Lajm17 Jun 2017

Federata Europiane e Gazetarëve, padia e Gjin Gjonit ndaj BIRN keqpërdorim i ligjit

Në një deklaratë për Qendrën Europiane për Lirinë e Medias dhe Shtypit, ECPMF, Presidenti i Federatës Europiane të Gazetarëve, EFJ, është shprehur se padia e gjyqtarit dhe anëtarit të KLD-së Gjin Gjoni ka si qëllim t’i mbyllë gojën gazetarëve.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Logo e Federatës Europiane të Gazetarëve

“EFJ beson që përdorimi keqdashës i ligjit në këtë rast, është një mjet për t’i bërë presion dhe keqtrajtim të gazetarëve,” tha Presidenti i EFJ-së Mogens Blicher Bjerregård për ECPMF.

“Është e qartë që qëllimi kryesor i padisë është të trembë dhe t’i mbyllë gojën gazetarëve që po raportojnë mbi çështje për interes publik,” shtoi ai.

Federata Europiane e Gazetarëve është organizata më e madhe e gazetarëve në Europë dhe përfaqson mbi 321,000 gazetarë të grupuar në 71 organizata dhe të shpërndarë në 43 vende.

Në njoftim të publikuar të premten Qendra Europiane për Lirinë e Medias dhe Shtypit, nënvizon se Gjoni ka iniciuar një padi kundër Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative në Shqipëri dhe gazetarëve Besar Likmeta and Aleksandra Bogdani – të dy fitues të çmimit prestigjoz  ndërkombëtarë CEI-SEEMO për merita në gazetari investigative – duke kërkuar një total prej 7 milionë lekësh (€52,000), për tre artikuj të publikuar gjatë vitit të fundit, të lidhura me hetimet e Prokurorisë mbi pasurinë e Gjonit dhe procesin e deklarimit të pasurisë së gjyqtarëve te Apelit në Shqipëri. Gjyqtari dhe e shoqja Elona Caushi pretendojnë në padinë e tyre për shpifje se artikujt i kanë shkaktuar dëm moral dhe shpirtëror, për të cilin kërkojnë dëmshpërblim.

Gjoni ka paditur gjithashtu për 4 milionë lekë (€30,000) të përditshmen Shqiptarja.com dhe gazetarët Elton Qyno dhe Adriatik Doçi për artikuj të ngjashëm.

Në një takim të premten në Tiranë, Ambasadori i SHBA-së Donald Lu gjithashtu shprehu mbështetjen e tij për lirinë e medias në Shqipëri dhe u solidarizua me 4 gazetarët e paditur.

Lu ndau një foto nga takimi me katër gazetarët në faqen në Facebook të Ambasadës me diciturën “Beteja juaj, është beteja jonë” dhe me hashtagun “Nuk do të hiqja asnjë presje”.