Lajm8 Oct 2017

Biznesi i madh mbështet vendosjen e TVSH-së ndaj biznesit të vogël

Konfindustria, një organizatë ombrellë për bizneset e mëdha prodhuese në vend, ka mbështetur nismën e qeverisë për përfshirjen e biznesit të vogël në skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Një dyqan buke në lagjen e Kalasë në Berat. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

“Konfindustria mbështet nismën e ekzekutivit për shtrirjen e TVSH/tatimit të vlerës së shtuar në biznesin e vogël,” tha nëpërmjet një njoftimi për shtyp administratori i përgjithshëm Gjegj Buxhuku.

“Shtrirja e TVSH në të gjitha hallkat e biznesit është e domosdoshme për formalizimin e gjithë ekonomisë së çdo vendi normal, aq më shumë në Shqipëri ku shkalla e informalitetit arrin deri në pothuajse 50% të PPB,” shtoi Buxhuku.

Aktualisht bizneset e vogla me xhiro deri 5 milion lekë në vit nuk paguajnë tatim mbi vlerën e shtuar. Ky kufizim pritet të hiqet vitin e ardhshëm si pjesë e paketës së re fiskale.

Nisma e qeverisë për ta përfshirë edhe biznesin e vogël në skemwn e TVSH-sw u lajmëruar nga kryeministri Edi Rama të hënën. Rama tha se kjo inisiativë kishtë për qëllim të luftonte informalitetin në treg.

“Taksa për biznesin e vogël do të jetë 0, por nga ana tjetër ne do t’i kërkojmë biznesit të vogël që të bëhet pjesë e luftës kundër informalitetit dhe duke e përfshirë në regjimin e TVSH-së, do të mbyllim hapësira për të gjitha ato biznese të mëdha që faktikisht nuk shkarkojnë TVSH,” u shpreh Rama.

Projekti i qeverisë për ta shtrirë pagesën e TVSH-së edhe tek biznesi i vogël është kundërshtuar nga opozita, e cila ka cilësuar nismën si një kërcënim existencial për bizneset e vogla.

Në një reagim në rrjetin social Facebook, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha e cilësoi projektin si një tentative për të zhvatur sipërmarrësit e vegjël nga një qeveri e kapur nga oligarkët.

Në vend që të kërcënojë sipërmarrësit e vegjël që punojnë sa për të mbajtur gjallë familjet e tyre, Edi Rama duhet t’u bëjë të ditur shqiptarëve sa para u ka dhënë nga buxheti i shtetit oligarkëve këto katër vite: oligarkët e shëndetësisë e të ilaçeve, oligarkët e ndërtimit, oligarkët e koncesioneve, oligarkët e naftës dhe të telekomunikacionit. Pastaj t’u tregojë shqiptarëve edhe sa taksa kanë paguar këta oligarkë në buxhetin e shtetit. Por ai nuk i tregon dot këto fakte, sepse ato zbulojnë një të vërtetë kriminale: zhvatjen e pamëshirshme të njerëzve të thjeshtë për pasurimin e Edi Ramës dhe klientëve të tij,” shkroi Basha.

Me të njetën gjuhë, kryetari i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili është shprehur se vendosja e TVSH-së për biznesin e vogël është një shërbim që qeveria po i bën oligarkëve.

“Kryeministri shkatërron pa mëshirë mijëra biznese të vogla duke u vendosur TVSH-në. Kryeministri, gjymtyrë dhe instrument i verbër i oligarkisë, e pasuron pafundësisht atë duke i hequr edhe bukën e gojës biznesit të vogël,” ka deklaroi Vasili.