishte arsyetuar dot shpenzimet për katër vjet. Nga tabelat pjesë e vendimit rezulton se bëhet fjalë kryesisht për shpenzime shkollimi të fëmijëve, shpenzime jetese dhe kursime të deklaruara.

Edhe në këtë pikë gjyqtarja e shkarkuar ka mundur sipas tabelave të analizës financiare të përgjysmojë bilancin negativ nga 5.2 milionë lekë në 2.7 milionë lekë. Në vendimin e zbardhur përmenden ndër të tjera edhe çmime biletash udhëtimi që ishin llogaritur 250 euro dhe që pas vendosjes në dispozicion të biletave origjinale janë ulur në 247 euro.

Në fusnotat në faqet e analizës financiare jepen disa llogari të tilla që pas paraqitjes së biletave dhe dokumenteve kanë shkuar në favor të Drenit për disa euro.

“Lidhur me shpenzimet për udhëtimin e personit të lidhur, vajzës së subjektit, G. D, në Londër nga data 16.10.2012 − 4.11.2012, në vlerën 250 euro (bileta avioni) subjekti kishte paraqitur në cilësinë e provës nëpërmjet postës elektronike në datën 12.3.2019, një biletë udhëtimi (biletën e vajtjes Tiranë – Milano – Londër- Tiranë, nr. ****, 193.56). Trupi gjykues, pasi administroi dhe vlerësoi biletat e paraqitura nga subjekti, rillogariti shpenzimet e udhëtimit (bileta avioni) në shumën 193 euro”, citohet në një prej shënimeve.

Nga rivlerësimi në vitin 2011 bilanci negativ u ul nga rreth 1.4 milionë lekë në rreth 400 mijë lekë, në vitin 2012 bilanci u përmirësua në favor të Drenit nga minus 1.3 milionë lekë në minus 670 mijë lekë dhe në vitin 2013 nga minus 600 mijë lekë, në minus 300 mijë lekë. Viti 2014 mbeti sipas analizës më pak i prekuri nga rivlerësimi dhe nga minus 1.8 milionë lekë u përmirësua në minus 1.4 milionë lekë. Por sipas KPK as këto rishikime të shpenzimeve për pak euro, nuk justifikuan shpenzimet.

Ndryshim të rezultatit nuk solli as marrja në konsideratë në favor të Drenit të deklarimeve të shpenzimeve që ajo kishte bërë në vitet përkatëse për ILDKPKI, përkundër përgjigjeve në pyetësorë ku kishte vetëdeklaruar shpenzime më të larta.

“Trupi gjykues vendosi të konsiderojë në analizën përfundimtare financiare të kryer, skenarin më favorizues dhe garantues për subjektin e rivlerësimit”, thuhet në vendim, ndërsa theksohet se sipas deklarimeve të subjektit gjatë pyetësorit të parë, këto shpenzime ishin më të larta.

Sipas vendimit rezulton se Dreni ishte penalizuar kryesisht nga mosdeklarimi i saktë i pakësimit të gjendjes cash, që KPK e kishte konsideruar më pas si kursim.

“Saktësia dhe mjaftueshmëria e deklarimeve për një subjekt deklarimi matet vetëm përmes deklarimeve të sakta dhe të plota. Detyrimi ligjor i subjektit të rivlerësimit për të deklaruar pasuritë ka lindur që nga hyrja në fuqi e ligjit nr. 9049/2003, të ndryshuar, përcaktimet e të cilit kanë qenë të qarta në këtë drejtim, lidhur me deklarimin e çdo pasurie, të paluajtshme, të luajtshme, përfshirë edhe likuiditetet cash, si dhe shtesat dhe ndryshimet në to”, thuhet në vendim.

Dreni ka pretenduar lapsuse në deklarim dhe njëkohësisht ka këmbëngulur në ulje të shpenzimeve në disa udhëtime. Disa prej këtyre uljeve janë pranuar në KPK, por disa nga udhëtimet që janë pretenduar si të financuar nga të tretë nuk janë cilësuar të tilla për shkak të mungesës së dokumentacionit.

Por Komisioni shprehet në vendim se përdorimi i gjendjes cash, “i cili nuk është deklaruar si pakësim” ishte qartësuar nga vendimmarrjet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, sipas të cilit Komisioni orientohet se: “Për zgjidhjen e çështjeve të ngjashme në të ardhmen …të mos prezumohet përdorimi nga subjektet i gjendjeve cash si burime për krijimin e pasurive dhe mbulimin e shpenzimeve, për sa kohë një gjë e tillë nuk është deklaruar”.

Komisioni doli në përfundim se deklarimet e pasakta të likuiditeteve cash në vite e për rrjedhojë bilancet negative që rezultuan nga këto, ishin të mjaftueshme për të vendosur shkarkimin e gjyqtares.

“Në përfundim, trupi gjykues arriti në konkluzionin se si pasojë e mungesës së burimeve të ligjshme për të justifikuar shpenzimet e kryera , në vlerën totale prej -2.786.519 lekësh, për vitet 2011 ‒ 2014, subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur me të ndodhen në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm”, thuhet në vendim.