Blog23 Jun 2018

Greqia del nga kriza, tragjedia tetëvjeçare në shifra

Greqia pritet zyrtarisht të dalë nga kriza shumëvjeçare që nisi në vitin 2008 dhe që përfshiu tragjedinë më të rëndë ekonomike për një komb të zhvilluar ndonjëherë. Pas tetë vitesh, grekët janë afërsisht 30% më të varfër se sa ishin më 2008. Këto janë shifrat kryesore të ekonomisë greke gjatë këtyre tetë viteve.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Në këto gjashtë foto nga e majta sipër, kryeministri i Gresisë Alexis Tsipras po heq kollaren në fund të një fjalimi para deputetëve të qeverisë së tij të koalicionit në Athinë të premten më 22 qershor 2018. Ai vuri kollare për herë të parë pas tre vitesh në pushtet për të festuar marrëveshjen për lehtësimin e borxheve me kreditorët e vendit. (AP Photo/Petros Giannakouris)

Në vitin 2008, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Greqisë ishte 242 miliardë euro, e barabartë kjo me afro 22 mijë euro për frymë. Ky nivel ekonomik mund të jetë i lakmueshëm për shqiptarët, ku PBB për frymë vijon të jetë as 5 mijë euro, por në rang eurozone, Greqia ishte në atë kohë ndër vendet më të varfra. Greqia kishte përjetuar edhe një nga rritjet më te shpejta ekonomike në Eurozonë përgjatë dekadës para krizës. Në vitin 1996, PBB për frymë me çmime korrente ishte vetëm 10 mijë euro. Një dekadë më vonë ajo ishte dyfishuar në 21 mijë euro. Në çastin që kriza financiare dhe ekonomike botërore goditi duke filluar nga tetori 2008, Greqia ishte një nga vendet e para që u godit. Në çastin kur Greqia nuk arriti të shlyejë borxhet e saj, qeveria u detyrua nën kushtet e kreditorëve institucionalë të ulë shpenzimet dhe të rrisë taksat. Kjo duket si një punë e thjeshtë, por problemi është që në çastin që qeveria ul shpenzimet, qytetarëve u bien të ardhurat nga të cilat duhet të paguajnë taksat. Për rrjedhojë, qeveria ka më pak para pavarësisht taksave të rritura. Ky është një problem ekonomik i vërejtur për herë të parë nga John Maynard Keynes, në esenë e tij Pasojat Ekonomike të z. Çurçill.

Gjithsesi, recesioni i Greqisë pas vitit 2009 nuk nisi menjëherë me katastrofë. PBB e Greqisë, sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, u kontraktua atë vit me 1.8%. Kriza u thellua në vitin 2010, me PBB nominale -4.8% dhe më 2011 me rënie 8.4%. Prodhimi i Brendshëm Bruto i Greqisë shënoi pikën më të ulët në vitin 2015 në 176 miliardë euro, 66 miliardë ose 27% më pak se sa para krizës. Greqia doli zyrtarisht nga recesioni më 2016 dhe u rikthye te rritja ekonomike më 2017.

Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë si dhe numri i të punësuarve në ekonominë greke tregojnë ndoshta më shumë se sa PBB nominale. Mes viteve 2008 dhe 2016, PBB për frymë e Greqisë ra nga afro 22 mijë euro në vetëm 16 mijë euro, me një rënie totale prej 25%.

Në të njëjtën periudhë, të ardhurat buxhetore të Greqisë u reduktuan ndjeshëm, pavarësisht se Greqia i rriti taksat. Në vitin 2008, të ardhurat buxhetore ishin gati 100 miliardë euro ndërsa në vitin 2014, ato ranë në 84 miliardë euro. Rritja e taksave bëri që të ardhurat e shtetit grek të rriteshin si përqindje e PBB-së, nga 41% më 2008 në gati 50% më 2016, por ky nuk është domosdoshmërisht një tregues pozitiv. Ndërsa ekonomia ulej dhe taksat rriteshin, përqindja e të ardhurave buxhetore në krahasim me PBB-në nuk vlen, sepse barra e borxheve rritet në raport me ekonominë. Dhe ndërsa të ardhurat e buxhetit në euro ranë gjatë kësaj periudhe, ranë nga 123 miliardë euro më 2008 në 86 miliardë më 2016. Vuajtja u kompensua nga fakti që rritja e taksave dhe ulja e shpenzimeve bënë që deficiti buxhetor i Greqisë të reduktohej vazhdimisht nga 25 miliardë euro më 2008 në 5 miliardë më 2015 dhe plus 1.7 miliardë më 2016.

Problemi kryesor i një krize ekonomike nuk është që ajo heq një pjesë të të ardhurave kombëtare të vendit, por fakti që popullsia goditet në mënyrë të pabarabartë. Ndonëse Greqia si komb është 30% më e varfër sot, kjo do të thotë se një pjesë e grekëve jetojnë më mirë ose po aq mirë sa tetë vjet më parë ndërsa një pjesë tjetër, ndoshta shumica, janë më shumë se sa 30% më të varfër. Kjo dallohet lehtë te numri i jashtëzakonshëm i vendeve të punës të mbyllura.

Punësimi treguesi i vërtetë i përmasave të krizës. Në vitin 2008, Greqia kishte 4.6 milionë të punësuar në një popullsi prej 11 milionë banorësh. Në kulm të krizës së punësimit, më 2013, pati vetëm 3.5 milionë të punësuar. Brenda pesë vitesh, afro 1.1 milionë vetë, një në çdo katër të punësuar, humbën vendet e punës. Megjithëse kriza po konsiderohet e kaluar, sot Greqia ka ende 3.7 milionë të punësuar, afro 900 mijë më pak se sa më 2008. Popullsia e Greqisë është pakësuar me rreth gjysmë milioni njerëz gjatë viteve të fundit, pasi një pjesë e mirë e grekëve dhe emigrantëve vendosën të ikin.

Kryeministri grek vuri një kollare për herë të parë në publik për të shënjuar atë që ai e quajti “fundi i krizës”. Vendet kreditore pranuan që Greqia të shtyjë pagesën e kësteve dhe të zgjasë maturitetet e borxheve të veta, si dhe i dhanë një kredi të re me vlerë 15 miliardë. Kjo do t’i mundësojë Greqisë të rikthehet në tregun ndërkombëtar të borxheve në gusht ndërsa borxhi i saj publik, megjithëse i lartë, mund të quhet i stabilizuar tashmë. Borxhi grek është aktualisht 323 miliardë euro. Plani është që përgjatë viteve të ardhëshme, ekonomia të rritet ndërsa borxhi publik të mos rritet, duke sjellë rënien e peshës së borxhit në ekonominë e vendit. Në rast se gjithçka shkon mirë, Greqisë do t’i nevojiten disa dekada rritje ekonomike pa borxh publik për ta kthyer nivelin e borxhit nga kuota aktuale prej 180% e PBB-së në një nivel gjithashtu të lartë prej, fjala vjen, 100% e PBB-së.

Sipas FMN-së, ekonomia e Greqisë pritet të rritet me rreth 2% në vit në terma realë përgjatë viteve të ardhshme, ndërsa grekët do t’i rikthehen nominalisht nivelit të tyre ekonomik të vitit 2008 diku rreth vitit 2030.