Reportazh1 May 2020

COVID-19 fut në kolaps turizmin familjar në Alpe

Bujtinat e vogla familjare në Theth, Vermosh dhe Valbonë - fshatra që jetojnë kryesisht nëpërmjet të ardhurave nga turizmi, raportojnë norma anulimesh të rezervimeve për këtë sezon deri në 90 përqind.

Autor: Anila Dushi BIRN Shkodër
Printo

Bujtina dhe shtëpi tradicionale në Theth | Foto : Nensi Bogdani/BIRN

Fshatrat e Alpeve në malësinë e Shkodrës zakonisht izolohen prej vjeshtës së vonë e deri në mes të pranverës prej dëborës. Për pak banorë që e kalojnë dimrin në zonë, prilli dhe ditët e para të majit kur moti ngrohet, janë ditë të çlirimit.

Në Theth, Kelmend e fshatra të tjerë të zonës së Alpeve që mbahen kryesisht me turizëm familjar, kjo është periudha e ringjalljes, ndërsa bujtinat e vogla në kullat e gurit presin vizitorë nga e gjithë bota.

Por këtë vit situata është e përmbysur. Dimri qe i butë dhe rrugët nuk u bllokuan dhe përkundër asaj që prisnin banorët pranvera që zakonisht ka sjellë rigjallërimin e zonës e izoloi atë nga pjesa tjetër e botës.

“Pothuajse 90% e turistëve kanë anuluar,” thotë Zef Nilaj, i cili ka një bujtinë në Lëpushë të Kelmendit.

Edhe bujtinat familjare në Theth – që janë edhe aktiviteti kryesorë ekonomik në zonë, po marrin vetëm telefonata anullimesh, ndërsa ankohen se nuk janë përfshirë në asnjë prej paketave të ndihmës prej qeverisë.

“Sivjet është tmerr po vazhdoi kështu,” thotë Nikë Guri, pronar i një bujtine në Theth. “Shteti nuk na jep asgjë, vetëm na merr taksa dhe na kontrollon,” shtoi ai.

Qeveria në paketën e dytë të ndihmës ekonomike që kërkonte të adresonte krizën e krijuar për bizneset nga masat e distancimit social për parandalimin e COVID-19, premtoi ndër të tjera mbështetje financiare për 10 mijë punonjës në sektorin e turizmit.

Por sipas Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit numri i të punësuarve drejtpërdrejt në sektor është mbi 90 mijë dhe paketa e ndihmës prek vetëm 1 në 9 të punësuar.

Rënia dramatike

Pamje e Bjeshkëve të Namuna nga lugina e Thethit | Foto : Nensi Bogdani/BIRN

Industria e turizmit zë një vend të rëndësishëm në ekonominë e Shqipërisë me mbi 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT vendi pati 5.9 milion vizitorë në vitin 2018, nga të cilët 2.7 milion për të kaluar pushimet duke shpenzuar mesatarisht 52 euro në ditë. Në vitin 2019 numri i vizitorëve u rrit në 6.4 milion dhe rreth 50 për qind e tyre ishin në Shqipëri për pushime.

Por epidemia e shkaktuar nga Coronavirusi i ri i ka ulur në mënyrë dramatike numrat. Vetëm në muajin mars 2020, muaji i parë i bllokimit për shkak të epidemisë, numri i vizitorëve të huaj në vend ra sipas INSTAT me 66.4 për qind.

Gentian Mema, përgjegjës i zyrës së  turizmit në bashkinë Shkodër thotë se i gjithë sektori i turizmit  është në rënie të ndjeshme për shkak të pandemisë, por se turizmi familjar do të jetë më i prekuri.

“Sektori i turizmit, sidomos ai familjar në zonën e Kelmendit e Thethit, deri tani kanë 80% të pronotimeve anulura,” tha Mema. “Janë prenotime që zakonisht bëhen edhe 1 vit para, nga të huaj apo grupe e familje shqiptare nga zona ntë tjera të vendit,” shtoi ai.

Mema thotë se familjet në këto zona e ndiejnë edhe më shumë krizën për shkak të numrit të vogël të shtretërve, kohës së kufizuar me të cilën punojnë dhe pamundësisë për tu përshtatur.

“Kjo situatë që nuk dihet sa do të zgjasë do sjellë pasoja të rënda për këto biznese familjare që në këtë kohë do ishin duke punuar,” tha Mema.

Zef Nilaj i tha BIRN përmes telefonit se dy muajt e parë të pranverës kishin kaluar tashmë pa asnjë vizitor.

“Ka 2 muaj që nuk punojmë fare”, tha ai, ndërsa shtoi se edhe bujtinat fqinje me të përballen me të njëjtën situatë, ndërsa normat e anullimeve shkojnë deri në 90 për qind.

Besnik Pepushaj, i cili ka disa bujtina po në Lëpushë i tha BIRN se është ende duke marrë anullime. Pepushaj thotë se anullimet janë bërë si nga të huaj ashtu edhe nga shqiptarët që janë kufizuar të udhëtojnë brenda vendit.

