Lajm12 Aug 2021

Deklarata gjermane rindez tensionet Kosovë-Shqipëri për Ballkanin e Hapur

Një deklaratë e një zëdhënësi të qeverisë gjermane që mbështet bashkëpunimin ballkanik ka rindezur “luftën e fjalëve” midis Kosovës dhe Shqipërisë lidhur me nismën “Ballkani i Hapur”.

Autor: Përparim Isufi BIRN Prishtinë
Printo

Albin Kurti dhe Edi Rama.

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës janë tensionuar përsëri pasi një zyrtar gjerman tregoi mbështetjen e Berlinit për projektin e diskutueshëm rajonal “Ballkani i Hapur”, të cilin Kosova e kundërshton me vendosmëri.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u takuan në Shkup muajin e kaluar për këtë nismë, duke u zotuar se do të heqë shumicën e pengesave kufitare që pengojnë udhëtimet dhe biznesin midis tre shteteve deri në vitin 2023.

Por Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina kanë hezituar t’i bashkohen nismës, e cila e ka origjinën në vitin 2019 dhe është quajtur jozyrtarisht një “Mini-Shengen”.

Të mërkurën, një zëdhënës i qeverisë gjermane tha për portalin e lajmeve Gazeta Express në Prishtinë se Berlini beson se “çdo bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor është i dobishëm”.

“Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që bashkëpunimi të mbetet gjithëpërfshirës dhe i hapur për gjashtë vendet e rajonit. Kjo është arsyeja pse ne mbështesim Planin e Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal”, citohet të ketë thënë zëdhënësi.

Disa orë më vonë, kryeministri i Shqipërisë kritikoi liderët e Kosovës që e kundërshtojnë nismën Ballkani i Hapur.

“ÇUDI! Qeveria gjermane e mbështeska Open Balkan ndryshe nga çfarë u thuhet njerëzve në Prishtinë e Tiranë”, tha ai.

“Dhe jo vetëm kaq, po kërkon nënshkrimin urgjent të marrëveshjeve për Tregun e Përbashkët Rajonal para Samitit BE-Ballkan në 6 tetor!”, shtoi Rama.

“Open Balkan thotë qeveria gjermane duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe po, patjetër, kështu duhet të jetë e ndaj dera është e hapur, por as nuk përfshijmë dot kënd me zor, as nuk rrimë dot të presim sa t’u mbushet mendja atyre që s’duan të kuptojnë se kjo është rruga e të ardhmes!”, vazhdoi Rama.

Nga Prishtina, Jeton Zylfaj, këshilltari i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, kundërshtoi ashpër pretendimin e Ramës.

“Gjermania nuk mbështet “Mini Shengenin” tash të ndryshuar në “Open Balkan”. Gjermania mbështet Tregun e Përbashkët Rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit. “Mini Shengen” (Open Balkan…) është duplifikim i panevojshëm. Eja të punojmë së bashku në Procesin e Berlinit Edi Rama”, shkroi ai.

Bosnja dhe Mali i Zi thonë se nuk shohin përfitime të veçanta nga nisma Ballkani i Hapur, pasi lehtësimi i kufizimeve të udhëtimit dhe tregtisë tashmë mbulohen nga marrëveshja më e gjerë CEFTA, ku ata bëjnë pjesë, dhe nga marrëveshjet dypalëshe.

Por Kosova ka shprehur një kundërshtim më të fortë, më politik ndaj planit, kryesisht lidhur me refuzimin e Serbisë për të njohur pavarësinë e ish-krahinës së saj, të shpallur në shkurt 2008.

Marrëveshja e arritur nga Zaev, Rama dhe Vuçiç parashikon bashkëpunim në disa fusha. Në trajtimin e katastrofave natyrore, ajo i lejon tre vendet të bashkëpunojnë ngushtë jo vetëm në parandalimin, por edhe në dhënien dhe koordinimin e ndihmës reciproke gjatë tërmeteve, stuhive, zjarreve dhe fatkeqësive të tjera.

Sa i përket tregtisë, dokumentet e panevojshme do të hiqen dhe transporti i mallrave në pikat kufitare do të përshpejtohet. Një ide e diskutuar ishte hapja e korsive speciale në pikat kufitare për qytetarët e Ballkanit në mënyrë që ata të kenë përparësi.

Unifikimi i tregjeve të punës është parashikuar gjithashtu, duke lehtësuar dhënien e lejeve të punës për qytetarët e një vendi në dy vendet e tjera, pranimi reciprok i diplomave dhe kualifikimeve të punës, duke e bërë fuqinë punëtore më fleksibël dhe duke shpresuar kështu të tërhiqen më shumë investime.