Lajm21 Jun 2018

Europa diskuton për “qendra disbarkimi”, ndërsa Shqipëria mbërthehet nga ksenofobia

Këshilli i Europës vendosi në axhendën e vet diskutimin për krijimin e të ashtuquajturave "qendra rajonale disbarkimi" për refugjatët e shpëtuar në Mesdhe,ndërsa media europiane raporton se Shqipëria mund të jetë një"partner i mundshëm". Në Tiranë, opozita akuzon qeverinë me gjuhë ksenofobike, ndërsa qeveria mohon kategorikisht.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Aktivistwt po mbajnw njw banderolw ku shkruhet ‘Stop sulmet mbi refugjatwt’ ndwrsa migrantwt presin tw disbarkojnw nga njw anije e Rojws Bregdetare Itaiane nw portin e Katanias nw Sicili mw 13 qershor 2018. Foto : Salvatore Cavalli, Beta/AP

Draftkonkluzionet e Këshillit Europian që pritet të zhvillohet më 28 qershor dhe që janë përgatitur nga Presidenti i Këshillit, Donald Tusk me presidencën e radhës tregojnë për mbështetjen nga liderët e Europës të konceptit të“platformave rajonale të disbarkimit”, një frazë që, sipas disa mediave europiane, e vë Shqipërinë në listën e vendeve kandidate për ndërtimin e një platforme të tillë, krahas disa vendeve të Afrikës së Veriut. Ideja, e propozuar fillimisht nga kryeministri hungarez Viktor Orban më 2016, sugjeron që emigrantët e shpëtuar në Mesdhe të dërgohen në një qendër të tillë, ku do t’i nënshtrohen verifikimeve nëse janë të shpërngulur lufte apo janë migrantë ekonomikë. Pas diferencimit, emigrantët do të duhet të riatdhesohen nëse vijnë nga të ashtuquajturat “vende të sigurta” ose t’u ofrohet strehë, në rast se vijnë nga zonat e luftës apo vendet e konsideruara të pasigurta. Gjetja e një zgjidhjeje të tillë ka marrë urgjencë për Bashkimin Europian, pasi Italia vendosi të mbyllë portet e saj për një anije shpëtimi me refugjatë, e cila qëndroi disa ditë në det derisa Spanja vendosi t’i pranojë ata.

“Në mënyrë që të krijohet një kuadër më i parashikueshëm në trajtimin e atyre që dalin në det dhe shpëtohen nga Operacionet e Kërkim Shpëtimit, Këshilli i Europës mbështet zhvillimin e konceptit të platformave rajonale të disbarkimit, në bashkëpunim të afërt me UNHCR dhe IOM,” shkruhet në drafkonkluzionet. [Link]

“Platforma të tilla duhet të sigurojnë procesim të shpejtë për të dalluar migrantët ekonomikënga ata në nevojë për mbrojtje ndërkombëtare dhe për të reduktuar incentivën për të ndërmarrë udhëtime të rrezikshme,” shkruhet më tej në dokument.

Disa media europiane e kanë interpretuar këtë paragraf me idenë se një qendër e tillë disbarkimi mund të ndërtohet në Shqipëri. Ajo do të duhet të presë refugjatët që kapen në Mesdhe, ndërsa përpiqen të arrijnë brigjet e Greqisë ose Italisë me gomone, më së shumti të nisura nga Turqia dhe Libia.

Politico.eu, faqja e internetit e specializuar në raportime nga politika e Bashkimit Europianthotë se mes “partnerëve potencialë” të BE-së për këtë plan janë Tunizia dhe Shqipëria.

Transmetuesi publik gjerman, Deutsche Welle citoi të Enjten një zëdhënës të qeverisë austriake që thotë se ideja është duke u diskutuar me qeverinë shqiptare, ndërsa zëdhënësi i qeverisë shqiptare, Endri Fuga i tha DW se Shqipëria “as nuk ka pasur kërkesë dhe as nuk ka negociata”.

Partia Demokratike në opozitë ka sulmuar vazhdimisht qeverinë e kryeministrit Edi Rama se ka pranuar ato që ajo i quan “600 mijë refugjatë sirianë” në shkëmbim të hapjes së negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian.

Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në mënyrë të përsëritur në faqen e tij nëFacebook se Rama ka pranuar ata që ai i quan “ish-terroristë të ISIS”. Kreu aktual i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ngriti çështjen në parlament duke thënë se shqiptarët do t’i marrë malli për kohën kur ishin shumicë në Shqipëri, ndërsa deputeti demokrat Klevis Balliu shkoi më tutje duke deklaruar në një komision parlamentar se nga Shqipëria po “largohet populli i Skënderbeut për të ardhur Populli i Sulltan Mehmetit”.

Një valë ksenofobie u shfaq nëpër median sociale gjatë ditëve të fundit, ku shumë shqiptarë kundërshtuan idenë e pranimit të refugjatëve ndërsa pak zëra kundër rikujtuan se shqiptarët konkurrojnë sirianët për strehë dhe ushqim nëpër kampet e refugjatëve të Gjermanisëdhe Francës.

Ndërkohë, në draftkonkluzionet e takimit të 28 qershorit, përgatitur nga Presidenti i Këshillit Donald Tusk dhe vendi që mban presidencën e rradhës, (aktualisht Bullgaria), nuk përmendet hapja e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë, çështje për të cilën vendet anëtare janë aktualisht të ndara.

Problemi i emigrantëve ka shkaktuar debate të ashpra në shumë vende Europiane, duke ushqyer partitë ksenofobike. Kancelarja Angela Merkel e Gjermanisë, e cila mikpriti qindramijëra migrantë në vendin e saj më 2015 e gjeti veten pranë rrëzimit kur një nga partitë e koalicionit të saj, Unioni Kristian Social i Bavarisë kërcënoi me largim pikërisht për shkak të refugjatëve.