“Mendoj se do ketë përsëri anullime sepse situata aktuale është e vështirë dhe gati e pamundur për të vizituar fshatin tonë,” shpjegoi Pepushaj.

Të vetëm në vështirësi

Foto e Lugines se Thethit_Alpet Shqiptare | Foto : Nensi Bogdani/BIRN

Nga ana e saj as qeveria nuk ka bërë deri më tani publik ndonjë plan për të ndihmuar sektorin. Në disa dalje në media ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka folur për përgatitjen e një strategjie masash, por sa i përket rimëkëbjes Klosi e ka bazuar optimizmin te lloi i turistëve që vijnë në Shqipëri.

“Kemi mbi 80 % turizëm tokësor, përqindje të  lartë të turizmit të shqiptarëve të trojeve, struktura fleksible, para që qarkullon shpejt,” deklaroi Klosi në një status në Facebook. “Me besim e shpresë se industria turistike do të rikthehet në punë së shpejti,” shtoi ai.

Nik Harusha, pronar i një bujtine në Theth i tha BIRN në një bisedë telefonike se ishin të pashpresë dhe të paqartë se si do të veprohej. Harusha thotë se ende nuk ka marrë përgjigje nëse do të përfitojë nga paketa e ndihmës edhe pse ka aplikuar.

“E vetmja mundësi nëse situata vazhdon kështu është t’i rikthehemi punëve në bujqësi me siguruar të ardhura sa për të mbijetuar,” tha Harusha, që shtoi se mbi 35 bujtinat në fshat dhe familjet e tjera në zonë jetonin kryesisht me të ardhurat nga turizmi apo shërbimet rreth tij.

Të tjerë pronar shtëpish të kthyera në bujtina thonë se kanë investuar për të pritur sezonin e ri dhe tani janë në pamundësi financiare dhe në prag të rrënimit.

“Vetëm këtë vit kam investuar 4000-5000 euro  restaurime të cilat akoma nuk kanë përfunduar,” tha Nik Guri nga Thethi.

Guri thotë se ai kishte bërë parashikimet duke u nisur nga viti i kaluar kur numri i vizitorëve ishte rritur dhe ai kihste pasur mbi 2 mijë klientë – kryesisht nga Austria e Gjermania. Por këtë vit ai nuk pret fitime ndërsa thotë se nuk ka shumë shpresë për ndihmë.

“Shteti ishalla nuk  na merr këto që kemi, se për të na dhënë nuk na jep gjë”, tha Guri.

Nga ana e tij Besnik Pepushaj tha se e vetmja gjë që u mbetej atyre ishte shpresa se do të ndihmoheshin nga qeveria.

“Shpresoj që shteti të kuptojë dhe të na ndihmojë të paktën me një lehetësim të taksave në sezonin veror,” tha ai.

Situata e njëjtë edhe në Valbonë

Lugina e Valbonës gjatë stinës së vjeshtës. Fotografuar më 29 tetor 2016. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Ngjashëm me Thethin dhe Kelmendin është situata edhe në anën tjetër të alpeve në Valbonë.

“Sapo e mbylla telefonin me agjencinë për anullimet e fundit për qershorin”, i tha BIRN Kol Gjoni, pronari i një bujtine në fshatin piktoresk.

Ai thotë se në një situtatë normale kjo do ishte një nga periudhat me më shumë vizitorë në zonë.

“Vjet për Pashkë unë kisha 70 vizitorë dhe një pjesë duhet t’i shpërndaja të flinin nëpër shokë”, thotë Gjoni, për të dëshmuar diferencën me qetësinë që ka tani lugina.

Ashtu si operatorët turistik në Theth dhe Kelmend, Gjoni ndjehet i braktisur nga shteti.

“Unë e mbyll bujtinën në tetor dhe e hap sërish në prill, por këta më thonë që nuk përfiton asgjë sepse ke qenë i mbyllur”, thotë Gjoni.

Ai thotë se ishte refuzuar në të dyja paketat e ndihmës të qeverisë, ndërsa nuk di se si do të mund të mbajë hapur biznesin.

Gjoni thotë se e vetmja shpresë ishin premtimet e vakëta prej agjencive që organizonin udhëtimet se nuk kishte pasur anullime për korrikun dhe gushtin.

“Në një telefonatë që pata më thanë që nuk kishin anullime për korrikun dhe shpresojmë të mos ketë”, tha ai.

Gjoni thotë se problemet e tij i kanë edhe bujtina të tjera në zonë, ndërsa shton se edhe pjesa tjetër e banorëve do të vuaj mungesën e turistëve.

“Unë kam një biznes agroturistik, kam edhe pak blegtori,” tha ai. “Normalisht në këtë kohë unë punësoja 4-5 persona të tjerë, por me këtë situatë nuk mund të mbaj veten nuk mund të punësoj njeri tjetër,” përfundoi Gjoni.