Interviste21 Aug 2018

Deputeti gjerman: Europa nuk do të lëkundet nga SHBA për Kosovën

Spekulimet janë të shumta se Shtetet e Bashkuara mund të pranojnë ndarjen si një zgjidhje për rebusin e Kosovës, por një ligjvënës i koalicionit qeverisës në Gjermani thotë se BE do të veprojë me mendjen e vet.

Autor: Maja Zivanovic BIRN Beograd
Printo

Deputeti i Partisë Socialdemokrate në Bundestagun gjerman, Josip Juratovic. Foto: Reiner Pfisterer.

Pozicioni i Bashkimit Europian mbi marrëdhëniet e Serbisë me ish-provincën e saj, Kosovën do të vendoset “ekskluzivisht” në përputhje me rregullat e vetë bllokut dhe jo sipas opinionit të Shteteve të Bashkuara-tha për BIRN një ligjvënës i koalicionit qeverisës në Gjermani.

Josip Juratovic, i lindur në Kroaci dhe anëtar i Bundestagut thotë se Bashkimi Europian nuk është  më i gatshëm të importojë çështjet e pazgjidhura të kufinjve, të tillë si ajo mes Slovenisë dhe Kroacisë mbi Gjirin e Piranit, kështu që Serbia dhe Kosova nuk mund t’i bashkohen BE-së pa zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre.

I pyetur mbi spekulimet në rritje mbi mundësinë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë-si dhe faktit se administrata amerikane e Donald Trump mund të jetë e hapur ndaj një marrëveshjeje të tillë, Juratovic u përgjigj:

“Një gjë duhet të jetë e qartë; marrëdhëniet Serbi-Kosovë janë një çështje e BE-së, përsa kohë që të dy vendet janë të interesuara për t’u bërë anëtare. Në opinionin tim, pozicioni i BE-së nuk do të bazohet te opinionet e analistëve apo te Shtetet e Bashkuara, por ekskluzivisht në standardet dhe ligjet e veta, të cilat janë të barabarta për çdo vend anëtar të BE-së”.

Këmbëngulja e Merkel  

Ndarja etnike është sërish në fokus të spekulimeve të ethshme në Ballkan, me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç që bën thirrje për “delimitim” me Kosovën dhe homologun e tij Kosovar, Hashim Thaçi që mbron “korrigjimet kufitare” për një marrëveshje finale të ndërmjetësuar nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës, me shpresën se një ditë do t’i bashkohen bllokut.

Ambasadori i Uashingtonit në Prishtinë dështoi të përjashtojë ndarjen etnike gjatë një interviste televizive, fakt ky që ndezi thashethemet se administrata e Trump kishte braktisur “vijën e kuqe” të vendosur nga fuqitë perëndimore kur ato njohën Kosovën një dekadë më parë.

Bashkimi Europian ka qenë gjithashtu më pak se këmbëngulës në shuarjen e spekulimeve. Kancelarja gjermane, Angela Merkel mbajti qëndrimin më të fortë, kur tha në një konferencë shtypi më 13 gusht “ne nuk mund ta bëjmë atë”.

“Integriteti territorial i shteteve të Ballkanit Perëndimor është i vendosur dhe i paprekshëm,” tha Merkel.

“Kjo duhet thënë prapë dhe prapë, pasi sërish ka përpjekje për të folur për kufinjtë dhe ne nuk mund ta bëjmë këtë”.

I njëjti rregull për të gjithë

Juratovic, Partia Socialdemokrate e të cilit është në koalicion qeveritar me CDU-në tha se Merkel nuk po fliste vetëm për Berlinin.

“Nuk është vetëm opinioni i saj, por pozicioni i të gjithë BE-së,” tha ai për BIRN.

“Ka rregulla të qarta për hyrjen dhe anëtarësimin si vend anëtar i BE-ata duhet të plotësojnë të 35 kapitujt. Kapitulli 35 trajton çështjen e kufirit dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet fqinje-në këtë rast kryesisht me Kosovën, sepse BE nuk është më gati të importojë probleme kufitare, siç ishte rasti mes Kroacisë dhe Slovenisë pas anëtarësimit, por dëshiron që ato të zgjidhen përpara”.

“Dhe kjo është e vetmja zgjidhje e pranueshme për Bashkimin Europian dhe Gjermaninë,” shtoi Juratovic.

“Rregullat janë të njëjta për të gjithë dhe i njëjti rregullohet aplikohet edhe për Serbinë”.

Gjermania është mes 23 vendeve të BE-së me 28 anëtarë që e njohin Kosovën si shtet të pavarur. Pesë nuk e njohin dhe as Serbia, e cila ka mbështetjen e Rusisë në bllokimin përmes vetos të anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Por BE thotë se Beogradi duhet t’i zgjidhë marrëdhëniet me Prishtinën, nëse dëshiron që t’i bashkohet bllokut.

E panjohura

Juratovic, i cili drejton grupin e Bundestagut për Europën Juglindore thotë se çdo shkëmbim territori-përmes së cilës Kosova do të hiqte dorë nga veriu i vet kryesisht serb dhe do të aneksonte Luginën e Preshevës, kryesisht shqiptare-do të thotë të shkosh drejt një situate “të panjohur” dhe “shumë të komplikuar”, e cila do të kërkonte referendum.

“Unë nuk e di se si mund të zhvillohet kjo procedurë, pasi nuk është vetëm çështje e shkëmbimit të territorit dhe e vullnetit të qeverive, por një çështje e qytetarëve të cilët nuk e pranojnë këtë fakt,” tha ai. “Dhe sigurisht, faktori rëndues është se BE nuk e pranon ndryshimin e kufinjve”.

“Duhet theksuar se BE ka një pozicion të qartë se kufinjtë në Europë janë të pandryshueshëm,” tha ai.

Të braktisësh këtë rregull do të thotë “kaos dhe qindra kriza rajonalenë Europë”.

Juratoviç paralajmëroi se vonesat e mëtejshme në zgjidhjen e mosmarrëveshjes u shërbejnë atyre elementëve në Bashkimin Europian që kundërshtojnë zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor.

“Kjo shtyrje e çështjes së Serbisë dhe Kosovës nuk është e dobishme për asnjërën palë, por është e mirë vetëm për qëndrime politike dhe gjithashtu për ata në BE që janë kundër zgjerimit të BE-së,” përfundoi ai.