Lajm28 Oct 2016

Favore seksuale në këmbim të gjyqit, KLD shkarkon kreun e gjykatës së Gjirokastrës

Gjyqtari Guximtar Boçi akuzohet se kërkoi favore seksuale në këmbim të një vendimi gjyqësor dhe kërcënoi qytetaren, pasi ajo e paralajmëroi se do ta denonconte në media.   

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Transkripri i audio-regjistrimit të kryetarit të gjykatës së Gjirokastrës, i publikuar nga emisioni "Stop" në TV Klan.

Transkripri i audio-regjistrimit të kryetarit të gjykatës së Gjirokastrës, i publikuar nga emisioni “Stop” në TV Klan.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi unanimisht të shkarkojë Guximtar Boçin nga detyra e kryetarit të Gjykatës së Gjirokastrës, pas shfaqjes së një audio-regjistrimi në emisionin “Stop” të TV Klan ku ai kërkon favore seksuale në këmbim të një vendimi gjyqësor. Me kërkesë të ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani, KLD vendosi gjithashtu pezullimin e tij si gjyqtar deri në përfundimin e hetimeve të nisura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Para nisjes së mbledhjes së KLD, ministri Manjani deklaroi për mediat se Boçi ka dëmtuar rëndë autoritetin dhe figurën e gjyqtarit.

“Gjyqtari nuk mund të jetë më pjesë e trupës gjyqësore. Me rëndësi është shpejtimi i zbatimit të reformës. Nuk ka kthim pas për reformën në drejtësi,” tha ministri Manjani.

Vendimi i KLD-së erdhi një ditë pas transmetimit në emisionin “Stop” të regjistrimit audio të një bisede mes kryegjyqtarit të Gjirokastrës dhe një qytetareje, e cila ishte në proces gjyqësor për një çështje pronësie.

Përgjimi audio tregon se denoncuesja është takuar me Boçin për shkak të problemeve gjyqësore, por është përballur me kërkesat e tij të përsëritura për favore seksuale. Sipas denoncimit të saj, qytetarja e ka humbur gjyqin pasi nuk ka pranuar të ketë marrëdhënie intime me gjyqtarin Boçi dhe më pas ka kryer audio-regjistrimin. Sipas bisedës së transmetuar, ajo është kërcënuar pasi i ka bërë me dije Boçit se do ta denonconte në media.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur menjëherë hetimet për kryetarin e Gjykatës së Gjirokastrës, i cili akuzohet për veprat penale të “korrupsionit pasiv” dhe “shpërdorimit të detyrës”.

Kryetari i Gjykatës së Gjirokastrës është i dyti gjyqtar që përballet me hetimin për shkak se kërkoi favore seksuale në këmbim të një vendimi gjyqësor. Gjyqtari i Beratit, Shyqyri Çobo u hetua dhe u dërgua në gjykatë pasi i kërkoi marrëdhënie intime një gruaje që gjendej në mesin e një procesi divorci.