Analize2 Jul 2020

Digat mbi lumenj fajësohen për zhdukjen e ishullit të Franc Jozefit

Aktivistët e mjedisit fajësojnë ndërtimin pa kriter të digave mbi lumenj dhe përrenj malorë për zhdukjen e ishullit të vogël në grykëderdhjen e lumit Buna, i cili mbante prej 150 vjetësh emrin e ish-perandorit Austro-Hungarez.

Autor: Anila Dushi BIRN Velipojë
Printo

Ishulli i Franc Jozefit në deltën e Bunës. Foto Wikipedia

Të shqetësuar prej anullimit të prenotimeve nga turistët e huaj për shkak të situatës nga COVID-19 dhe një mori problemesh të tjera, operatorët turistikë në Velipojë nuk kanë pasur kohë të vajtojnë për zhdukjen e ishullit të Franc Jozefit.

Ishulli i vogël në grykëderdhje të Bunës mbante në kurriz një pyll në të cilin kishin fole një numër zogjsh, përfshi çafkat. Pamjet satelitore nga Google Earth tregojnë se ai u zhduk ngadalë, ndërsa niveli i detit u rrit.

“Deri para 5 a 6 vitesh ka pasë pushues dhe shkonin atje dhe rrinin 2 a 3 ore thjesht me e pa për kuriozitet. Tani e ka marrë uji”, thotë Gjergj Smajli, 76-vjeç, banor i zonës.

Pamjet satelitore tregojnë se ishulli i Franc Jozefit, i cili u pagëzua me këtë emër nga hartografët austriak në fund të shekullit të 19-të, u bashkua në fillim të viteve 2000 me tokën duke formuar një gadishull. Mbi të kishte bimësi dhe një popullsi jo të vogël shpendësh. Por gjatë dekadës së fundit ai filloi të tretej.

Sipas drejtorit të Administratës së Zonave të Mbrojtura, ADZM në Shkodër, Agim Dardha, ishulli u zhduk për shkak të erozionit nga deti. Ai thotë se dallgët e kanë gërryer ishullin ranor, i cili ka qenë në formën e një dune rëre.

“Bimësia në të ka ardhur duke u zhdukur deri në humbjen e plotë të tij,” tha Dardha, i cili nuk dha një kohë të saktë se kur ishulli u fundos.

Ndërhyrje e njeriut kryesisht disiplinimi i lumenjve me diga për të ndërtuar HEC-e besohet se ka ndikuar në rritjen e nivelit të erozionit nga deti dhe rënien e sedimenteve që mbanin gjallë ishullin.

Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i Eco Albania i tha BIRN se dy forcat gërryese – ajo e lumenjve dhe ajo e detit balanconin njëra tjetrën në natyrë, por digat mbi Drin në këtë rast kishin zvogëluar sasinë e sedimenteve që lumi çonte në Bunë e më pas në det, ndërsa ky i fundit vijonte të gërryente tokën.

Sipas Nikës probleme të ngjashme janë regjistruar prej kohësh në Kune-Vain në Lezhë, Seman në Fier dhe Zvërnec në Vlorë.

“Është e njëjta gjë gjithë andej”, tha aktivisti mjedisor.

Nika shpjegoi se fenomeni ishte më i fortë në rastin e ndërhyrjes me diga, por tha se një proces i ngjashëm ndodhte edhe me futjen për kilometra të tëra në tuba të përrenjve malorë që shkarkonin sedimente në lumenj.

“Nëse ndërton një HEC me tuba nuk është problem, por nëse ndërton 15 sigurisht që ndikimi dhe procesi është i njëjtë”, tha Nika, duke vënë në dukje se zhbalancimi i natyrës po u kushtonte njerëzve tokë dhe se deti do të vazhdonte të përparonte në brendësi.

Sipas Nikës një faktor tjetër që mund të ketë ndikuar në zhdukjen ishullit mund të ishte edhe rritja e nivelit të deteve, por për këtë nuk ishte në dijeni të ndonjë studimi specifik.

Zhdukja e ishujve për shkak të rritjes së nivelit të deteve është një prej ndikimeve kryesore të ndryshimeve klimatike dhe ndërhyrjes së njeriut në natyrë. Ishuj të banuar në oqeanin Paqësor janë ndër më të rrezikuarit. Një vit më parë media amerikane NBC vinte në dukje se vetëm në vitin 2019 ishin raportuar tre ishuj të humbur në vitin 2019.

Sipas Agjencisë Amerikane të Aeronautikës dhe Hapësirës, NASA, niveli i detit që prej kohës kur austriakët shënuan në hartë ishullin e vogël të Franc Jozefiit 150 vjet më parë është rritur me gati 25 centimetra.

Në fotot satelitore nga Google Earth shihet se si ai u zvogëlua vit pas viti. Bimësia filloi të rrallohej, ndërsa në fotot e fundit që gjenden për të në internet mbi sipërfaqe dallohen vetëm rrënjë e trungje të kalbura.

Kujtim Lemi, i cili ka një aktivitet privat me mjete lundruese në Velipojë, thotë se deri para tre vjetësh ishulli mund të vizitohej. “Kam shoqëruar grupe 3 deri 4 persona, me varkë me motor në ishullin e Franc Jozefit. E vizitonin si një dukuri natyrore dhe ka patur vizitorë shqiptare dhe të huaj”, thotë Lemi.

Ai kujton se ishulli ishte i bukur dhe prej aty mund të shihej delta e Bunës.

Për shkak të afërsisë me Adën, siç quhet ishulli i krijuar prej ndarjes së dy degëve të Bunës që derdhen në Adriatik, e cila ndodhet në Malin e Zi, banorët kujtojnë se vizitat në ishull gjatë kohës së diktaturës ishin të ndaluara.

“Ka pasë raste kur udhëheqës të kohës vinin për të gjuajtur tek rezervuari i gjuetisë pasi këtu kanë pasë dhe vilë qeveritare, me mjete lundruese të ushtrisë vizitonin dhe ishullin dhe gjithë grykëderdhjen e Bunës. Zona ka pasë një bukuri që nuk e sheh diku tjetër”, thotë Pashko Marku, banor i Velipojës.

Por humbja e ishullit, megjithatë nuk është një shqetësim urgjent për bizneset e bregdetit në Velipojë të cilëve u duhet  të përballen sëfundmi me pandeminë, ndërhyrjet e institucioneve për të prishur ndërtime pa leje në verë dhe paqartësitë për shfrytëzimin e plazheve.

Megjithë dyndjen e pushuesve vendas, pa marrë parasysh masat kundër COVID-19, operatorët turistikë po presin më të keqen. “Nuk është e qartë se çfarë do ndodhë pasi ne punojmë kryesisht me të huaj dhe kemi patur shumë anulime prenotimesh. Edhe pushuesit ditor apo në fundjava që vinin për 3-4 ditë nuk vijnë për shkak të vështirësisë së lëvizjes”, thotë Pjerin Jakaj që drejton shoqatën e operatorëve turistikë në Velipojë.

Ndryshe nga përfaqësuesit e biznesit, për aktivistë mjedisorë zhdukja e ishullit është një këmbanë alarmi. Olsi Nika thotë se njerëzit duhet të gjejnë një mënyrë për të balancuar ndikimin e digave në ekosistem, përndryshe erozioni nga deti do të vijojë të krijojë probleme.