Lajm27 Aug 2021

Derdhet sërish naftë në Gjanicë, lumi ‘zbardhet’ brenda natës

Kompanitë hidrokarbure që veprojnë në zonën e Fierit kanë derdhur sërish naftë e mbetje të saj në lumin Gjanica, por megjithë konstatimit IMT thotë se nuk ka qenë në gjendje të provojë shkaktarin e ndotjes.

Autor: Valbona Davidhi BIRN Fier
Printo

Lumi Gjanica me shenja të ndodtjes. Foto:Valbona Davidhi.

Banorët e Fierit konstatuan të premten se lumi Gjanica që kalon në mes të qytetit ishte ndotur sërish me naftë, por shkaktarët nuk dihen ende. Ngjyra e bardhë e ujërave e shoqëruar me erën e rëndë të naftës dhe gazit ka shqetësuar banorët e Fierit. Strukturat e mbrojtjes së mjedisit dhe territorit thanë se po inspektojnë prej një jave rafinerinë e Fierit dhe subjekte të tjera që ushtrojnë aktivitet në zonën industriale pranë ish-Azotikut dhe që mund të jenë shkaktarë të ndotjes.

“Ne jemi angazhuar në një task-forcë të ngritur me urdhër të ministrit Klosi në kuadër të sezonit veror. Kemi inspektuar Gjanicën në rrjedhën e vet dhe konstatuam ndotje që fillonte pranë ish-Azotikut”, tha për BIRN Rrapo Mehmetaj drejtues i komanduar i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në Fier.

Sipas drejtuesit të IMT në zonën prej ku fillon ndotja operon rafineria e Fierit dhe subjekte të tjera prodhuese, por jo në sektorin e naftës. Mehmetaj tha se dyshimet binin kryesisht mbi rafinerinë, por se nuk kishte prova dhe se ata nuk ishin në gjendje të bënin analiza. “I vetmi institucion me të cilin na lejohet të bashkëpunojmë është DSHP, por laboratorët e tij nuk nxjerrin përmbajtjen e hidrokarbureve”, tha ai.

Në këto kushte shkaqet e ndotjes së Gjanicës mbeten mister. Por sikurse shprehet Mehmetaj nga inspektimi i fundit do të ketë edhe referim nga policia në prokurori. “Çështjen mund ta zgjidhë tani prokuroria sepse ne nuk kemi tagrin të bëjmë analiza të ujit në laboratorë privatë dhe di që policia do e referojë rastin në prokurori”, thotë Mehmetaj.

Derdhjet a naftës në Gjanicë janë të përsëritura. Në vitin 2020 u konstatua 5 të tilla. Në qershor BIRN gjeti se pavarësisht ankesave nga qytetarët dhe organizata të mjedisit as Ministria e Mjedisit, as inspektoratet dhe as bashkia nuk kishin kontrolluar prej nga vinte dhe kush e shkaktonte ndotjen.

Të pa penalizuar për derdhjet e herëpashershme kompanitë hidrokarbure vijojnë të lëshojnë naftë apo mbetje të saj në lum. Ndotja bëhet më intensive në kohën e shirave për të shfrytëzuar vërshimin e ujërave si kamuflim. Megjithatë shkarkimi i së premtes qëndroi në ujërat e lumit që prej orëve të para të mëngjesit deri në mesditë.