Një inspektim i ri nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit në burgun e vetëm të vendit për personat me probleme të shëndetit mendor zbuloi 30% më shumë të burgosur se sa kapaciteti ndërkohë që stafi minimal mjekësor dhe jomjekësor duket i mbingarkuar me punë.
Pesë të burgosur në 12 metra katrorë, 284 persona të dënuar në një burg me kapacitet për 196 persona, 2 mjekë psikiatër dhe një farmacist me kohë të pjesshme.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit bëri të ditur se ka kryer gjatë një periudhe prej afro një viti e gjysmë pesë vizita inspektimi në burgun e Zaharisë, pranë Krujës për të zbuluar një mbipopullim të vazhdueshëm të këtij spitali burg ndërsa stafi i paktë mjekësor duket i pamjaftueshëm dhe i mbingarkuar me punë për të ofruar kujdesin e nevojshëm.
“Vëzhguesit e KShH-së konstatuan se në këtë IEVP janë vendosur 293 shtretër dhe secilit prej të dënuarve/pacientëve i është siguruar një shtrat i veçantë. Megjithatë rezulton se kapacitetet akomoduese të dhomave janë të vogla në raport me numrin e shtetasve të akomoduar në to,” shkroi KShH në një letër publike drejtuar krerëve të shtetit, ku kërkohet mbyllja përfundimtare e këtij burgu të trashëguar që nga koha e Komunizmit dhe që ka qenë subjekt i kritikave të vazhdueshme nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut si një mjedis degradues që shkel të drejtat e pacientëve.
“U konstatuan dhoma me përmasa 4x3m, në të cilat akomodoheshin pesë të dënuar/pacientë,” vëren KShH duke rikujtuar se standardet minimale të pranueshme nga Këshilli i Europës janë 6 metra katrorë për pacient në dhomat teke dhe 4 m2 për pacient në dhomat dyshe.
“KShH evidenton se disproporcionaliteti ndërmjet organikës në stafin psiko-social dhe mbipopullimit ekzistent në këtë institucion, ka pasjellë mbingarkesë në stafin aktual efektiv,” shkruhet në letër, e cila thekson se spitali nuk ka sistem ngrohjeje ndërsa të dënuarve të diagnostikuar me çrregullime të shëndetit mendor u lejohet për rrjedhojë mbajtja e ngrohësve individualë, gjë që përbën një rrezik për jetën e tyre dhe të të tjerëve.
Letra iu dërgua ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe asaj të Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.