Investigim22 Jun 2016

Flluska e kredive në sektorin e energjisë rrezikon të shpërthejë

Tre gjigandët e sektorit të energjisë elektrike, KESH, OSHEE dhe OST kanë në bilancet e tyre mbi 96 miliardë lekë borxhe të akumuluara ndër vite, ndërkohë që ministria e Financave beson se shanset që këto kompani të shlyejnë këto borxhe janë të pakta dhe rreziku për taksapaguesit është i lartë. 

Autor: Ornela Liperi BIRN Tiranë
Printo

Elektricistë, gjatë inaugurimit të investimet që po kryhen ne zonën e Bathores, Paskuqanit dhe Babrruse në Tiranë, me një vlerë 1.7 miliardë lekë |Foto nga : LSA

Elektricistë, gjatë inaugurimit të investimet që po kryhen ne zonën e Bathores, Paskuqanit dhe Babrruse në Tiranë, me një vlerë 1.7 miliardë lekë |Foto nga : LSA

Sektori i energjisë elektrike mund të kthehet në flluksën e radhës financiare, me kreditë afatshkurta e afatgjata, që arrijnë në gati 7% të prodhimit të brendshëm bruto dhe aftësinë paguese që është tepër e varur nga performanca e kompanisë KESH dhe tekat e motit. BIRN zbardh për herë të parë detyrimet që tre sipërmarrjet e energjisë, KESH, OSHEE dhe OST kanë ndaj bankave vendase dhe institucioneve ndërkombëtare.

Bilancet e kompanive si dhe të dhënat financiare të marra nga BIRN përmes kërkesave për të drejtë informimi te KESH, OSHEE dhe Ministria e Financave, tregojnë se borxhet e sektorit kanë ardhur në rritje të vazhdueshme përgjatë viteve, duke i bërë kompanitë energjetike publike të kenë efektivisht më shumë detyrime se sa asete.

Kreditë e stërmëdha janë tërhequr përgjatë viteve, pjesërisht për të kryer investime të cilat në masë rezultojnë joekonomike dhe pjesërisht për të përballuar situatat e krizave të përsëritura energjetike.

Sot sistemi gjendet në një situatë ku mbi 690 milionë euro borxhe presin të shlyen ndërkohë që Ministria e Financave, e cila ka garantuar pjesën më të madhe të kredive, thotë se në gjykimin e saj, rreziku i moskthimit të kredive është i lartë dhe probabiliteti që qeverisë do t’i duhet të shlyejë kreditë për këto kompani është gjithashtu i lartë.

Sipas ekspertëve, edhe për kreditë e pagarantuara, barra sërish mund të bjerë mbi qeverinë dhe taksapaguesit.

“Nuk duhet harruar se përderisa korporatat janë shoqëri që operojnë me kapital shtetëror, fakti që mund te marrin hua bankare pa garanci qeveritare nuk tregon asgjë,” tha për BIRN Zef Preçi , drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike.

“Në kushtet e pamundësisë së kthimit të huave të marra prej tyre është qeveria që mbulon kthimin e huave, pasi shteti nuk është i interesuar që për shkak të keq-qeverisjes së korporatave apo për arsye të tjera të lejojë që asete strategjike (siç janë psh hidrocentralet) të sekuestrohen nga bankat me çmime të nënvleftësuara dhe jashtë kushteve të tregut,” shtoi ai,

Investimet nuk e rimëkëmbën sektorin

Përgjatë 20 viteve të fundit, institucionet financiare ndërkombëtare akorduan kredi të njëpasnjëshme për KESH si dhe kompanitë që u krijuan nga shpërbërja e KESH në vitin 2007, OSHEE dhe OST, me presupozimin se investimet do të sillnin përmirësim të gjendjes financiare të sektorit të energjisë elektrike.

Sektori i energjisë ka qenë i varur nga huatë që prej vitit 1995, kur daton dhe kredia e parë për KESH, një kredi e vogël me vlerë 5 milionë dollarë me të cilën synohej që të bliheshin matësa të energjisë elektrike për të luftuar humbjet nga konsumimi i pamatur i energjisë. Kredia, e cila nuk ia arriti qëllimit për të cilin u mor, pritet të përfundojë shlyerjen në vitin 2017. Kreditë erdhën në rritje dhe numri i institucioneve financiare dypalëshe apo shumëpalëshe financuese të KESH u rrit gjithashtu. Në total, 24 projekte janë financuar përgjatë dy dekadave të fundit nga disa kreditorë shumëpalësh dhe dypalësh me një vlerë të përgjithshme prej 245 milionë eurosh, të gjitha të garantuara nga Ministria e Financave. Këto janë kreditë afatgjata, të cilat do të duhet të shlyhen gradualisht përgjatë dekadave të ardhëshme. Interesi që paguhet për këto kredi konsiderohet “i butë”, në disa raste është vetëm 0.75 për qind.

