Lajm23 Apr 2019

Gardisti dhunon gazetaren Ola Xama në ambientet e Kuvendit

Një gardist dhunoi fizikisht dhe verbalisht gazetaren e TV Klan, Ola Xama të martën në mjediset e Kuvendit, duke shënuar rastin e katërt të dhunës së punonjësve të shtetit ndaj gazetarëve brenda muajit prill.

Autor: Ivana Dervishi BIRN Tiranë
Printo

Mikrofona te lidhur tek kangjellat e Prokurorise se Pergjithshme, gjate nje proteste te organizuar nga Komunitetit i Gazetareve kunder dhunes se ushtruar ndaj gazetarit Renaldo Salianji. Foto: LSA

Gazetarja Ola Xama e televizionit Klan denoncoi të martën dhunën fizike dhe verbale të ushtruar ndaj saj nga një punonjës i Gardës së Republikës, ndërkohë që ajo ndodhej në mjediset e Kuvendit duke ushtruar detyrën.

Xama i tha BIRN se ndërkohë që priste së bashku me kolegët e tjerë të intervistonte guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, një punonjës i gardës e shtyu dhunshëm me justifikimin se i kishte zënë rrugën një deputeteje socialiste.

Gazetarja shpjegoi se i kishte thënë gardistit se nuk kishte pse ta lëndonte për të hapur rrugën, pasi mjaftonte t’i fliste, por gardisti nisi ta fyente dhe u desh ndërhyrja e kolegëve të tjerë gazetarë që punonjësi i Gardës të tërhiqej.

“Vendosa të flas këtë herë sepse u ndjeva shumë keq nga veprimi që ai [gardisti] bëri. Ashtu sikurse unë respektoj punën e tij, duhet që edhe ai të respektonte punën time,” tha Xama, duke kujtuar se një episod i ngjashëm i kishte ndodhur edhe katër vite më parë.

Garda e Republikës, një strukturë e veçantë që ka për mision ruajtjen dhe mbrojtjen e personaliteteve të larta shtetërore dhe rezidencave të caktuara është në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Ky nuk është rasti i vetëm që punonjës të Gardës ushtrojnë dhunë ndaj gazetarëve, ndërkohë që ata janë duke kryer detyrën e tyre. Vetëm pak ditë më parë, një grup gazetarësh protestuan para Prokurorisë së Tiranës, pasi gazetari Renaldo Salianji u shty me dhunë nga rojet e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku ndërkohë që ai së bashku me kolegët e tjerë tentuan të intervistojnë Markun për grabitjen e Rinasit.

Gazetarët Dorjana Bezat dhe Erion Skëndaj nga News 24 denoncuan gjithashtu autoritetet se i kishin penguar ata me forcë që të mos ushtronin detyrën e tyre për raportimin nga protestat e Bregut të Lumit për ndërtimin e bulevardit të ri.

Shqipëria humbi shtatë vende në raportin e fundit të publikuar nga organizata ndërkombëtare Reporterë pa Kufi, ku fyerjet, sharjet dhe procedimet ligjore ndaj gazetarëve konsiderohen si shkaktarët kryesorë  të rënies së lirisë së medias në vend.

Duke shprehur keqardhje për incidentin që i ndodhi vetë asaj të martën, gazetarja Ola Xama tha se dhuna ndaj gazetarëve frymëzohet nga komunikimi i të dy krahëve të politikës, që i cilësojnë gazetarët si “kazan”.

“Është bërë normale, sepse dhunuesit marrin zemër ngaqë kanë kuptuar se nuk ka ndëshkim,” tha Xama.

BIRN kontaktoi Ministrinë e Brendshme për dhunën e ushtruar nga gardisti ndaj gazetares, por nuk mori asnjë përgjigje në kohën e publikimit të këtij artikulli.