Lajm8 Oct 2021

E drejta e informimit dhe ‘sekreti shtetëror’; KLGJ dorëzohet pasi u padit në gjykatë

Pas një padie administrative të BIRN, Këshilli i Lartë Gjyqësor bëri publike katër procesverbale që i kishte mbajtur të fshehura si ‘sekrete shtetërore’ për 8 muaj, në shkelje të ligjit ‘Për të drejtën e informimit’ dhe ligjit ‘Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. 

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami dhe anëtarët e tjerë të Këshillit gjatë një mbledhjeje. Foto: LSA

I ulur në tavolinën e palës së paditur në një prej sallave të katit të katërt të Gjykatës Administrative të Tiranës, Vildan Kaloshi – përfaqësues i Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ, i tha gjyqtares Elda Vrioni se institucioni që ai përfaqëson e “pranonte përgjegjësinë.”

Pranimi i fajit u bë pa ceremoni nga Kaloshi – drejtor pranë Drejtorisë së Shërbimeve Juridike në KLGJ, i cili formalisht dorëzoi edhe një kopje të informacionit që BIRN kishte kërkuar për më shumë se 8 muaj.

Prej dhjetorit 2020, BIRN kishte kërkuar nëpërmjet kërkesave për të drejtë informimi kopje të katër proceverbale dhe të regjistrimit audio të mbledhjeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, ku diskutohej kandidatura e një ‘juristi të shquar’ për t’u bërë anëtar i Gjykatës së Lartë.

Edhe pse sipas ligjit ‘Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, procesverbalet dhe mbledhjet e KLGJ-së duhet të bëhen në mënyrë proaktive publike, Këshilli refuzoi në mënyrë të përsëritur kërkesat e BIRN për të bërë transparencë, duke dhënë një numër justifikimesh.

Fillimisht, KLGJ deklaroi se procesverbalet përmbanin të dhëna ‘personale dhe tregtare’ për kandidatin për në Gjykatën e Lartë, më vonë pohoi se nuk i kishte regjistruar disa nga mbledhjet dhe në një fazë të tretë, pretendoi se këto dokumente përmbanin të dhëna të klasifikuara si ‘sekret shtetëror’.

Pas padisë në Gjykatën Administrative të Tiranës, institucioni që konsiderohet si ‘qeveria e gjyqësorit’, e ndryshoi përsëri qasjen e tij juridike dhe dorëzoi katër procesverbalet pjesërisht të anonimizuara.

Të pyetur për mosrespektimin e ligjit Për të Drejtën e Informimit, anëtarët e KLGJ-së refuzuan të komentonin.

Mungesë transparence

Sipas neni 69, pika 2 e ligjit 113/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” regjistrimi audio i mbledhjes plenare të Këshillit të Lartë Gjyqësor bëhet publik në faqen zyrtare të Këshillit brenda 24 orëve, ndërsa procesverbali me përmbledhjen e diskutimeve bëhet publik në faqen zyrtare të internetit të Këshillit, pasi miratohet nga mbledhja plenare pasardhëse.

Ky detyrim ligjor nuk është respektuar nga KLGJ për mbledhjet e mbajtura më 16 janar, 28 shtator, 19 tetor dhe 13 nëntor 2020, ku është diskuar kandidatura për në Gjykatën e Lartë e Dariel Sinës, i cili aktualisht mban postin e Komisionerit Publik – një nga tre organet e procesit të vetingut.

Për të bërë transparencë mbi kandidaturën për anëtar të Gjykatës së Lartë, BIRN i kërkoi KLGJ-së më 18 dhjetor 2020, informacion në lidhje me vendimmarrjen e saj sa i përket vendimit të datës 13 nëntor 2020, për miratimin e kandidaturës së Dariel Sinës për vendet vakante në Gjykatën e Lartë dhe audion e seancës plenare.

KLGJ fillimisht plotësoi pikat e tjera të kërkesës, por refuzoi të vinte në dispozicion audion. Në përgjigjen e datës 31 dhjetorit 2020, Këshilli thotë se: “dokumentet e kërkuara nga ana juaj, ndërsa përmbajnë të dhëna personale, tregtare dhe profesionale të gjyqtarëve/kandidatëve për gjyqtarë, nuk mund të vihen në dispozicion”.

BIRN këmbënguli me një ankesë te Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Pesonale.

Më 23 shkurt, Komisioneri thirri një seancë dëgjimore me palët. Në seancën e zhvilluar virturalisht për shkak të pandemisë, KLGJ u përfaqësua nga Vildan Kaloshi dhe koordinatori për të Drejtën e Informimit, Elis Kuçi.

Gjatë seancës, përfaqësuesit e KLGJ-së këmbëngulën se po mbronin të dhëna konfidenciale. Kur BIRN argumentoi se ato që përmendeshin si konfidenciale, ndër të tjera deklarimet e pasurisë e të ngjashme që ishin në fakt të aksesueshme me kërkesë për të drejtë informimi, përfaqësuesit e KLGJ-së nuk dhanë kundërargumente.