Por gjatë viteve të ndryshme të krizave, kompanitë e sistemit, më së shumit KESH, tërhoqën nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri kredi të njëpasnjëshme për të financuar në pjesën më të madhe pagesën e faturave të energjisë së importuar. Ministria e Financave ka lëshuar garanci për kredi totale prej 221.7 milionë eurosh të marrë në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri. Përveç kredive të garantuara, kompanitë e sistemit disponojnë edhe kredi të pagarantuara nga qeveria, për të arritur në totalin e 690 milionë eurove për të tri kompanitë.

“Nuk ka një analizë sa produktive kanë qenë kreditë për investime deri në vitin 2009,” tha për BIRN, Ilir Bejtja, zëvendës ministër i Energjisë dhe Industrisë.

“Duhet bërë një hetim se ku kanë shkuar paratë dhe sa eficiente kanë qenë ato deri në 2009-n”, propozon ai.

Sipas Bejtes i vetmi investim që ai vlerëson është ai për ndërtimin e rrjetit 20 kv, ndërsa e gjithë infrastruktura tjetër është ende ajo e para 30-40 viteve. Pas vitit 2009, pritej që CEZ (kompania çeke që bleu operatorin e shpërndarjes) të investonte 40 milionë euro për përmirësimin e furnizimit me energji. Por, këto investime jo vetëm që nuk u bënë, por qeveria u detyrua të marrë kredi të mëtejshme për të garantuar furnizimin me energji, pas konflikteve të vazhdueshme me CEZ.

Kredi pa tender

Ministria e Financave thotë se një kredi prej 5 miliardë lekësh (36 milionë eurosh me kursin e sotëm) u nënshkrua në gusht 2008, e garantuar nga Ministria e Financave dhe me interes BTH 12M+2.7 për qind. Kredi të tjera me të njëjtën formulë u morën në vitet në vijim për një total prej 30.4 miliardë lekësh. BTH 12M do të thotë Bono Thesari me afat maturimi 12 mujor plus 2.7 për qind interes.

Një diskutim teorik mes qarqeve të ekonomistëve u zhvillua që në atë kohë, i cili vijon edhe sot dhe nuk ka marrë zgjidhje. Nën garancinë e qeverisë, një korporatë publike mori kredi me interes më të lartë se sa bonot e thesarit, të cilat emetohen gjithashtu me garanci shtetërore. Për ekonomistët kjo do të thotë se për të njëjtin nivel rreziku, kemi dy norma të ndryshme interesi. Qeveria shqiptare aktualisht merr hua te bankat dhe te publiku i gjerë përmes emetimit të bonove të thesarit dhe interesi i paguar për këto bono përbën çmimin me të cilin bankat janë të gatshme t’i japin hua qeverisë. Shumë ekspertë nga sistemi bankar besojnë se për sa kohë kreditë që bankat kanë dhënë për korporatat publike janë garantuar nga Ministria e Financave, një interes shtesë mbi interesin e bonove të thesarit është thjeshtë pa kuptim.

Problemi tjetër është që kredia për sektorin publik nuk konsiderohet mall ose shërbim dhe rrjedhimisht, nuk i nënshtrohet rregullave të garës. Përgjatë viteve, korporatat kanë negociuar drejtpërsëdrejti me bankat për marrjen e këtyre kredive me normë më të lartë se sa bonot e thesarit. Bankat duken të lumtura me këtë situatë për shkak se efektivisht kreditojnë shtetin shqiptar me norma interesi më të larta se sa bonot e thesarit. Pyetur për problemin e interesave, KESH tha për BIRN se ajo është vazhdimisht në negociata me bankat kredituese për të ulur interesat ndërsa po mendon për një plan emergjent për shlyerjen fillimisht të overdrafteve me interesa më të larta. “KESH vazhdimisht ka negociuar për uljen e interesave të ofruara nga bankat”, thanë burimet zyrtare të KESH.

