Lajm1 Oct 2018

Hetimi ndaj Rexhep Rrajës u “ringjall” vetëm pas denoncimit publik të Nuhut

Kërkesa e prokurorisë për masë sigurie ndaj Rexhep Rrajës tregon se megjithëse ngjarja kishte ndodhur në korrik, veprimet kryesore hetimore si administrimi i ekspertizës mjeko-ligjore apo i ekspertizës së celularit të vajzës u bënë pas denoncimit publik të oficerit Nuhu-duke çuar në kërkesën për masë sigurie.  

Autor: Elton Qyno BIRN Tiranë
Printo

Protesta e një grupi qytetarësh kundër dhunës së ushtruar ndaj 25-vjeçares të hënën para Kryeministrisë. Foto: Loreta Cuka/BIRN

Kërkesa e Prokurorisë së Krujës për masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Rexhep Rrajës-djali i deputetit të Partisë Socialiste Rrahman Rraja, ekspozon faktin se kallëzimi i 25 vjeçares me inicialet Xh.M u la për dy muaj “në sirtar”, ndërkohë që hetimet u riaktivizuan vetëm pas denoncimit publik të oficerit të policisë gjyqësore, Emiljano Nuhu.

Ndonëse kallëzimi është regjistruar nga Prokuroria më 23 korrik dhe deri në fillim të gushtit u kryen disa veprime hetimore, provat kryesore ku u bazua kërkesa për masë sigurie ishin administrimi i ekspertizës mjeko-ligjore dhe ekspertiza e celularit të vajzës-të dyja këto të ndodhura pas 26 shtatorit.

Në raportin e mjekësisë ligjore të publikuar në media thuhet se 25-vjeçarja është ekzaminuar më 25 korrik, pas kallëzimit të bërë në komisariatin e policisë nr.3 në Tiranë. Raporti që konfirmonte dhunën e ushtruar mbi është administruar nga Prokuroria e Krujës vetëm pak ditë më parë. Edhe administrimi i ekspertizës së celularit të kallëzueses u bë pasi oficeri i policisë, Emiljano Nuhu denoncoi në një intervistë për Shijak Televizion ngjarjen, bashkë me pretendimin e tij se ishte kërcënuar për të mos e çuar hetimin përpara.

Tre ditë më pas, më 29 shtator, Prokuroria siguroi edhe një përgjim ambjental të një bisede mes të akuzuarit dhe vajzës së dhunuar, i cili e bindi t’i drejtohej gjykatës me kërkesë për masë sigurie. Më 30 shtator, Rexhep Rraja, djali i deputetit socialist Rrahman Rraja, u arrestua pasi i kishte shpëtuar drejtësisë për një muaj e gjysmë, megjithëse ishte denoncuar për dhunimin e vajzës.

Policia dhe Ministria e Brendshme bënë disa deklarata pas denoncimit publik për të rrëzuar akuzat e Nuhut. Sipas policisë, megjithëse vajza akuzuese e ka tërhequr akuzën, “hetimet kanë vijuar”. Megjithatë Rraja nuk u arrestua për më shumë se dy muaj nga raportimi i dhunës, ndërsa siç del edhe në kërkesën për masë sigurie, një sërë veprimesh të plotësimit të dosjes u kryen vetëm pasi oficeri i policisë Nuhu i bëri akuzat publike.

Kryeministri Edi Rama deklaroi pas arrestimit se “mbështet drejtësinë”, ndërsa më herët kishte akuzuar opozitën se po “abuzon politikisht” me vajzën. Ndërkohë PD në një deklaratë të fundit për shtyp tha se akuzat e saj vërtetoheshin nga veprimet e policisë ndërsa shtoi se ligji po vepronte vetëm për shkak të denoncimit të Nuhut. “Për shkak se oficeri i policisë, mori anën e ligjit dhe jo të krimit,  sot kemi gjurmë të denoncimit!”, thuhet në komunikatën e PD.

Në kërkesën për gjykim cilësohet si arsye për arrestim mundësia që i akuzuari të prishë provat. Gjithashtu, prokuroria evidenton faktin se viktima e dhunës ka tentuar dy herë të tërheqë kallëzimin e bërë në prokurori.

Prokuroria thotë në kërkesë se kallëzimi i vajzës përkon me prova të tjera të marra dhe me pamjet e administruara nga kamerat e një hoteli, ku pamjet përputhen me kallëzimin e Xh.M. Po ashtu tabulatët telefonike vërtetojnë pohimet e saj se ajo kishte komunikuar pas kallëzimit me kushëririn e Rexhep Rrajës, i cili i kishte kërkuar takim.

Në dëshminë e tij më 29 shtator, Rraja ka mohuar dhunën dhe ka këmbëngulur në pafajësi.

Kërkesa për masë sigurie lë të kuptohet se megjithëse çështja ishte bërë publike dhe se vëmendja ishte rritur, Rexhep Rrahja vijoi të bënte biseda të cilat sipas prokurorisë e kompromentonin. Në kërkesën për masë sigurie thuhet se prokuroria e Krujës mori në pyetje të dy personat në ambjentet e saj dhe po ashtu kreu përgjim ambjental të bisedës mes tyre gjatë kohës që ata ndodheshin në prokurori, të cilin e paraqiti si provë kundër të akuzuarit.

“Në datën 29.09.2018,  janë interceptuar bisedat e zhvilluara në ambientet e Prokurorisë pranë Gjykatës së shkallës së parë Krujë ndërmjet te hetuarit (Rexhep Rraja) dhe viktimës dhe viktimës dhe shtetases S.Z (shoqe e saj)”, thuhet në kërkesë. Më poshtë prokurorja Mirela Kapo thotë se nga provat e mbledhura dhe dëshimitë: “Rezulton e provuar se i hetuari Rexhep Rraja, me qëllim krijimin e gjendjes së frikës dhe ankthit, duke e detyruar të dëmtuarën që të mos t’i japë fund lidhjes, në mënyrë të përsëritur dhe sistematike ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike”.