BIRN argumentoi gjithashtu se në të njëjtën kohë në veting, magjistratët i nënshtroheshin një procesi në të cilin u numërohen ‘edhe qindarkat publikisht’ dhe se mbrojtja që u ofronte KLGJ kandidatëve për në Gjykatën e Lartë nga radhët e juristëve të shquar, krijonte një standard të dyfishtë për karrierën në sistemin e drejtësisë.

Gjatë seancës, koordinatori për informimin i KLGJ-së, Elis Kuçi përmendi shkarazi se audio që BIRN kërkonte, në fakt nuk ekzistonte.

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit i kërkoi KLGJ-së që të jepte një përgjigje ndaj ankesës brenda një jave, duke i kujtuar KLGJ-së se të dhënat ‘konfidenciale’ mund të anonimizoheshin dhe se pjesa tjetër e informacionit duhej të jepej.

Pas një sërë vonesash për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19, dy muaj më vonë – më 12 prill 2021, KLGJ dërgoi një përgjigje në të cilën deklaron se audio e mbledhjes nuk ekzistonte. Në përgjigjen e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i KLGJ-së, Rudin Baqli thuhet se “regjistrimi audio kishte qenë i pamundur për shkak të pandemisë dhe mungesës së sallave që garantonin ruajtjen e sekreteve.”

Edhe pse në kundërshtim të ligjit, në një mbledhje të mbajtur me 17 shtator 2020, Këshilli kishte vendosur që seancat për kandidatët për në Gjykatën e Lartë të zhvilloheshin pa regjistrime audio dhe vetëm me procesverbale me shkrim.

Përgjigja e KLGJ-së për mungesën e audios u cilësua ezauruese edhe nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit, që nuk doli me vendim për çështjen. Pasi hulumtoi procesverbalet e mbledhjeve të publikuara në faqen e KLGJ-së për kandidatin për Gjykatën e  Lartë, Dariel Sina, BIRN zbuloi se ato nuk ishin të plota dhe pjesët ku diskutohej kandidatura nuk ishin zbardhur. Në rastet kur seanca kishte më shumë se një pikë në rendin e ditës, audio apo procesverbali mbaronte aty ku fillonte diskutimi për Sinën.

BIRN gjeti se njëra prej seancave në janar 2020, ishte zhvilluar para shpalljes së situatës së pandemisë, por ishte trajtuar njësoj si tre seancat e tjera për të cilat KLGJ kishte ngritur COVID-19 si justifikim pë mungesën e audios.

Në një përgjigje me shkrim, KLGJ pretendoi se mbledhjet ku disktutoheshin kandidatët për gjyqtar të lartë merreshin informacione nga një sërë institucionesh – përfshir Prokurorinë, Byronë Kombëtare të Hetimit e të ngjashme, dhe “zhvillohen me dyer të mbyllura”.

Në 17 maj 2021, BIRN i bëri një kërkesë të re KLGJ-së për regjistrimet audio dhe procesverbalet e katër mbledhjeve për kandidaturën e Sinës, duke synuar ta sfidonte mungesën e transparencës së ‘qeverisë së gjyqësorit’ në gjykatë.

KLGJ e refuzoi përsëri kërkesën për qasje në proceverbale dhe regjistrime audio, me pretendimin se procesi i rekrutimit dhe ngritjes në detyrë të kandidatëve për në Gjykatën e Lartë, përmbante ndër të tjera “të dhëna të klasifikuara sekret shtetëror”, sikurse edhe të dhëna personale të kandidatëve.

BIRN u ankua tek Komisioneri për të Drejtën për Informim dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, por ky i fundit ndërhyri vetëm duke i kërkuar dhe njëherë KLGJ-së të rivlerësonte qëndrimin e saj për të mos dhënë informacion, pa marrë një vendim detyrues.

Nisur nga mungesa e vendimmarrjes nga Komisioneri, pas kalimit të afatit, BIRN iu drejtua Gjykatës Administrative me një padi në të cilën vihen në dukje një sërë shkeljesh nga KLGJ -përfshirë shkeljen e ligjit për të Drejtën e Informimit, ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, si dhe detyrimet që i rrjedhin nga Kushtetuta.

Në 19 korrik, Gjykata Administrative e Tiranës njoftoi BIRN dhe KLGJ për datën e seancës paraprake, e caktuar në 22 shtator. Tre ditë pas këtij njoftimi, KLGJ dërgoi me postë katër procesverbalet e mbledhjeve që kishte mbajtur në sirtar prej më shumë se 8 muajsh në kundërshtim me ligjin.

 

Procesverbalet e papublikuara të KLGJ-së për kandidaturën e Dariel Sinës në Gjykatën e Lartë:

Procescerbali i mbledhjes së janarit 2020

Proceverbal i mbledhjes së shtatorit 2020

Procesverbal i mbledhjes së tetorit 2020

Procesverbal i mbledhjes së nëntorit 2020