Sipas të dhënave të vënë në dispozicion nga KESH, norma mesatare e interesit të overdrafteve në lek dhe euro ka zbritur nga 6.58% në vitin 2013 në 4.44% në fund të vitit 2015.

Zef Preçi , drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, thotë se është mjaft e rëndësishme që qeveria të lehtësojë korporatat publike nga marrja e huave në bankat tregtare për ofrimin e shërbimeve publike, të cilat janë detyrë e saj (qeverisë). I tillë është për shembull sigurimi i furnizimit të plotë (përtej prodhimit vendas) me energji të familjareve dhe ekonomisë në tërësi.

“Korporatat duhet të operojnë në përputhje me statusin e tyre si shoqëri tregtare me kapital shtetëror dhe të mos përfshihen në shërbime të tjera siç është marrja e borxhit në bankat tregtare vendase për import të energjisë, kryerja e prokurimit përkates,” tha Preçi.

“Kjo për faktin se rruga e ndjekur deri më sot ka shërbyer në mjaft raste për të krijuar ‘xhepa’ prej nga rrjedh paraja publike, për të bërë favore në procesin e prokurimit që shkelin konkurrencën në treg dhe që favorizojnë klientët e qeverisë së radhës, etj,” shtoi ai.

Një problem me vete, sipas z.Preçi,  përbëjnë edhe programet ekonomiko-financiare vjetore të korporatave, mbi bazën e të cilit merren edhe huatë bankare.

“Të dhënat e viteve të fundit tregojnë se për të shmangur shqyrtimin në Kuvendin e Shqipërise të huave bankare për korporatat si pjesë e detyrueshme e borxhit publik, ministritë kanë lejuar korporatat të rritin borxhin e tyre për mallra/shërbime që nuk lidhen direkt me qellimin e krijimit të tyre, gjë qe sipas mendimit tim nuk duhet lejuar sepse krijon terren për abuzim dhe përdorim jo-efektiv të këtyre fondeve,” Preçi përfundoi.

Overdrafti do të kthehet në kredi të përhershme

Kontratat e kredive afatshkurtra me bankat e nivelit të dytë filluan të aplikohen nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare në vitin 2008, kur rënia e prodhimit vendës për shkak të thatësirës, detyroi KESH të zbrazë xhepat për të paguar energji të shtrenjtë importi. Por ndërsa këto lloj kredish supozoheshin do të shërbenin si një financim për një situatë të përkohëshme, ato u kthyen në një kredi efektivisht të përhershme. Në vitin 2011, KESH u detyrua të importojë të gjithë sasinë e energjisë së nevojshme për të mbuluar konsumin e vendit, pasi Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, në atë kohë CEZ Shpërndarje, refuzoi të kryejë importe për shkak të mosmarrëveshjeve me qeverinë për çmimet e shitjes së energjisë. Në total, kreditë afatshkurtra të KESH arrijnë në mbi 30 miliardë lekë, (221 milionë euro). Shumica e kredisë është në lekë.

Aktualisht, KESH dhe qeveria janë duke negociuar për ta kthyer këtë kredi ‘afatshkurtër’ në kredi afatgjatë.

Burime zyrtare i thanë BIRN se KESH, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, si dhe Ministria e Financave janë duke negociuar me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për një kredi 15 vjeçare me vlerë deri në 218 milionë euro dhe me normë interesi prej Euribor plus 1 për qind. KESH paguan aktualisht rreth 4.5 për qind interes efektiv mbi këto kredi dhe interesat kanë ardhur në rënie si pasojë e rënies së vazhdueshme të normave të bonove të thesarit të qeverisë gjatë viteve të fundit.

Kredi që prodhojnë humbje të mëtejshme

Aktualisht KESH, e cila mbart direkt dhe indirekt gati 90% të barrës së kredive,  konsiderohet si një kompani që ka shumë pak shpresa se do të jetë në gjendje të shlyejë borxhet që ka marrë përgjatë viteve ndërsa OSHEE, megjithëse ka pasur përmirësime të ndjeshme në të ardhura dhe fitime gjatë viteve të fundit, ka detyrime të prapambetura të stërmëdha dhe nuk pritet që edhe për disa vite të mund të shlyejë gjë.

Në një prononcim pas kërkesës për të drejtë informimi nga BIRN, Ministria e Financave pranoi se “Risku i moskthimit të kredisë vlerësohet i lartë për KESH sha për shkak të përkeqësimit të performancës financiare të kompanisë dhe shitjes nën kosto të energjisë”.

Por mungesa e mundësisë së kompanive për shlyerjen e kredive është vetëm një pjesë e problemit. Problemi tjetër është se shumica dërrmuese e kredive janë marrë për të mbuluar humbje të papritura apo për të kryer investime që rezultojnë pa leverdi, gjë që do të thotë se kostoja e interesave të këtyre kredive po gërryen vlerën e aseteve që kompanitë kishin para se t’i merrnin këto kredi.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), një prej kreditorëve më të mëdhenj të shoqërive të energjisë, ka kërkuar nga KESH mbajtjen e raporteve financiare të përshtatshme, që mundësojnë vlerësimin e aftësisë paguese të kompanisë. Sipas bilancit të vitit 2014, “Raporti i mbulimit të borxhit”, i cili  tregon sesa e aftë financiarisht është kompania për të paguar principalin dhe interesat e huave  të marra në vitin 2014 ishte negativ prej -0.12, nga 1.25 që është referenca minimale e BERZH.

“Për vitin 2014 ky tregues del me vlerë negative, pasi nga ana e shoqërisë, në përputhje me zbatimin e standarteve të kontabilitetit IFRS si dhe të rekomandimeve të lëna nga audituesit e Pasqyrave Financiare të shoqërisë, është kërkuar kryerja e provizionimit të llogarive pa shprese arkëtimi, në mënyrë që situata financiare e shoqërisë të jetë sa më e qartë”, thanë burime zyrtare nga KESH.

Në bilancin e vitit 2014, kompania vlerëson se nuk prej të arkëtojë 40.7 miliardë lekë (rreth 290 milionë euro) nga klientët familjarë për faturat e energjisë elektrike të papaguara që datojnë para datës së ndarjes së KESH nga OSHEE, të cilat Grupi nuk pret t’i mbledhë.

Një tjetër tregues, “Raporti i borxhit mbi fitimin para interesave, tatim fitimit, zhvlerësimit dhe amortizimit” (EBITDA) si një tregues i aftësisë për të shlyer borxhin e shkaktuar ishte -2.73, nga maksimumi 5.5 që është referenca maksimale e BERZH.

Burime zyrtare të KESH pohojnë se deri më tani kompania arrin të shlyejë vetëm interesat e portofolit të Overdrafteve (hua afatshkurtër 1-vjeçare) dhënë nga bankat e nivelit të dytë. KESH shpreson se huaja e BERZH do të mundësojë shlyerjen e portofolit prej 218 milione EURO (overdraft, të siguruara me Garanci Qeveritare në bankat e nivelit të dytë) duke i krijuar frymëmarrje financiare shoqërisë, që brenda një periudhe 15-vjeçare të shlyejë totalisht këtë borxh ( principal+interes) me një normë interesi shumë më të favorshme.

Sa i takon Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë, OSHEE, kompania ka detyrime të prapambetura në rendin e qindramilionë eurove të akumuluara ndaj shtetit, KESH, OST si dhe vetë CEZ, përveç bankave. Në total, bilanci i OSHEE për vitin 2014 shënon asete totale neto prej minus 71 miliardë lekë (rreth 507 milionë euro).

“Sektori i energjisë është në telashe të mëdha pas dështimit të privatizimit dhe rishtetëzimit të mëvonshëm të kompanisë së shpërndarjes, OSHEE. Sektori pritet të ketë nevojë për mbështetje buxhetore deri në vitin 2019”, thuhet në raportin e FMN-së.

Të njëjtin afat japin dhe burimet zyrtare të financave. “Mbështetur në strategjinë e qeverisë për daljen nga kriza të sistemit të energjisë, hapësirave për financim sipas programit me FMN dhe Bankën Botërore për mbështetjen e sektorit të energjisë Ministria e Financave mendon se pas vitit 2019 sektori i energjisë nuk do të ketë nevojë për mbështetje buxhetore”. 

Situata duket më pozitive te Operatori i Sistemit të Transmetimit, kompania e cila menaxhon sistemin e tensionit të lartë në Shqipëri. Si hallkë ndërmjetëse mes KESH/importit dhe OSHEE, bilanci i OST duket se është më i qëndrueshëm. OST ka gjithsej 24 miliardë lekë borxhe të marra për ndërtimin e linjave të interkonjeksionit si dhe linjave të tensionit të lartë brenda vendit. Kjo është e vetmja kompani e sektorit që rezulton me fitime.